Kryeministri Trudeau uron kryeministren e re italiane Giorgia Meloni
- Published in Kanada

Përmes një deklaratë të publikuar nga Zyra e tij, kryeministri kanadez Justin Trudeau ka uruar dje (22.10.) kryeministren e re të Italisë, Giorgia Meloni, për marrjen e detyrës dhe formimin e kabinetit të ri.
“Në emër të Qeverisë së Kanadasë, përgëzoj Giorgia Meloni-n për emërimin e saj si kryeministre e Italisë pas zgjedhjeve të 25 shtatorit 2022, çka e bën atë gruan e parë që mban këtë post në Itali”, është shprehur Trudeau.
Sipas deklaratës, Kanadaja dhe Italia kanë marrëdhënie të afërta, të bazuara në interesat e përbashkëta dhe lidhjet dinamike mes dy popujve. Aktualisht, rreth 1.6 milionë qytetarë me origjinë italiane jetojnë në Kanada, një nga diasporat më të mëdha në botë, e cila ka kontribuar jashtëzakonisht në diversitetin dhe prosperitetin e Kanadasë. Gjithashtu, sivjet mbushen 75 vjet nga vendosja e marrëdhënieve dypalëshe midis Kanadasë dhe Italisë. Dy vendet janë partnerë në skenën botërore, veçanërisht brenda G7, G20 dhe NATO.
“Mezi pres të punoj me kryeministren Meloni për të konsoliduar më tej marrëdhëniet mes dy vendeve tona dhe për të realizuar progres të mëtejshëm në fusha të rëndësishme për kanadezët dhe italianët. Ne do t’i përballojmë kërcënimet dhe sfidat transatlantike të sigurisë, do të mbështesim Ukrainën dhe do ta detyrojmë Rusinë t'i japë fund pushtimit të saj të paligjshëm dhe të pajustifikuar, do të promovojmë tranzicionin e energjisë së pastër, do të mbështesim të drejtat e njeriut dhe demokracinë. Së bashku, ne do të mbështesim gjithashtu një rimëkëmbje të fortë ekonomike duke krijuar vende pune dhe mundësi të mira për qytetarët tanë në të dy anët e Atlantikut, duke përfshirë edhe Marrëveshjen Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare midis Kanadasë dhe Bashkimit Evropian”, përfundon deklarata e kryministrit kanadez, i cili gjithashtu ka falenderuar për bashkëpunimin paraardhësin e Melonit, Mario Draghi, të cilin e ka vlerësuar si mik të Kanadasë.
Burimi: The Prime Minister of Canada Office