Kanada

Zgjedhjet në Ontario-Zhvillohet debati i parë televiziv i shefave

  • Published in Kanada

Kryesuesi i sondazheve, lideri konservator Doug Ford, ka qenë mbrëmë shënjestra e sulmit gjatë debatit të parë televiziv midis shefave të 3 partive kryesore, zhvilluar vetëm 48 orë nga nisja zyrtare e fushatës për zgjedhjet provinciale të 7 qershorit.

Liberalja Wynne dhe Neo-Demokratja Horwat, tentuan të dyja të mësonin nga Ford se cilat do të jenë shërbimet që do të pësojnë reduktime në rast se ai fiton zgjedhjet. Kryeministrja aktuale e shigjetoi drejtpërdrejt Ford kur u shpreh se “vënja në rrezik e shumë vendeve të punës që mund të shkurtohen ka vetëm një synim: krijimin e lehtësirave fiskale për më të pasurit”. Por Ford nga ana e tij e ka mohuar një gjë të tillë duke deklaruar që askush nuk do të humbasë vendin e punës, ndërsa ka pohuar që synimi i tij është të gjejë mundësitë për të ekonomizuar më mirë buxhetin provincial.

Në fillim të debatit, shefi i Konservatorëve ka ruajtur një pozicion të tërhequr dhe në ndërhyrjet e tij është fokusuar vetëm në bilancin e Kathleen Wynne, duke e akuzuar atë se ka shpërdoruar paratë e taksapaguesve. Kjo e fundit ka tentuar sigurisht të mbrojë rezultatet e saj qeverisëse.

Gjithsesi, sipas opinioneve të analisteve, ndryshe nga mendimi i partive, në debatin e parë nuk mund të flitet për fitues. Debati ka kristalizuar akoma më shumë dinamikën e dy javëve të fundit, sipas të cilës Ford dhe Wynne vazhdojnë të akuzojnë njeri-tjetrin në çdo drejtim, ndërsa Andrea Horwath tenton të distancohet nga përplasja e tyre duke deklaruar se propozimet e saj janë zgjedhja e duhur për Ontarion. “Nuk keni pse zgjidhni mes opsionit të keq dhe opsionit më të keq” – ka konkluduar shefja Neo-Demokrate në fund të debatit duke përcjellë kësisoj mesazhin e alternativës së tretë te qytetarët.

Ndërkohë, debati i dytë, me tematikë sfidat e Veriut të provincës, do të zhvillohet të premten në Parry Sound. Ndërsa debati i tretë dhe i fundit, është parashikuar të mbahet në Toronto më 27 maj.

Burimi: Radio-Canada

Photo credit: La Presse Canadienne/Frank Gunn