Kanada

Zgjedhjet në Québec: François Legault rikonfirmohet në pushtet edhe për 4 vitet e ardhshme

  • Published in Kanada

Ashtu siç pritej, Koalicioni Avenir Québec (CAQ) ka fituar dje (03.10) zgjedhjet provinciale në provincën frankofone të Kanadasë, Québec. Partia e kryeministrit François Legault, e cila pat fituar edhe zgjedhjet e 2018, arriti të marrë një mandat të dytë radhazi. Nga ana e saj, Partia Liberale e Québec (PLQ) do jetë sërish opozita zyrtare. Kjo është hera e parë në Québec, që nga viti 2008, që një parti politike fiton dy zgjedhje të përgjithshme radhazi dhe është gjithashtu hera e parë që nga viti 1998, që zgjedhësit në Québec i japin të njëjtës parti dy mandate të njëpasnjëshme.

Sipas projeksioneve deri pas mesnatës, partia e kryeministrit Legault, CAQ, pritet të ketë 90 deputetë (nga 76 në vitin 2018) në një Parlament që ka gjithsej 125 vende. Për CAQ kanë votuar rreth 41% e atyre që ushtruan të drejtën e votës. Partia Liberale me rreth 14,4% të votave pritet të ketë 21 deputetë, nga 31 që kishte në mandatin e kaluar. Québec Solidaire, me rreth 15,4% të votave 11 deputetë, një më shumë se sa në legjislaturën e mëparshme. Partia Indipendentiste (Parti Québecois) me rreth 14,6% të votave 3 deputetë nga 10 që kishte në mbyllje të legjislaturës, ndërsa Partia Konservatore, edhe pse ka marrë rreth 13% të votave, nuk ka arritur të ketë qoftë edhe një deputet të zgjedhur.

Nga liderët e partive, përveç kryeministrit Legault që u rizgjodh në zonën e tij L’Assomption, janë rizgjedhur edhe Dominique Anglade e Liberalëve dhe Gabriel Nadeau-Dubois i Québec Solidaire. Për herë të parë hyn në Parlament dhe shefi i Partisë Indipendentiste (PQ), Paul Saint-Pierre Plamondon, që e mori drejtimin e kësaj partie gjatë periudhës së pandemisë, më tetor 2020, pa qenë i angazhuar më parë drejpërdrejt në politikë. I vetmi nga liderët që nuk ka arritur të zgjidhet ishte Éric Duhaime i Partisë Konservatore.

Në këto zgjedhje ishin regjistruar gjithsej 6 301.113 zgjedhës dhe në garë morën pjesë rreth 880 kandidatë. Pjesëmarrja ka qenë rreth 66,1%, pak më e ulët se ajo e vitit 2018 (66.45%).

Këto zgjedhje shënojnë dhe numrin më të lartë të deputeteve femra të zgjedhura në historinë e provincës, gjithsej 58. Po kështu, për herë të parë një femër autoktone zgjidhet deputete në Québec. Ajo quhet Kateri Champagne Jourdain dhe kandidoi në emër të Koalicionit Avenir Québec.

Përveç liderëve të opozitës që e uruan me telefon dhe publikisht për fitoren kryeministrin François Legault, të parët nga jashtë provincës që e uruan atë për rizgjedhjen ishin dhe kryministri i Kanadasë Justin Trudeau dhe kryministri i Ontario-s Doug Ford.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: Radio-Canada/Ivanoh Demers, The Canadian Press/Jacques Boissinot