Kanada

Fillimet e Arbër Xhekajt në National Hockey League, sipas ish-bosëve të tij

  • Published in Kanada

Përmbledhje e artikullit të Alexandre Gascon në Radio-Canada Sports kushtuar Arbër Xhekajt, përgatitur nga Flasshqip.

Arbër Xhekaj ka luajtur deri tani 10 ndeshje në National Hockey League. Ai di t’i bëjë njerëzit për vete, di të bëjë miq dhe di t'i mbajë ata, gjë që po e dëshmojnë dhe tifozët e Montrealit. Në një formë tjetër, Xhekaj ka bërë të njëjtën gjë kur luante për Kitchener në Ontario Hockey League, pohon Mike McKenzie, ish-Menaxheri i tij i përgjithshëm me Kitchener Rangers.

McKenzie e konsideron atë një “legjendë” për Kitchener, ku fansat e kujtojne ende me mall të mbiquajturin “Sherifi” (Sheriff), një nofkë që ia pat vënë një komentator lokal dhe që vetë Xhekaj dëshmon në një lloj kuptimi se e pëlqen, kur shfaqet herë pas here me kapelen e tij prej cow-boy.

Legjenda duket se po fillon të shkruajë një tjetër legjendë në Montréal me përplasjet e tij të furishme, qëndrimin e tij rebel, kontrollet e tij të rrepta ndaj kundërshtarëve, temperamentin e tij luftarak, me pak fjalë, për shkak të këtij vetbesimi që ai nuk po kursehet ta dëshmojë.

Debutimi mbresëlënës në NHL i një fillestari 21-vjeçar, i injoruar gjatë katër përzgjedhjeve radhazi, është më shumë se befasues për ata që nuk e njohin…

Por Fakti që Xhekaj shkoi direkt nga OHL në NHL nuk është befasi për ish-bosët e tij, të paktën për ata me të cilët komunikova për këtë artikull. Qoftë McKenzie apo Jay McKee (trajneri i Xhekajt në dy sezonet e tij të parë në Kitchener, që e ktheu atë tek Hamilton Bulldogs vitin e kaluar, para vajtjes deri në finalen e Memorial Cup) bien dakord në një pikë: lojtarët e kalibrit të tij po pakësohen, por po bëhën gjithnjë e më të famshëm.

McKee, i cili e do shumë ish-lojtarin e tij - po të isha në moshën e tij, ai do të ishte një miku im i mirë, e pamundur të mos e dua - i hipi makinës më 27 tetor dhe shkoi në Buffalo, për të pare ndeshjen Canadiens kundër Sabres (ai ka qenë vetë mbrojtës me Sabres të Buffalo).

Historia e mbrojtësit të Canadiens të Montréal është përmendur shumë herë gjatë muajve të fundit. Si e tërhoqi Xhekaj, ky djalosh trupmadh, vëmendjen e Matt Turek, i angazhuar nga ekipi i Montréal për të zbuluar kandidatë të mundshëm? Me origjinë nga Hamilton, si Xhekaj, Turek, tashmë Menaxher i përgjithshëm i Bulldogs, frekuentonte të njëjtat pista akulli, ku Xhekaj stërvitej me aq sa kishte mundësi gjatë pandemisë, midis dy turneve të punës në Costco.

Turek informoi punëdhënësin e tij, Montréal i bëri një ftesë Xhekajt në kampin stërvitor në vitin 2021 dhe Xhekaj u kthye në shtëpi me një kontratë në xhep.

Me gjithë pengesat, apo punët që bënte ndërkohë gjatë 2020-2021, Xhekaj nuk e humbi kurrë besimin te ëndrra e tij.

Mospërfillja në dukje arrogante ndaj vështirësive është ajo që e ngjiti lart Xhekajn, sipas McKenzie dhe McKee. “Kjo është një nga arsyet pse ai është kaq i suksesshëm. Ai ka një personalitet unik. Ai gjithmonë besonte në vetvete. Shumica e të rinjve janë kaq të shqetësuar për performancën e tyre ose çfarë mendojnë trajnerët për ta, ose çfarë mendojnë prindërit e tyre. Kjo i paralizon, e kanë të vështirë të luajnë. Ai është pikërisht e kundërta e kësaj. Ai thjesht luan, ai ka besim. Ai bën gabime, ecën përpara dhe nuk i bën më. Ai ka stil”, shton Drejtori i Përgjithshëm i Rangers.

Përpara se një i ri të futet në “gojën e ujkut”, atë të hokejit profesionist, McKee në përgjithësi e këshillon atë të rezervohet. Ai i sugjeron që të përshtatet me shpejtësinë, me forcën e kundërshtarëve, me të gjitha ndryshimet. “Luaj hokej të pastër. Kur të ndihesh pak më i sigurt, jep pak më shumë”, shpjegon ai. Ndërsa këshillat për Xhekajn ishin ndryshe. “Ji vetvetja”. “Dhe kjo është ajo që bëri ai”, shton McKee.

Jay McKee dhe Arbër Xhekaj

Me ulje-ngritjet e tij, çka është normale, tashmë pas 10 ndeshjesh, me një kohë mesatare loje prej 15 minutash, duke u bërë i njohur në gjithë NHL, ai ka shënuar 1 gol dhe ka dhënë 2 asistime, ka një diferencial +1 (parametri që vlerëson impaktin e lojtarit në përformancën e ekipit) dhe ka marrë 25 minuta dënime, që e rendisin atë në vendin e 15-të në NHL.

Edhe nëse kthimet e mundshme të Joel Edmundson dhe Mike Matheson mund ta dërgojnë Xhekajn në Laval për një farë kohe, kartëvizita e tij tashmë ka një vend të dukshëm mbi tavolinën e Kent Hughes, Menaxherit të përgjithshëm të Canadiens Montréal.

“Ai ishte ndoshta lojtari me ndikim më të madh në të gjithë Ligën Kanadeze vitin e kaluar për sa i përket pranisë së tij, fizikut të tij, por edhe cilësisë së lojës së tij. Nuk jam i befasuar që ai arriti kaq shpejt këtu ku është”, përfundon McKee.

Burimi: Radio-Canada

Fotot: Reuters /Eric Bolte/David Kirouac; Minas Panagiotakis/Getty Images;