Kanada

Tre të njohurat e “panjohura” të zgjedhjeve 2021 në Kanada - Nga Mishel Koçiu

  • Published in Kanada

Mishel Koçiu - Montréal

Nëse politika do ishte sport, sot në Kanada do të kishim Partinë Konservatore me më shumë vende në Parlamentin e ri. Dhe pa ndeshje finale fare, do ngarkohej kjo parti për të formuar qeverinë e ardhshme të Kanadasë. Madje me po të njëjten logjikë sportivo-matematikore Hillary Clinton do të duhet të ishte në mandatin e dytë presidencial në SHBA.

Por politika nuk është as sport, as referencë naive e zbërthimit semantik të fjalës greke “demokraci”. Politika është një grusht rregullash të paracaktuara loje, që të çimentuara në traditën e gjatë parlamentare të demokracive perendimore, ndryshojne realisht shumë pak përgjatë dekadave.

Në Kanada, siç dihet, është në fuqi sistemi parlamentar britanik, ku për rrjedhojë është mirë të saktësohen tre të “panjohura” të njohura.

Së pari, vota popullore jo gjithmonë përkthehet me vende në parlament. P. sh. PPC e Maxime Bernier me 5% vota, 0 vende, ndërkohë që Green Party me 2.3% vota, 2 vende dhe Bloc Quebecois me 7.7% vota, 33 vende.

Së dyti, jo domosdoshmërisht partia që firon shumë vende në parlament fiton të drejtën për të qeverisur, sidomos kur diferenca është më e vogēl se dy shifra. Prioritet në këto raste merr kryeministri në detyrë, p.sh. Trudeau edhe nëse do kishte fituar më pak vende se konservatorët e O’Toole, sërish do të kishte të drejtën i pari t’i kërkonte Guvernatores së Përgjithëshme formimin e qeverisë, nëse do demonstronte një aleancë paszgjedhore me NPD ose me Bloc Quebécois le të themi.

Së treti dhe së shumti, vetëm partia që fiton votëbesimin e shumicës së thjeshtë të anëtarëve të porsazgjedhur të parlamentit, ka legjitimitetin e formimit të qeverisë. Ky është burimi i pushtetit në sistemin tonë kanadez dhe jo numri i votave popullore apo i vendeve të fituara nga një parti e caktuar në parlament. Prandaj dhe katër nga shtatë qeveritë e fundit në Kanada kanë qenë minoritare.

Këto janë stadet kryesore nga ku kalon e drejta dhe tradita politike kanadeze në formimin e qeverisë pas zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.

Do ishte më mirē si në sport? Ndoshta! Por ja që realiteti politik kanadez është i tillë. Sistemi më i mirë zgjedhor mund të mos jetë shpikur ende, por një gjë është e sigurt: sistemi zgjedhor britanik (kanadez) nuk është absolutisht nga më të kritikueshmit.

P.S. Shifrat me blu janë përqindjet e votave në kuti. Ushtrimeve aritmetike se sa kanadezë përfaqësohen në Parlament, duhet t’u shtohet e dhëna se sa kanadezë nuk e vunë ujin në zjarr për të shprehur vulllnetin e tyre me votë dhe jo me “lloqe kavaje” në rrjete sociale për qeverisjen e re në Kanada.

©Mishel Koçiu