Kanada

Toronto: Polici që arrestoi Alek Minassian refuzon të trajtohet si hero

  • Published in Kanada

Sipas Policisë së Torontos, agjenti Ken Lam, autori i arrestimit të Alek Minassian, personit të dyshuar si autor i masakrës me furgon të hënën në Toronto, është i mendimit që publiku dhe mediat nuk kanë arsye përse ta trajtojnë si hero.

Superlativat në adresë të policit në fjalë u shumefishuan qysh nga momenti i publikimit të videos në të cilën ai është filmuar duke kryer arrestimin e 25 vjeçarit, i vetëm, pa ushtruar asnjë lloj dhunë, në një kohë që i dyshuari e kërcënonte atë teksa mbante në duar një objekt që nuk dihej ç’ishte.

“Lutja e tij është që të gjithë duhet të kuptojnë se ai nuk e mban veten për hero. Të gjithë duhet të kuptojnë që ai ka bërë vetëm detyrën” – është shprehur numri 2 i Policisë së Torontos, Peter Yuan.

Ky i fundit ka pohuar se ka qënë vazhdimisht në kontakt me agjentin Lam që nga dita e hënë kur ndodhi ngjarja e tmerrshme në veri të Torontos, ngjarje në të cilën humbën jetën 10 vetë dhe u plagosën 14 të tjerë.

 Peter Yen, Photo Credit Radio-Canada

Gjendja morale e Ken Lam raportohet të jetë e mirë, por dita e martë për të ka qenë shumë e vështirë deklaroi Peter Yen. Agjenti Lam përpara se të rinisë punën normalisht do të ndjekë një program asistence post-traumatike.

Të hënën e ngjarjes tragjike, Ken Lam, polici 33 vjeçar që patrullon çdo ditë në qytet, i është përgjigjur menjëherë thirrjes urgjente që mori përmes radios. Sipas asaj që ai vetë ka dëshmuar, ai është gjendur në ato momente pranë të dyshuarit dhe më pas ka zbatuar procedurat për të cilët agjentët e policisë kanë marrë trajnim se si duhet të veprojnë në situate të tilla.

Ken Lam shërben në Policinë e Torontos prej 7 vitesh dhe përpara se të inkuadrohej aty, e ka filluar karrierën profesionale si inxhinier. Familja e tij ka emigruar këtu nga Hong Kong-u ndërsa ai vetë ka lindur dhe është rritur në Toronto.

Burimi: Radio-Canada