Një proshutë, një votë: 1792, zgjedhjet e para në Québec - Nga Catherine Lachaussée
- Published in Kanada
Catherine Lachaussée, Radio-Canada
Ky artikull është një version i pasuruar i një teksti të botuar në vitin 2019.
Të votosh me zë të lartë? Të të ofrohet një proshutë në këmbim të votës? Atmosferë feste? Entuziazëm masiv? Nëse do mund të ktheheshin pas në kohë në vitin 1792, kur Québec duhej të zgjidhte deputetët e tij për herë të parë, votuesit e sotshëm sigurisht do të çuditeshin fort.
Në fakt Québec e kishte pritur këtë moment për një kohë të gjatë, ashtu si dhe Ontario, ku gjithashtu u votua për herë të parë atë vit. Kanadaja e Poshtme dhe Kanadaja e Epërme, siç quheshin atëherë dy provincat, po ndiqnin shembullin e Nova Scotia, ku Asambleja Legjislative ishte zgjedhur qysh më 1758. Pas Nova Scotia e njëjta gjë ndodhi dhe në Prince Edward Island dhe New Brunswick.

Një hartë e Kanadasë nga “Një Atlas i Ri i Përgjithshëm” i Anthony Finley, 1824.
Do duhej më pas miratimi i Aktit Kushtetues, në 1791, që t’i hapej rrugë aplikimit të parlamentarizmit britanik në të gjithë vendin dhe organizimit të zgjedhjeve të para në Québec. Miratimi i Kushtetutës u festua me entuziazëm të madh, si nga frankofonët, ashtu edhe nga anglofonët e Québec City. Elita frankofone organizoi një banket festiv në Merchant's Coffee House, ku ndodhet sot Maison Chevalier, ndërsa anglofonët u mblodhën për të rrëkëllyer gota në tavernën e John Franks në Côte de la Montagne, pranë ish-Zyrës së Postës, aty ku ndodhet sot ndërtesa Louis S. St-Laurent.

Taverna Franks ishte në majë të Côte de la Montagne, në godinën në të djathtë, në vendin e ish-Hôtel des Postes dhe shkallëve Baillairgé (foto: BANQ/Louis-Prudent Vallée/1865).
-Drejt botës së lirë
Zgjedhjet e planifikuara gjatë vitit 1792, nxitën një atmosferë të vërtetë optimizmi. Votuesit e kohës nuk hezituan t'i përshëndesin ato si hyrjen tonë në botën e lirë. Me sa duket, kryeqyteti kishte tashmë një numër të konsiderueshëm të pasionuarish pas politikës, të organizuar dhe të etur për t'u afirmuar në këtë arenë të re parlamentare.
Një nga këta grupe, i quajtur Klubi Kushtetues, mblidhte rregullisht rreth 150 vetë në tavernën e John Franks. Asambleja e entuziastëve debatonte rregullisht gjatë muajve para zgjedhjeve dhe çdo takim përfundonte me konsumimin e një litri birrë nga secili pjesëmarës.
-Libri i parë komik në botën frankofone?
Në zgjedhjet e para, në Québec do votohej për të zgjedhur 50 deputetë dhe më e pakta që mund të thuhet është që mënyrat për të tërhequr vëmendjen e votuesve nuk kanë ndryshuar dhe aq shumë qysh atëherë. Kandidatët i shpallën premtimet nëpër gazeta dhe nisën të përdorin dhe postera që binin në sy kudo nëpër rrugë. Një prej këtyre posterave, i sponsorizuar nga një grup tregtarësh nga Québec city duket se ka qenë krejt i veçantë.

I porositur nga tregtarët Mathew dhe John MacNider për të mbështetur kandidaturën e William Grant, ky poster mund të jetë vepër e John George Hochstetter, ilustrues për disa gazeta të Quebéc (Biblioteka e Universitetit McGill).
Ndoshta të frymëzuar nga karikaturistët britanikë, të cilët në atë epokë vizatonin personazhe dhe në karikaturë vendosnin dhe tekst, për të promovuar kandidaturën e tyre ata vendosën të printonin një poster në formën e një libri komik. Kundërshtarët e tyre kryesorë të sulmuar në poster janë një grup avokatësh të qytetit. “Tregtarët kontribuojnë në prosperitetin e të gjithëve, ndërsa avokatët ndajnë familjet”, lexohej aty.
Fushata me këtë poster duket se ia arriti qëllimit. Shumë tregtarë u zgjodhën deputetë në Québec, por megjithatë ishte një avokat, Jean-Antoine Panet, i cili do të kishte nderin të bëhej kryetari i parë i Asamblesë Legjislative të Kanadasë së Poshtme.
Posterat e famshëm të tregtarëve, të cilët u printuan në 150 kopje, sot pothuajse janë zhdukur të gjithë. Për fat të mirë, ekziston vetëm një kopje e fundit, e ruajtur me kujdes në bibliotekën e Universitetit McGill.
Sipas historianit të Bibliotekës së Asamblesë Kombëtare të Québec, Christian Blais, vlera e tij është e jashtëzakonshme, pasi mund të konsiderohet si libri i parë komik në gjuhën franceze i botuar në gjithë botën.
-Një votë që nuk ka lidhje me fshehtësinë
Ndoshta një nga aspektet më të çuditshëm të zgjedhjeve të para në Québec ishte forma e tyre publike. Në 1792, u votua me zë të lartë dhe askujt nuk i shkonte ndërmend se duhej të fshihej për të votuar.
“Kur votuesit apo kandidatët ishin të paktë, ndodhte që të votohej thjesht me ngritjen e dorës. Votimi publik ishte traditë e parlamentarizmin britanik që u importua këtu, ndaj dhe nuk mund të imagjinohej që të votohej ndryshe në atë kohë”, tregon historiani Christian Blais.

Tregu i pjesës së epërme të qytetit, përballë Bazilikës së Québec city, në qershor 1829 (Biblioteka dhe Arkivi i Kanadasë/James Cocburn/1829).
Në shumicën e rasteve, vendvotimi ishte një platformë prej druri të zakonshëm e vendosur në një shesh të frekuentuar, në rastin më të mirë përpara një kishe. Mjaftonte të përmendje kandidatin që preferoje përpara zyrtarit përgjegjës për mbajtjen e regjistrit. Regjistri nuk ishte aspak sekret dhe autoritetet koloniale i kishin të gjitha mundësitë për ta verifikuar më pas. Duhej të vinte viti 1875 që në Quebéc më në fund të institucionalizohej vota e fshehtë.
-Zgjedhje të koklavitura dhe problematike
Një tjetër veçori e zgjedhjeve të para ishte që votimi vazhdoi me javë të tëra sepse nuk u dekretuan njëkohësisht në të gjitha zonat elektorale. Kësisoj kjo i zgjidhte punë një kandidati të mundur në një zonë dhe i jepte mundësinë të provonte fatin në një zonë tjetër.
Përveç kësaj, në çdo zone kishte vetëm një qendër votimi. Duke qenë se distancat ishin shpesh të konsiderueshme dhe udhët e mbushura me pengesa, vendndodhja e tyre mund të luante një rol strategjik në zgjedhjen e një kandidati në raport një tjetër. Një mundësi më shumë nga e cila përfitonin organizatorët manipulatorë.
Dhe më në fund, qendrat e votimit qëndronin hapur për sa kohë që votuesit paraqiteshin aty. Nëse askush nuk paraqitej për të votuar gjatë një ore, mund të vendosej mbyllja e votimit, një strategji e mire kjo për ata që donin të reduktonin votat kundër.

Përgjithësisht votohej në një shesh publik, përballë një kishe (Kisha dhe tregu në pjesën e poshtme të qytetit rreth vitit 1831, tablo e James Patisson Cocburn, koleksion i Muzeut të Qytetërimeve).
Me rregulla të tilla, kuptohet se zgjedhjet tona të para ofronin mundësi të shumta për kandidatët që ishin të gatshëm edhe të manipulonin për të fituar me çdo kusht. Rekrutimi i banditëve për të frikësuar votuesit ishte praktikë e zakonshme. Mbyllja e një qendre votimi sapo një kandidat rezultonte të ishte përpara, apo edhe pagesa e zyrtarit-raportues për të manipuluar regjistrin ishte lehtësisht e realizueshme.
Në Angli, në atë epokë, ekzistonin dhe "zonat e korruptuara", kujton Christian Blais, zona me pak votues që ishin të lehtë për t'u bindur, gjë që i mundësonte lordit përkatës të dërgonte si përfaqësues në Dhomën e Komunave kandidatin e vet të preferuar. “Korrupsioni ishte i natyrshëm në atë sistem. Ditën e votimit alkooli derdhej lumë. Kundrejt një vote premtohej një vend pune, vakte ushqimi apo verë, madje edhe proshutë”, shton ai
Québec pra nuk mbeti pas në këtë drejtim në raport me Anglinë. Në Charlesburg, votimi u shndërrua në një lojë macja me miun mes kundësrshtarëve. Qendra e votimit u bë rrëmujë nga simpatizantët e njerës palë, gjë që pengoi rreth gjashtëdhjetë zgjedhës të votonin. Kandidati i mundur, Berthelot D'Artigny, i indinjuar nga fakti që pa qytetarë që morën para në këmbim të votës së tyre, publikoi një artikull për ta denoncuar ngjarjen.
Gjithsesi, sipas Christian Blais, Charlesburgu mbetet përjashtim. Në vitin 1792, ishte e vetmja zonë ku atmosfera nuk ishte festive.
-Deputetë vullnetarë
Të paguhesh për të qenë deputet? Nuk ka qenë gjithmonë kështu A mund ta besoni se të zgjedhurit tanë në vitin 1792 nuk merrnin asnjë rrogë apo kompensim?
Për ata që vinin nga larg, qëndrimi në Québec për disa muaj kushtonte. Disa kishin mundësi të strehoeshin tek të afërmit, ndërsa të tjerë, me më pak fat, duhej të flinin e ushqeheshin me shpenzimet e tyre në bujtina ose hotele. “Në zgjedhjet e para të qënit deputet ishte si donacion personal, ndaj dhe një pjesë nuk kandidonin fare, pasi kishin kuptuar që kjo do t’u kushtonte shtrenjtë”, pohon Christian Blais.
Në atë kohë, udhëtimi nga Montréal-i në Québec zgjaste dy ditë, me një natë ndalesë në Trois-Rivières, ndërsa deputetit që vinte nga Gaspé udhëtimi me anije i zgjaste 10 ditë. Ligjvënësve iu desh të prisnin deri në vitin 1833, përpara se të aprovohej e drejta për të marrë një kompensim për mulimin e shpenzimeve të tyre.

Parlamenti i parë i Québec City u ndërtua në Montmorency Park, në majë të Côte de la Montagne. Pas bashkimit të Kanadasë së Epërme dhe të Poshtme, deputetët do të ushtrojnë aktivitetin edhe në Kingston, Montréal dhe Toronto, duke alternuar edhe me Québec (foto: BANQ).
-Deputetë me pushtet shumë të kufizuar
Megjithëse zgjedhjet e 1792 u konsideruan si një progres i madh demokratik, pushteti i popullit mbeti i kufizuar në atë kohë, po ashtu edhe ai i deputetëve.
Buxhetet e kolonisë vazhdonin të menaxhoheshin nga qeveria britanike dhe gjithçka vendosej në Londër. Deputetët ishin ligjvënës formalë, që në fakt nuk kishin asnjë kontroll mbi punët e shtetit kolonial.
Në 1792, pushteti i vërtetë ishte në duart e ministrave, të cilët në pjesën më të madhe vepronin në Londër. Ata rrallë ishin persona të zgjedhur dhe në më të shumtën e rasteve emëroheshin nga Monarkia.
“Ndarja e pushtetit me qytetarët ishte një burim shqetësimi për elitat, gjë që shpjegon pse në fillim u vendosën aq shumë kufizime për të drejtën e votës. Për ta ushtruar atë, duhej të ishe 21 vjeç dhe të ishe shtetas britanik nga lindja ose birësimi. Duhet të ishe edhe pronar, një rregull që favorizonte koloninë. Në Angli, këto rregulla i jepnin të drejtën e votës vetëm 5% të popullsisë, ndërsa në Québec, ku pronarët ishin më të shumtë, kjo shifër ishte rreth 15%, çka për kohën ishte një progres i konsiderueshëm demokratik”, shpjegon historiani Christian Blais.

Jean-Antoine Panet, Kryetari i parë i Asamblesë Legjislative (foto: BANQ/Historia e franko-kanadezëve, 1608-1880).
Me kalimin e kohës, zhgënjimet e shkaktuara nga kjo formë e parë e qeverisjes do nxisnin rebelimin e Patriotëve dhe më pas vendosjen e një sistemi të ri. Qysh nga viti 1867, janë deputetë në nivel provincial dhe federal ata që aprovojnë ligjet dhe buxhetin. “Nëse analizojmë evolucionin e institucioneve tona parlamentare që nga koha e Regjimit të vjetër e deri më sot, sigurisht që mund të flitet për një sistem që është përmirësuar ndjeshëm”, konkludon Christian Blais.
Burimi dhe fotot: Radio-Canada/Biblioteka dhe Arkivi Kombëtar i Québec (BANQ)
https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/1309948/premieres-elections-quebec-histoire
E shqipëroi Flasshqip.ca
*Catherine Lachaussée është gazetare e specializuar në fushën e historisë së Québec












