Kanada

Një sukses shqiptar në Montréal - Platforma Eva përfundon fazën e parë të investimit

  • Published in Kanada

Kompania Eva në Montréal, ka bërë publike përmes një komunikate të investitorit kryesor, Ilir Skëndaj (drejtues i grupit EI Investment), mbylljen e suksesshme të fazës së parë të investimit prej 1,2 milion dollarë. Eva (goeva.com), platforma e parë që mundëson dërgesa të menjëhershme dhe lëvizje të individëve me ride-share, ndërtuar në blockchain, është mbështetur financiarisht si projekt nga EI Investment, me pjesëmarrjen e qeverisë e Kanadasë dhe Progitech.

Kapitali ekzistues tashmë do të përdoret për vazhduar dhe nxitur përhapjen dhe zhvillimin e mëtejshëm të platformës, si dhe për të afruar eskpertë sa më të aftë në skuadrën dhe ekipin drejtues të kompanisë. Sipas investitorit kryesor Skëndaj, një objektiv i veçantë për të ardhmen do jetë vazhdimi i rritjes dhe zgjerimi i stafit në Kosovë, ku Eva ka krijuar tashmë një qendër me të rinj të talentuar, për zhvillimin e software dhe platformës.

Që prej Tetorit 2020, kur u bë realitet mundësia për dërgesa të menjëhershme në platformën e saj, kompania ka patur një rritje prej më shumë se 700% dhe një total prej mbi 165,000 dërgesash. Kjo arritje e rendit Evën si platforma e dytë më e madhe në Québec e këtij lloji, duke tejkaluar dhe emra të njohur në këtë fushë. Në rrjetin e saj, platforma ka më shumë se 3,000 drejtues automjetesh dhe 1,500 biznese të ndryshme që përdorin shërbimin e dërgesave ekspres. Gjithashtu, më shumë se 60,000 përdorues shfrytëzojne shërbimin e ride-share për lëvizje.

“Vendosëm të fokusohemi tek dërgesat e menjëhershme pasi tregu dhe konsumatorët ndërveprojnë gjithnjë e më shumë online”, pohoi në një komunikim me Flasshqip.ca një nga themeluesit e kompanise, Dardan Isufi, sipas të cilit ky tip oferte dha një zgjidhje për konsumatorët dhe bizneset gjatë periudhes së COVID-19 dhe e nxiti stafin drejtues të jetë më inovator, për të ndihmuar kësisoj më shumë komunitetin.

Nga ana e tij, Ilir Skëndaj u shpreh që “rritja fenomenale e Eva-s gjatë vitit të kaluar si dhe gjatë këtij viti, tregoi se tregu ka akoma nevojë për zgjidhje të tilla, si dhe ka hapesirë për zgjerim të mëtejshëm rajonal dhe global. Ne jemi mjaft te kënaqur dhe krenarë që do të ndihmojmë në fazën tjetër të zhvillimit dhe zgjerimit të kompanisë në Kanada dhe jashtë saj”.

Kujtojmë që Kompania Eva u themelua në Montréal, në vitin 2019, prej dy sipërmarrësve të rinj, Dardan Isufi, me origjinë nga Kosova dhe Raphaël Gaudreault. Eva është konceptuar në blockchain, çka e bën atë të vetmen platformë në treg që përdor arkitekturen dhe modelin e biznesit të decentralizuar.

Platforma mundëson dërgesa të menjëhershme dhe thjeshton integrimin e aplikacioneve të tregut online me konsumatorët, duke u dhënë kësisoj mundësinë këtyre të fundit, të kenë një eksperiencë të sukseshme deri në fund të blerjeve online.

Për më tepër informacion klikoni më poshtë:

https://goeva.com/#/

*Në foton kryesore: Dardan Isufi, Ilir Skëndaj dhe Raphaël Gaudreault

-FlasShqip.ca beson në mbështetjen e lexuesve.

Bashkohu me FlasShqip.ca duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar sipër butonin “donate”. Faleminderit!