Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 25 dhjetor 2022

  • Published in Kanada

 

Mbreti Charles III duke uruar Krishtlindjen 2022

 

-British Columbia, rinis trafiku ajror në aeroportin ndërkombëtar të Vancouver

-Manitoba, paralajmërohet një manifestim kamionistësh në Winnipeg

-Provincat atlantike, pas stuhisë Krishtlindje pa energji elektrike për mijëra banorë

-Québec, drekë Krishtlindje për të pastrehët në Montréal

-Ontario, kompania hekurudhore VIA Rail anulon udhëtimet nga Toronto për shkak të një aksidenti

 

British Columbia - Pas anulimit të fluturimeve dhe vonesave të shumta për shkak të motit të keq gjatë fundjavës që lanë mijëra pasagjerë të bllokuar, në Aeroportin Ndërkombëtar të Vancouver trafiku rinisi gradualisht të shtunën (24.12) në prag të Krishtlindjes. Rreth mesditës, vetëm 70 nga 484 fluturimet e planifikuara ishin ende të anuluar. Ndërkohë, një ditë më parë, të premten, u anuluan 344 fluturime dhe autoritetet e aeroportit vunë në dispozicion 400 dhoma hoteli për pasagjerët e bllokuar.

Manitoba - Përfaqësues të grupit Canada Unity kanë njoftuar dje në mesditë, në ditën e Krishtlindjes (25.12.) organizimin e një autokolone të re kamionistësh. Në një video të drejtpërdrejtë në Facebook, James Bauder, bashkëthemelues i grupit Canada Unity dhe bashkëorganizator i Freedom Convoy, deklaroi se një vit pas manifestimit në Ottawa, organizatorët kanë zgjedhur Winnipeg për të protestuar sërish. Manifestimi do të mbahet nga 17 deri më 20 shkurt 2023. Kjo datë nuk është e rastësishme, pasi gati një vit më parë, policia i dha fund bllokimit tre javor të qendrës së kryeqytetit federal. Operacioni pat nisur mëngjesin e së premtes, 18 shkurt 2022. “Ne zgjodhëm Winnipeg sepse është qendra e Kanadasë. Njerëzit mund të vijnë nga bregu lindor dhe bregu perëndimor duke përshkuar gjithë territorin”, pohoi Ron Clark, një nga bashkëorganizatorët e manifestimit.

Provincat atlantike - Stuhia dimërore që përfshiu tre provincat atlantike gjatë natës nga e premtja në të shtunën (24.12), ndërpreu energjinë elektrike në dhjetëra mijëra banesa. Megjithëse ndërhyrjet për rilidhjen e energjisë përparuan me shpejtësi të shtunën, disa mijëra banorë e kaluan mbrëmjen e Krishtlindjes nën dritën e llampave me bateri, më konkretisht 16,000 shtëpi në New Brunswick, në veri të Nova Scotia 6,000 shtëpi, ndërsa në Prince Edward Island 500 të tilla.

Québec - Të pastrehëve në Montréal iu ofruan dje (25.12.) dhurata dhe një vakt tradicional i Krishtlindjes nga organizatat e ndihmës komunitare për këtë kategori në nevojë. “Krishtlindje apo jo Krishtlindje, sfida jonë është të kujdesemi për të pastrehët”, deklaroi për Radio-Canada Marie-Pier Therrien, Drejtoreshë e Komunikimit pranë Misionit Old Brewery. Në metropolin e Québec numërohen afërsisht 4,000 të pastrehë, por jo të gjithë preferojnë të festojnë. Për të krijuar kushte lehtësuese transporti pë ata që dëshëronin të ishin prezent në dreken e Krishtlindjes, Old Brewery organizoi dhe një shërbim transporti të posaçëm drejt strehimoreve nga ora 16:00 deri në mesnatë.

Ontario - Për shkak të daljes nga shinat e një treni të Canadian National pranë Grafton, midis Colborne dhe Cobourg, aksident si pasojë e të cilit lëvizja e shumë trenave u bllokua të shtunën (24.12), kompania hekurudhore VIA Rail Canada anuloi të gjithë udhëtimet mes Torontos dhe Ottawa dhe midis Torontos dhe Montréalit të planifikuar në ditën e Krishtlindjes. Dy trenat e vetëm që ishin tashmë në udhëtim u desh të ktheheshin në stacionin e tyre të nisjes. Para këtij aksidenti, rënia e një peme mbi një lokomotivë dhe ndërprerjet e energjisë si pasojë e kohës së keqe kishin shkaktuar tashmë probleme duke zgjatur udhëtimet mes të premtes dhe të shtunës. Shumë pasagjerë midis Ottawa dhe Toronto u detyruan të presin mbi 15 orë. Atyre iu ofrua një rimbursim ose opsioni për të rezervuar një vend në një tren tjetër të dielën.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press/Sean Kilpatrick; Associated Press/Victoria Jones