Kanada

Zgjedhjet Ontario – Justin Trudeau nuk mbështet Kathleen Wynne

  • Published in Kanada

Tashmë që na ndajnë më pak se tre javë nga zgjedhjet provinciale, Radio-Canada raporton një lajm jo shumë të këndshëm për Liberalët e Kathleen Wynne që vazhdojnë të jenë prapa në sondazhe. Ndryshe nga kundërshtarët që e kanë marrë mbështetjen nga “kushërinjtë” federalë, kryeministrja në mbyllje të mandatit nuk ka shpresë që do gjejë përkrahje nga Kryeministri Liberal Justin Trudeau në ditët në vazhdim, edhe pse ajo e pat mbështetur atë në fushatën e 2015.

Ky i fundit, sipas kabinetiti të tij, nuk do të implikohet në zgjedhjet e Ontarios për shkak të funksionit që mban, nderkohë që ka deklaruar se është i gatshëm të punojë me cilindo që do të dalë fitues nga zgjedhjet. Por sipas disa komenteve të ekspertëve, shkak për këtë janë edhe konsideratat politike. Sipas Geneviève Tellier, profesore në Universitetit e Ottawa-s, rënia e popullaritetit të Kathleen Wynne, është një nga shkaqet e pathëna, fakt që i detyron Liberalët federalë të mos implikohen për të mos dëmtuar imazhin e tyre në Ontario.

Ndërkohë, Neo-Demokratët e Andrea Horwath kanë marrë mbështetjen e kreut të NDP për Kanadanë, Jagmeet Singh, i cili dikur ka qenë edhe deputet i provincës së Ontarios ku edhe ka lindur.

Edhe Konservatorët federalë gjithashtu kanë konfirmuar prezencën e shefit të tyre, Andrew Scheer në një takim në krah të Doug Ford, takim data e të cilit ende nuk është bërë e ditur.

Burimi: Radio-Canada

Photo Credit: La Presse Canadienne/Darren Calabrese/Nathan Denette/Frank Gunn