Fady Dagher - Një imigrant në krye të policisë së Montrealit
- Published in Kanada
Sot (24.11.) në metropolin frankofon kanadez, Montreal, është bërë publik emri i kreut të ri të Shërbimit Policor të Bashkisë, post që kishte mbetur vakant qysh nga 22 prilli i kaluar, pas dorëheqjes së Sylvain Caron. Pas një procesi të gjatë konsultimi më shumë aktorë të interesuar, përfshi ata komunitarë, pasardhësi i Caron është përzgjedhur Fady Dagher, i cili prej vitit 2017 kryen funksionin e shefit të Policisë të Aglomeracionit Longueuil (bregu jugor i Montrealit).
Dagher, i cili u prezantua sot zyrtarisht nga kryetarja e Bashkisë Valérie Plante, deklaroi se dëshira dhe vizioni i tij është që policia të punojë me “përulësi dhe modesti” në shërbim të qytetarëve. I konsideruar nga ekspertët, civilë dhe policorë, si shefi më avangardist dhe më reformator i policisë në provincën e Québec, Fady Dagher pritet ta marrë detyrën e re në janar. Emërimi i tij duhet fillimisht të ratifikohet në Këshillin Bashkiak e më pas të miratohet nga qeveria e François Legault.
Përpara Komisionit të Sigurisë Publike të Montrealit dhe më pas në konferencë shtypi në krah të Valérie Plante, Fady Dagher pohoi se “policia duhet të punojë gjithmonë më synimin e parandalimit dhe gjetjes së zgjidhjeve përpara se të ndodhin kriza”. Ajo duhet të jetë më gjithëpërfshirëse, të kuptojë sfidat e grupeve që shkojnë drejt margjinalizimit, grupeve të imigracionit dhe partnerëve të ndryshëm të komunitetit “duke mos iu imponuar këtyre të fundit”.
Për kryepolicin e ri të Montréalit, shqetësimi më i madh mbetet fakti që policia i kushton pjesën më të madhe të energjisë reagimit ndaj emergjencave dhe nuk i jep hapësirë të mjaftueshme parandalimit. Kjo situatë, sipas tij, nuk është specifike vetëm për Montréalin, por është prezente në gjithë Amerikën e Veriut. “Për sa kohë do vazhdojmë të funksionojmë si shërbim policie që thjesht i përgjigjet 911 dhe më pas dërgon një automjet, kjo nuk është gjë tjetër veçse e njejta përgjigje reaguese që përsëritet dhe që nuk jep zgjidhjen e duhur çdo herë”, u shpreh ai
I lindur në Bregun e Fildishtë nga prindër libanezë, Fady Dagher ka imigruar në Kanada në moshën 17-vjeçare duke iu bashkuar të vëllait që në atë kohë ishte student në një nga universitet e Montrealit. Ai i kaloi vitet e para në Saint-Laurent (minibashki) në zonën që njihet si “Bejruti i vogël” (ku është e përqëndruar pjesa më e madhe e komunitetit libanez) dhe fillimisht krahas studimeve, punoi si mbikqyrës i fëmijevë në një pishinë publike. Pas përfundimit të Shkollës Kombëtare të Policisë në Nicolet, Fady Dagher nisi karrierën si oficer policie, pjesën më të madhe të së cilës e kaloi në radhët e Shërbimit Policor të Bashkisë Montréal, periudhë në të cilën u diplomua edhe në programin EMBA McGill-HEC.
Ngritja e tij në grada arriti deri afër majës dhe në vitin 2015 ishte një ndër dy kandidatët kryesorë për drejtimin e policisë së metropolit. Megjithatë, administrata e kryebashkiakut të atëhershëm, Denis Coderre, preferoi të zgjidhte kandidatin tjetër, Philippe Pichet. Më pas, në vitin 2017, Dagher iu besua drejtimi i Shërbimit Policor të Aglomeracionit Longueuil, ku përfshihen bashkitë Boucherville, Brossard, Longueuil, Saint-Lambert dhe Saint-Bruno-de-Montarville.
Sipas kryetares së Bashkisë Valérie Plante, që e ka cilësuar gjatë konferencës për shtyp Montréalin si shumë kompleks, në kontekstin aktual të rritjes së dhunës së armatosur, emërimi i shefit të ri të policisë ishte një moment kritik shumë i rëndësishëm. “Për ta zgjedhur atë”, u shpreh ajo, “bashkia zhvilloi një konsultim publik me shoqërinë civile dhe me policinë. Elementët më të rëndësishëm që u identifikuan ishin aftësia komunikuese, marrëdhënia e besimit me qytetarët dhe njohja në detaje e realitetit të Montrealit”.
Shërbimi i dytë më i madh policor bashkiak në Kanada pas atij të Torontos, Policia e Montréalit, shefi i të cilës paguhet më shumë se kryeministri i provincës, i shërben një popullsie prej më shumë se 1.7 milionë banorë. Ajo është e organizuar në 31 seksione lagjesh dhe në rradhët e saj shërbejnë rreth 6000 punonjës me uniformë dhe civilë.
©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada
Foto: The Canadian Press/Paul Chiasson