Kanada

Komedia muzikore Violina mbi çati sjell Tringa Rexhepin në skenën e Festivalit të Teatrit në Port Hope

  • Published in Kanada

Ontario - Nga data 29 maj deri më 24 qershor, në qytetin Port Hope buzë liqenit Ontario, rreth 110 km në lindje të Torontos, do të zhvillohet Festivali i Teatrit për sezonin 2018.

Një nga shfaqjet e afishuara në program do të jetë Komedia Muzikore mjaft e njohur “Violina mbi çati”, kompozuar nga Jerry Bock, me vargje të Sheldon Harnick dhe libret të Joseph Stein.

Komedia në fjalë, e shfaqur për herë të parë në Brodway më 22 shtator 1964, e ka zanafillën tek një cikël historish të titulluar “Tevi dhe vajzat e tij”, shkruar në periudhën 1894-1914, nga autori hebre Sholem Alecheim.

Melodrama “Violina mbi çati”, zhanër i performancës teatrale që kombinon këngët, dialogjet, aktrimin dhe vallëzimin, është unike në llojin e vet. Ajo sjell historinë e një dashurie të ndaluar dhe peripecitë e familjes së një tregëtari hebre qumështi, familje e cila jetonte në Rusinë e periudhës që përkon me Revolucionin që përmbysi Perandorinë e Romanovëve. Ngjarjet zhvillohen në qytetin e vogël Anatevka të Ukrainës.

E veçanta në sezonin e sivjetshëm të Festivalit të Teatrit në Port Hope është prezenca e aktores dhe këngëtares së njohur shqiptaro-kanadeze plot talent, Tringa Rexhepi. Tringa, vajza e dy artistëve me origjinë nga Kosova, Bedrije dhe Zeqirja Rexhepi, ka një curriculum tejet të pasur pjesëmarrjesh në shfaqje teatrale apo festivale teatrale (Montreal, Toronto, Halifax, New Foundland), TV show, filma dokumentarë apo artistikë.

Producenti dhe drejtori i spektaklit Antonio Sarmiento, i ka besuar këtë radhë Tringës një prej roleve kryesore, pikërisht rolin e Hodel, vajzës se dytë 17 vjeçare të Tevit. Personazhi që ajo do të interpretojë, është një vajzë inteligjente dhe spirituale, e cila për hir të dashurisë shkon deri në Siberi për tu bashkuar me Perchik, të zgjedhurin e zemrës.

Me koreografi të Stephen Findlay dhe regji e drejtim muzikor të Scott Pietrangelo, “Violina mbi çati” do të shfaqet për publikun në skenën e Capitol Theatre në Port Hope, godinë e ndërtuar më 1930 dhe e shpallur National Historic Site.

@FlasShqip.ca