Historia e Ditës së Kanadasë
- Published in Kanada
- Nga: Arian Thëllimi
Në 1 Korrik, si zakonisht festojmë Ditën e Kanadasë. Të gjithë e kujtojnë si një festë të bukur, gjithëpërfshirëse e do të thonim, madhështore në kryeqendrën e vendit, Ottawa. Shpesh, për shumë prej nesh ka lindur pyetja pse 1 korriku? Si ka rrjedhur historia e festimit të kësaj datë nga të gjithë ata që jetojnë në çdo cep të këtij vendi kaq të pasur, me natyrën e mrekullueshme të harmonizuar aq mirë me dimensionin multikultural të njerëzve të vet.
Gjithçka e ka zanafillën në 1 Korrik 1867, me të ashtuquajturin British North America Act. Ishte ligji i Parlamentit Britanik të asaj kohe, që dekretonte krijimin e Dominionit të Kanadasë në formën e një Lidhjeje Federative dhe përcaktonte kornizën ligjore të funksionimit të shtetit të ardhshëm kanadez, strukturat federative, sistemin e drejtësisë dhe atë fiskal. Kësisoj, Kanadaja Federative u festua më 1 Korrik 1867, me rënien e këmbanave të katedrales së St. James në Toronto, me flakadanë e fishekzjarre, paradë ushtarake, koncerte dhe aktivitete të tjera, siç përshkruhet në kronikat e asaj kohe. Në 20 Qershor të vitit në vazhdim, Guvernatori i përgjithshëm, Viscont Monck, lëshoi një dekret mbretëror ku u kërkohej kanadezeve të festonin përvjetorin e Konfederatës. Pavarësisht ketij dekreti, festa u shpall si e detyrueshme në maj të vitit 1879, ku dhe u përcaktua si Dita e Dominionit, nisur nga fakti qe vendi ishte shpallur si i tillë në British North America Act. Festa nuk u shënua në kalendarin zyrtar. Pati festime sporadike aty-këtu dhe një pritje në rezidencen e Guvernatorit. Asnjë festim zyrtar nuk u bë deri në 1917. Në vitin 1946, Phileas Cote, deputet i parlamentit nga Quebéc, i propozoi këtij të fundit nxjerrjen e një akti normativ, në të cilin kërkohej që Dita e Dominionit të riquhej Dita e Kanadasë. Propozimi kaloi shpejt në parlamentin federal por u bllokua nga Senati, i cili e ktheu atë mbrapsht me rekomandimin që festa të quhej Festa Kombëtare e Kanadasë. Ky propozim nuk u pranua dhe emri i festës mbeti si më parë, Dita e Dominionit. Në fillim të vitit 1958 ishte qeveria Kanadeze e cila filloi të orkestrojë festimet për Ditën e Dominionit. Atë vit, kryeministri në fuqi, John Diefenbaker, i kërkoi sekretarit të shtetit krijimin e një buxheti prej 14.000 dollarë për festimet përkatëse. Parlamenti ishte në sesionin e tij të zakonshëm në daten 1 Korrik, por jashtë ndërtesës, në praninë e kryeministrit e gjithë kabinetit të tij po festohej me madheshti, me paradë trupash, fishekzjarre e një koncert të madh, në të cilin morën pjesë për herë të parë trupa artistike nga grupe etnike të ndryshme nga i gjithë vendi.
U deshen plot 100 vjet nga dita e dekretit mbretëror mbi Amerikën e Veriut që festimi i lindjes së shtetit kanadez të merrte seriozitetin e duhur dhe tradicionalizmin qe ka edhe sot. Ishin ngjarjet dhe ndryshimet që ndodhen gjatë vitit 1967 e që nga të gjithë njihen si Centennial Canada, ato që vendosën gurin themeltar në historinë e patriotizmit kanadez, që shpalosën në gjithe botën Kanadanë si shtet i veçantë e i pavarur dhe që e bënë Ditën e Dominionit një festë të vertetë popullore. Që nga ai vit, filloi organizimi dhe transmetimi televiziv në gjithë hapesirën federale i një koncertit tradicional multikulturor, që edhe sot quhet Festivali i Kanadasë. Qysh nga 1980, ishte qeveria federale ajo që do te inkurajonte festimin e Ditës së Dominionit përtej kryeqytetit, duke akorduar fonde dhe perkrahur aktivitetet në të gjithë vendin. Mjaft kanadezë në vitet 80-të i referoheshin festës si Dita e Kanadasë, përfshi këtu edhe një pjesë të medias. Emërtimi krijoi diçka kontradiktore. Një numër i konsiderueshëm politikanësh, shkrimtarësh e gazetarësh, e quajtën si të paligjshme dhe në kundershtim të plotë me traditën. Oponentët e tyre nga ana tjetër e cilësuan emrin Dita e Dominionit si arkaik dhe si mbetje nga periudha koloniale, argument i cili kishte mbështetjen e Dekretit mbi Patriotizmin në kushtetutën Kanadeze të vitit 1982. Politikisht, konservatorët i konsideruan të dyja argumentet si të gabuara duke theksuar që termi Dominion ishte keqkuptuar nga të gjithë. Gjithçka, sipas tyre, ishte një përpjekje e Liberalëve për ta rietiketuar apo ridimensionuar historinë e Kanadasë. Përfundimisht, me propozimin e një grupi deputetësh të pavarur, pasi u rrëzua tre herë në parlament e pas shumë debatesh në senat, me dekret të veçantë, në 27 tetor të vitit 1982, festa e 1 Korrikut u quajt Dita e Kanadasë.
Me 1 Korrikun si Dita e Kanadasë, lidhen një sërë ngjarjesh me rëndësi kombetare si:
1927 – Vendosja e transmetimi në të gjithë territorin e Kanadasë e sistemit të radios ;
1958 – Inagurimi i CBC-së, si sistemi televiziv kombëtar ;
1958 – Lëshimi i transoqeanikut Saint-Laurent ;
1966 – Transmetimi i parë i televizionit me ngjyra në Kanada ;
1967 – Përurimi i Urdhërit të Kanadasë ;
1980 – Zyrtarizimi i Himnit Kombëtar aktual «O Kanada» (megjithëse i perdorur si himn qysh prej 1939-ës);












