Kanada

Filmi "Virgjëresha Shqiptare" shfaqet në Blue Mountain Film Festival - Nga Edlira Çini

  • Published in Kanada

Edlira Çini - Toronto

"Virgjëresha Shqiptare" ishte titulli i filmit pjesëmarrës në Festivalin e Filmit të Blue Mountain, Ontario, Kanada, për të cilin kisha marrë një ftesë.

Duke qenë e zhgënjyer nga kinematografia shqiptare e viteve të fundit, nuk isha e sigurt se çfarë prisja nga filmi, por padyshim që isha e gatshme t'i jepja një shans pasi bëra disa kërkime dhe u njoha me punën e regjisorit Bujar Alimani.

Bujar Alimani

U mblodhëm me ca miq të dashur dhe nisëm një udhëtim të bukur shoqëruar nga rreze dielli drejt Blue Mountain. Udhëtimi ishte argëtues, shoqëruar me muzikë në kupë të qiellit, kërcime në sedilje dhe të qeshura.

Kur arritëm tek vendi i shfaqjes shpresonim të shihnim një pjesëmarrje më të madhe nga dashamirës të filmave shqiptarë, por megjithë zhgënjimin, i thamë vetes se do të kënaqeshim, sido të ishte. Ne ndiheshim krenarë që Shqipëria po përfaqësohej në festival, pavarësisht se si do ishte filmi. Nuk e morëm me mend surprizën e mrekullueshme që na priste.

Historia zhvillohej në Shqipërinë e viteve 1958-1968, në një kohë kur regjimi diktatorial i Enver Hoxhës dhe kodet zakonore kishin kontroll të plotë mbi jetën e njerëzve. Filmi nisi me dy fëmijë të vegjël që bien në dashuri, në një fshat në Veri të Shqipërisë. Skenat e para na vunë në siklet, jo për vete, por ishim të shqetësuar për perceptimin e shikuesve jo shqiptarë. Por sikleti nuk zgjati shumë.

Nëse ju që po lexoni do të ishit në sallë njëlloj si mua, jam e bindur se gjatë gjithë filmit, valë emocionesh do të rrëmbenin shpirtin tuaj. Luana (Rina Krasniqi), një vajzë me vullnet të fortë dhe rebele, dhuron një interpretim të jashtëzakonshëm në rolin e saj kryesor, ndërsa detyrohet të shndërrohet nga një vajzë e bukur e dashuruar, në një “Burrneshë”, në burrin e shtëpisë, për të nderuar gjakmarrjen.

Filmi synonte të shfaqte qartë forcën, qëndrueshmërinë dhe krenarinë e gruas shqiptare. Tregoi se gratë mund të luftojnë po aq fort sa edhe të dashurojnë. Dhe ndërsa lulet lulëzojnë në shkëmbinj, gratë do të gjejnë mënyra për t'i mbijetuar çdo mjedisi armiqësor dhe për t'i thyer shkëmbinjtë nga brenda duke i futur rrënjët e tyre më thellë.

Si shikues, të rritur në atë mjedis, ne të gjithë u lidhëm me historinë në mënyra të ndryshme. Ne qamë dhe ndjemë dhimbjen e Luanës dhe buzëqeshëm kur filmi shpalosi një të ardhme më të mirë dhe premtuese.

Duartrokitjet e publikut dhe më pas bashkëbisedimi me regjisorin Bujar Alimani dhe producenten Tefta Bejko, na lanë të kuptojmë se historia u prit mirë nga të gjithë.

Pas disa fotove dhe më shumë diskutimeve, u larguam nga salla me kokën lart dhe me shpresën për të parë shumë më tepër shfaqje të tilla dhe padyshim me pjesëmarrje më të lartë.

©Edlira Çini