Kanada

Zgjerimi i bashkëpunimit ekonomik Shqipëri-Kanada në fokusin diplomatik

  • Published in Kanada
Nga: Alban Tirana

Ditët e fundit, në kryeqytetin e Kanadasë, Ottawa, Ambasadori i Republikës së Shqipërisë, Ermal Muça, është takuar me Sekretaren Parlamentare të Ministrit të Tregëtisë Ndërkombëtare dhe anëtaren e Parlamentit Federal, Pamela Goldsmith-Jones.

Burime pranë Ambasadës, konfirmojnë që fokusi i takimit, përveç diskutimit kuadër mbi marrëdhëniet mes dy vendeve tona, është përqëndruar në zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe plotësimin e kuadrit ligjor të këtij bashkëpunimi.

Temat më konkrete duket se kanë qenë tërheqja e mëtejshme e vëmendjes së sipërmarrësve dhe shtimi i pranisë kanadeze në sektorë strategjikë të ekonomisë, që nga energjia dhe sektori minerar e deri tek zonat ekonomike dhe zonat e zhvillimit proritar. Natyrisht, zgjerimi i bazës juridike në këtë fushë lidhet me nënshkrimin e FIPA (Foreign Investment Promotion and Protection Agreement) që do të evitojë dhe taksimin e dyfishtë. Gjithashtu, sipas të njëjtave burime, gjatë bisedës është eksploruar edhe mundësia e rritjes së numrit të turistëve kanadezë në Shqipëri.

Po si paraqiten aktualisht raportet dypalëshe Kanada-Shqipëri në fushën ekonomike? Sipas të dhënave të muajit shkurt të këtij viti, që mund të konsultohen lehtësisht në Website të Government of Canada dhe që i referohen Statistics Canada, për vitin 2017, Kanadaja ka patur një shifër eksporti mallrash drejt Shqipërisë rreth 24 milionë dollarë, ndërsa importi nga Shqipëria ka arritur shifrën mbi 12 milionë dollarë. Piku i eksporteve kanadeze drejt Shqipërisë ka qenë viti 2014 me një volum rreth 48 milionë dollarë, që u pasua më një rënie më pas në vitet 2015 dhe 2016, përkatësisht 36 milionë dhe 15 milionë dollarë. Duket pra, që viti i fundit ka shënuar një rritje të konsiderueshme krahasuar me paraardhësin që prezanton dhe shifrat më të ulëta.

Historiku i raporteve zyrtare mes dy vendeve nisi më 10 shtator 1987, kur edhe u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike. Natyrisht hapja e Ambasadës shqiptare në Ottawa, në prill 2001, i dha një impuls të ri marrëdhënieve dypalëshe, të cilat u bënë akoma më të afërta nga momenti kur Shqipëria u anëtarësua në NATO.

Prezenca e diasporës shqiptaro-kanadeze të mirëintegruar, është një element fondamental për thellimin dhe forcimin e marrëdhënieve mes dy vendeve. Pavarësisht se në informacionet zyrtare si shifër referuese jepen të dhënat e censusit të vitit 2011, sipas të cilave numri i shqiptaro-kanadezëve është 28 270, kjo shifër sigurisht sot duhet të jetë shumë më e lartë.

Shpresohet që edhe miratimi i Ligjit për Diasporën dhe synimi i Qeverisë shqiptare për të bërë një regjistrim të gjithë shqiptarëve kudo në botë, do të kontribuojë për sigurimin e të dhënave më të plota dhë më të sakta për numrin e përgjithshëm të rezidentëve kanadezë me origjinë shqiptare.

Ndërkohë, nga viti 2001 ka patur edhe këmbim vizitash zyrtare të nivelit të lartë me dy vendeve. Pa llogaritur vizitën në muajin Mars 2018, të Ministrit të Diasporës Pandeli Majko, fokusi prioritar i të cilës ishin kontaktet me komunitetin shqiptaro-kanadez, Kanadanë e kanë vizituar me radhë Ministri i Jashtëm, Paskal Milo (2001), Kryeparlamentarja Topalli dhe Kryeministri Berisha (2007), Zv. Kryeministri Haxhinasto (2012) dhe Ministri aktual i Evropës dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati (2015). Nga pala kanadeze dy vizitat më të rëndësishme kanë qenë ajo e Kryetarit të Senatit, Noel Kinsella dhe ajo e Ministrit të Jashtëm, John Baird (2014).

Në lidhje më fushën e marrëdhenieve ekonomike, që kishte si objekt takimi i sipërpërmendur i Ambasadorit Muça, duket se zhvillimi më i rendësishëm i pritshëm do të jetë nënshkrimi përfundimtar i FIPA (Foreign Investment Promotion and Protection Agreement) por edhe ai i Marrëveshjes në fushën e pensioneve, e cila u raportua se është gati për nënshkrim, pas takimit mes Ministrit të Diasporës Pandeli Majko me Ministrin Kanadez te Emigracionit, Ahmed Hussen, para dy muajsh.

Në se do ti adresohemi sërish analeve të qeverisë kanadeze, të përditësuara më 16 prill të këtij viti ( https://www.international.gc.ca/trade-commerce/trade-agreements-accords-commerciaux/agr-acc/index.aspx?lang=eng ), bisedimet në lidhje më FIPA kanë përfunduar qysh në nëntor 2013. Ndërkohë në vlerësimin e palës kanadeze, “Shqipëria ofron oportunitete të konsiderueshme investimi sidomos në fushën e naftes, gazit dhe atë minerare” Përse kjo marrëveshje nuk është nënshkruar ende, arsyet gjithsesi nuk dihen. Kjo temë sigurisht është cekur në takimin e Ottawa-s nga kreu i Ambasadës shqiptare. Kjo konfirmohet por ti referohemi edhe informacionit përkatës, që citonte "plotësimin e kuadrit ligjor të bashkëpunimit ekonomik".

Në ditët ne vazhdim, FlasShqip do të zhvillojë një intervistë me Ambasadorin shqiptar në Ottawa, Ermal Muça. Tema e bisedës do të jetë gjithpërfshirëse. Kësisoj, publiku i interesuar do të ketë më shumë informacion në lidhje me zhvillimet e pritshme Kanada-Shqipëri, dy vende raportet politike mes të cilave sot, mund të konsiderohen si të shkëlqyera dhe të konsoliduara plotësisht.

Referencat:

http://www.canadainternational.gc.ca/ci-ci/assets/pdfs/fact_sheet-fiche_documentaire/albania-FS-en.pdf  

https://www.international.gc.ca/trade-commerce/trade-agreements-accords-commerciaux/agr-acc/index.aspx?lang=eng