Kanada

Toronto: Ceremoni masive homazhi në kujtim të 10 viktimave

  • Published in Kanada

Sipas një zëdhënësi të Bashkisë Toronto, evenimenti ishte apolitik dhe asnjë zyrtar shtetëror nuk mund ta merrte fjalën gjatë tij.

Mijëra qytetarë të Torontos, raporton Radio-Canada, janë mbledhur mbrëmë në një përshpirtje të organizuar në sheshin Mel-Lastman, North-York, në afërsi të vendit ku ndodhi sulmi mizor me furgon, si pasojë e të cilit humbën jetën 10 persona.

Kryeministri Kanadez, Justin Trudeau, Guvernatorja e Përgjithshme, Julie Payette, Kryeministri i Québec-ut, Philippe Couillard, mbërritën gjithashtu dje në Toronto ku u bashkuan me Kryeministren e Ontarios, Kathleen Wynne, dhe Kryetarin e Bashkisë John Tory, për të dëgjuar liderët komunitarë dhe fetarë të cilët organizuan homazhin në respekt të kujtimit të viktimave.

Më parë gjatë ditës, kryeministrat Wynne dhe Couillard, i prinë marshimit të solidaritetit të mijëra njerëzve që vërshuan në rrugën Yonge.

“Duhet të tregojmë që rruga është e jona, që lagja është e jona. Duhet tu dëshmojmë familjeve të viktimave që ato nuk janë vetëm në dhimbjen e tyre, që plagët do ti shërojmë sëbashku”, deklaroi një qytetare që jeton fare pranë vendit të ngjarjes tragjike të të henës së kaluar.

Kryeministrja Ontariene, e ka cilësuar manifestimin si një “shprehje e qartë e vullnetit të shoqerisë për të mbështetur familjet, të mbijetuarit, shërbimin policor dhe atë të ndihmës së shpejtë, dhe të gjithë ata që ishin dëshmitarë të ngjarjes. Homologu i saj nga provinca frankofone deklaroi se kish ardhur të sillte mesazhin e miqësisë dhe soladaritetit me qytetarët e Torontos. Julie Payette, Justin Trudeau dhe John Tory gjithashtu morën pjesë në marshim dhe më pas shkuan drejt sheshit Mel-Lastman ku u zhvillua ceremonia e homazhit.

Evenimenti përkujtimor u organizua nga Bashkia dhe dy grupet komunitare Faith in the City dhe Toronto Interfaith Council. Gjatë përshpirtjes, folën 7 persona nga grupe të ndryshme të besimeve fetare, mes të cilëve disa rabinë, një imam dhe një murg budist. Morën pjesë gjithashtu 6 grupe kori dhe nje grup perkusionistësh.

Momenti më emocionues i mbrëmjes ishte kur Eva Goldfinger, një nga rabinët që morën fjalën, lexoi një nga një emrat e 10 viktimave fatkeqe që humbën jetën të hënën.

Lart nga e majta në të djathtë: Anne Marie D'Amico, Dorothy Sewell, Renuka Amarasingha, Munir Najjar, Chul Min (Eddie) Kang.

Poshtë nga e majta në të djathtë: Mary Elizabeth (Betty) Forsyth, Sohe Chung, Andrea Bradden, Geraldine Brady et Ji Hun Kim.  

@FlasShqip.ca

Photo Credit:

Reuters/Fred Thornhill

Radio-Canada/Philippe Leblanc/Philippe de Montigny