Kanada

Toronto – Maratona nis me një minutë heshtje në kujtim të 10 viktimave

  • Published in Kanada

Maratona e Torontos nisi sot në mengjes me një minutë heshtje në nderim të 10 viktimave që humbën jetën tragjikisht gati dy javë më parë gjatë një sulmi me furgon. Vendnisja e aktivitetit ishte pikërisht zona ku ndodhi ngjarja, sheshi Mel-Lastman.

Sipas vendimit të organizatorëve dhe autoriteteve policore të qytetit, Maratona u zhvillua nën masa sigurie të përforcuara. Barriera ishin vendosur në shumë vende publike, përfshi Union Station dhe Qendrën Rogers.

Drejtori i aktivitetit Jay Glassman ka thënë për Radio-Canada se “të gjithë kemi nevojë të shohim përpara duke kujtuar atë qe ndodhi. Ngjarje të tilla nuk mund të na pengojnë të jetojmë të sotmen dhe ky është pikërisht edhe një nga mesazhet që duam të përcjellim sot përmes aktivitetit”.

Gjithsesi, Bashkia Toronto i ka përforcuar masat qysh prej sulmit që pat ndodhur në Maratonën e Bostonit në vitin 2013 dhe sipas një zëdhënësi të Policisë, nuk bëhet fjalë vetëm për masa të dukshme, por edhe për ekipe të specializuara në survejimin e gjithshkaje që mund të mendohet se cënon sigurinë publike.

Burimi: Radio-Canada