Kanada

Qeveria Trudeau shtyn premtimin për t’i ofruar 200 ushtarë paqeruajtës OKB

  • Published in Kanada

Qeveria Liberale e Kanadasë e ka shtyrë edhe për një vit premtimin e saj për të dhënë një kontribut më të madh paqeruajtës në botë, siç ishte angazhuar para OKB pesë vjet më parë. Kryeministri Justin Trudeau pat qenë zotuar të ofronte një forcë të reagimit të shpejtë prej 200 ushtarësh kanadezë për Kombet e Bashkuara, në një samit të madh paqeruajtës që u zhvillua në Vancouver në vitin 2017.

Qeveria federale deklaroi më pas se kjo njësi, e cila synon t'u përgjigjet emergjencave gjatë misioneve paqeruajtëse, do të krijohej jo më vonë se pesë vjet nga ai moment. Megjithatë, Departamenti i Mbrojtjes Kombëtare (Ministria e Mbrojtjes) ka njoftuar para dy ditësh së është marrë vendimi që krijimi i kësaj force të shtyhet edhe për një vit. Qeveria nuk ka dhënë asnjë shpjegim për vendimin e saj, në një kohë që OKB ka pohuar pandërprerë se ka një nevojë të vazhdueshme për njësi të tilla. Forcat paqeruajtëse të OKB pëendryshe njihen edhe me emrin “Kaskat blu”.

Ndërkohë kujtojmë që qeveria Trudeau ka dështuar vitet e fundit në objektivin e saj që synonte një vend për Kanadanë si anëtar jo i përhershëm në Këshillin e Sigurimit të OKB.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Getty Images/Seyllou; AFP via Getty Immages/Mahmoud Zayyat

*Në foton kryesore një ushtar kanadez që përgatitet për një mison me helikopter në Mali.