Kanada

Poetja nga Montréal Denise Desautels fituese e Çmimit Apollinaire 2022

  • Published in Kanada

Denise Desautels ka shkruar dje (07.11.) një faqe historie në Paris. Ajo është gruaja e parë nga Québec që fiton Çmimin Apollinaire, i konsideruar si "Goncourt i poezisë".

Poetja nga Montréal u përzgjodh fituese nga juria për vëllimin poetik Disparaître: autour de 11 œuvres de Sylvie Cotton (“Të zhdukesh : rreth 11 veprave nga Sylvie Cotton”), botuar nga Shtëpia Botuese Noroît në Québec.

Para saj, vetëm një poet nga provinca frankofone e Kanadasë e ka fituar këtë çmim prestigjioz, pikërisht Gaston Miron, në vitin 1981, për vëllimin e tij të famshëm poetik L'homme rapaillé (“Njeriu i arnuar”).

Denise Desautels është një figurë e njohur në rrethet letrare të Québec. Ajo ka botuar rreth tridhjetë vepra që nga vitet 1970. Nga 1996 deri në 2002 ajo ka qenë edhe zëvendëspresidente e Académie des Lettres du Québec.

E vlerësuar disa herë gjatë karrierës së saj, veçanërisht me çmimin Athanase David në 2009, ajo gjithashtu qysh nga viti 2021, është krijuesja e dytë nga Québec që ka hyrë në koleksionin e Poezisë të Shtëpisë Botuese Gallimard, pas Gaston Miron në 1999.

Përmbledhjet e saj L’angle noir de la joie (“Këndi i errët i gëzimit”) dhe D’où surgit parfois un bras d’horizon (“Atje nga ndonjëherë lind një krah i horizontit”) u botuan nga Gallimard shkurtin e kaluar.

Ҫmimi ​​Apollinaire, i krijuar në vitin 1941, shpërblen vëllimet më të mira të poezisë me kritere kryesore “origjinalitetin dhe modernitetin”. Çmimi jepet çdo vit gjatë një ceremonie në kafenenë e famshme Les Deux Magots në Paris.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Foto: La Presse/Robert Skinner