Kanada

Kanadaja e vitit 2022 në Flasshqip.ca

  • Published in Kanada

Viti 2022 për Kanadanë ishte i pasur me ngjarje në çdo aspekt, në atë politik, ekonomik, social, sportiv apo artistik. Protesta e “Freedom Convoy” dhe shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme, lufta në Ukrainë dhe ardhja e mijëra refugjatëve ukrainas, vizita e Papa Françeskut, ndarja nga jeta e Mbretëreshës Elizabeth II, zgjedhja plebishitare e Pierre Poilievre në krye të Partisë Konservatore, uragani Fiona, pjesëmarrja e Kanadasë në kupën e Botës në futboll pas 36 vjetësh, fitorja e Kupës Davis në tenis, apo inflacioni më i lartë në tri dekada, janë ngjarje që zor se shlyhen nga kujtesa e atyre që i kanë përjetuar. Duke vazhduar traditën dhe në përputhje me misionin e vet, Flasshqip.ca pasqyroi me korrektesë dhe profesionalizëm të gjitha momentet e rëndësishme të jetës kanadeze gjatë 12 muajve, përmes rubrikës Java Kanadeze-Lajme shkurt apo artikujve të veçantë informativë dhe analitikë, duke mbetur kësisoj një burim referimi unikal, i pashmangshëm dhe i plotë në gjuhën shqipe në këtë drejtim. Më poshtë do të gjeni një përmbledhje të përzgjedhur të ngjarjeve kryesore në Kanada për vitin që po mbyllet sot.

Janar

9 janar - Në Sydney të Australisë, Kanadaja fiton në tenis kupën ATP (turne ekipesh) në një përballje kundër Spanjës. Ishin fitoret e Félix Auger-Aliassime dhe Denis Shapovalov që realizuan suksesin kanadez.

26 janar - Qeveria kanadeze deklaron se operacioni Canadian Armed Forces Joint Task Force-Ukraine, i nisur më 2015 dhe që parashikohej të përfundonte në mars 2022, do të vazhdojë edhe për tre vjet të tjera.

29 janar - Mijëra protestues nisën në Ottawa, kryeqytetin federal, protestën 3 javore për heqjen e detyrimit të vaksinimit si dhe kufizimeve për shkak të pandemisë duke iu bashkuar thirrjes së “Canada Unity” dhe karvanit të kamionistëve “Freedom Convoy”.

Shkurt

2 shkurt - Grupi i deputetëve të Partisë Konservatore në Parlamentin Federal shkarkon me votim të fshehtë kryetarin e partisë Erin O’Toole. Drejtimin e Konservatorëve e mori përkohësisht deputetja nga Manitoba Candice Bergen.

6 shkurt - Pierre Poilievre dy herë ministër i qeverisë Harper, deputet i Parlamentit Federal prej vitit 2004, i zgjedhur në zonën elektorale Carlton të Ottawa (Ontario), njofton se do kandidojë për kryetar i Partisë Konservatore të Kanadasë.

6 shkurt - Kryebashkiaku i Ottawa Jim Watson shpall gjendjen e jashtëzakonshme për qytetin e Ottawa-s, si pasojë e protestës së kamionistëve që vazhdonte aty prej dhjetë ditësh, për të kundërshtuar masat kufizuese të qeverisë së Justin Trudeau për shkak të pandemisë.

6 shkurt - Në emër të qeverisë dhe qytetarëve të Kanadasë, kryeministri Justin Trudeau përshëndeti 70-vjetorin e ngjitjes në fronin mbretëror të Mbretëreshës Elizabeth II.

13 shkurt - Ministria e Mbrojtjes Kombëtare deklaron se Forcat e Armatosura Kanadeze do të zhvendosin personelin e tyre prezent në Ukrainë diku tjetër në Evropë. Ushtarakët e Canadian Armed Forces Joint Task Force-Ukraine kryenin prej vitit 2015 misione trajnimi me Forcat e Sigurisë të Ukrainës

14 shkurt - Kryeministri Trudeau vendos aplikimin e Ligjin federal të Emergjencave dhe shpall gjendjen e jashtëzakonshme për t’i dhënë fund protestave që bllokonin qendrën e Ottawa dhe transportin në disa pika kufitare në vend.

15 shkurt - Parlamenti i Québec miraton unanimisht dhe pa debat një mocion që i kërkon qeverisë federale kanadeze të mos zbatojë Aktin e masave urgjente në territorin e vet.

17 shkurt - Arrestohen dy nga organizatorët e protestës së kamionistëve “Freedom Convoy” në Ottawa, Tamara Lich dhe Chris Barber.

17 shkurt - Ekipi kanadez i hokejit për femra është shpallet kampion olimpik në Pekin. Lojtaret kanadeze mundën me rezultatin 3-2 rivalin e tyre të përjetshëm, ekipin e Shteteve të Bashkuara.

19 shkurt - Kryeministri i Alberta-s, Jason Kenney njofton se Partia e Bashkuar Konservatore e Alberta-s do ta kundërshtojë në gjykatë përdorimin e Aktit të Masave Urgjente nga qeveria federale. Kenney deklaron se përdorimi i ligjit është “i panevojshëm” dhe “joproporcional”, “shkel të drejtën natyrore”, “shkel mbi kompetencat provinciale” dhe “krijon një precedent të rrezikshëm”.

21 shkurt - Me ndihmën e votave të Neodemokratëve të Jagmeet Singh, deputetët Liberalë të Dhomës së Komunave, miratojnë mocionin që ratifikonte dekretet e masave të jashtëzakonshme të qeverisë Trudeau, bazuar në Aktin e Masave Urgjente të vitit 1988, akt që aplikohej për herë të parë në historinë e Kanadasë. Mocioni u miratua me 185 vota pro dhe 151 kundër.

23 shkurt - Qeveria revokon masat e jashtëzakonshme bazuar në Aktin e Masave Urgjente për t’i dhënë fund protestës së kamionistëve dhe qytetarëve kanadezë nga i gjithë vendi kundër kufizimeve shëndetësore, që bllokoi për më shumë se tri javë Parliament Hill në Ottawa.

25 shkurt - Qeveria kanadeze merr vendimin të riatdhesojë përkohësisht anëtarët e familjeve të personelit diplomatik të atashuar në Ukrainë. Vendimi i Global Affairs Canada përfshinte në mënyrë specifike fëmijët nën 18 vjeç dhe prindin e tyre që nuk punon në ambasadë.

Tamara Lich

Mars

1 mars - Qeveria kanadeze miraton akordimin e një ndihmë humanitare shtesë prej 100 milionë dollarësh për Ukrainën, në përgjigje të thirrjes urgjente të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për të mbledhur 1.7 miliardë dollarë për përballimin e krizës humanitare të shkaktuar nga sulmi ushtarak i Rusisë në vendin fqinj.

4 mars - Pas dekretimit nga presidenti rus Vladimir Putin të një ligji që parashikonte dënime të rënda burgimi dhe gjoba të larta për këdo që publikonte informacione të konsideruara “të rreme” për ushtrinë ruse, CBC/Radio-Canada ka pezullon përkohësisht aktivitetin e vet gazetaresk në Rusi.

5 mars - Global Affairs Canada u bën thirrje shtetasve kanadezë që ishin aktualisht në Rusi të largohen nga vendi për sa kohë opsionet e fluturimeve ishin ende të disponueshme. Pas sulmit rus në Ukrainë, një numër i madh vendesh evropiane, përfshi Kanadanë dhe Shtetet e Bashkuara, e mbyllën hapësirën e tyre ajrore për avionët rusë, kryesisht ata të kompanisë Aeroflot.

6 mars - Kryeministri kanadez Justin Trudeau nisi turin gjashtë-ditor të vizitave në Europë nga Londra. Përveç Londres, tre stacionet e tjerë të Justin Trudeau do ishin Gjermania, Letonia dhe Polonia, këto dy të fundit shtete kufitare me Rusinë dhe Ukrainën.

18 mars - Qeveria provinciale e Québec, ajo federale si dhe Bashkia Montreal, njoftuan akordimin e një buxheti prej 6.4 miliardë dollarësh për zgjatimin me pesë stacione të rinj të linjës blu të metrosë së Montrealit, ndërmjet stacionit aktual fundor Saint-Michel dhe Anjou. Për herë të parë për ketë projekt ishte folur në vitin 1989.

25 mars - Qeveria federale njoftoi akordimin e një fondi prej 2 miliardë dollarësh në ndihmë të provincave dhe territoreve për reduktimin e listave të pritjes të ndërhyrjeve kirurgjikale. Sipas të dhënave zyrtare, me qindra mijëra operacione ishin anuluar në dy vitet e fundit për shkak të pandemisë.

27 mars - Mbërrin në Romë delegacioni i popujve autoktonë të Kanadasë që do takonte Papa Françeskun. Takimi ishte planifikuar fillimisht në dhjetor të vitit 2021, por u shty për shkak të pandemisë.

27 mars - Ekipi kanadez i futbollit për meshkuj realizon një fitore historike në Toronto duke mposhtur Xhamajkën 4-0 në një ndeshje kualifikuese të CONCACAF dhe duke siguruar biletën për në fazën finale të Kupës së Botës në Qatar, për herë të parë që nga viti 1986, kur Botërori i futbollit u zhvillua në Meksikë.

29 mars - Qeveria federale kanadeze njofton se do të nisë negociatat përfundimtare për blerjen e avionëve luftarakë gjuajtës F-35 nga prodhuesi amerikan Lockheed Martin për të zëvendësuar flotën e saj të vjetëruar ajrore të avionëve F-18. Objektivi i qeverisë ishte blerja e 88 avionëve të rinj për një shumë maksimale prej 19 miliardë dollarësh.

Ekipi kombëtar kanadez i futbollit

Prill

6 prill - Qeveria Trudeau miraton përfundimisht Bay du Nord, një megaprojekt për nxjerrjen e naftës nga 60 puse nënujorë që ndodhen në një largësi rreth 500 kilometra nga brigjet e provincës Newfoundland dhe Labrador.

21 prill - Mediat kanadeze njoftojnë lajmin mbi nisjen e hetimit zyrtar në Parlamentin Federal lidhur me aplikimin nga ana e qeverisë Trudeau të dispozitave të Aktit mbi Masat e Jashtëzakonshme.

Maj

8 maj - Kryeministri kanadez Justin Trudeau zhvillon një vizitë suprizë ne Ukrainë dhe takohet në Kiev me presidentin ukrainas Volodymir Zelenzky.

13 maj - Me vendim të qeverisë Legault, pas gati dy vjetësh, banorët e provincës së Québec, të fundit në gjithë Kanadanë, nuk do jenë më të detyruar të mbajnë maskë në ambientet publikë, përveçse në automjetet e transportit publik dhe brenda institucioneve të kujdesit shëndetësor.

18 maj - Pas gati gjysëm shekulli ekzistence në Moskë, mbyllet zyra e CBC/Radio-Canada. Njoftimi u dha nga Ministria e Jashtme e Rusisë dhe sipas vendimit të qeverisë ruse, u hiqeshin gjithashtu vizat dhe akreditimet gjithë gazetarëve që kanë punuar për median shtetërore kanadeze në Moskë.

18 maj - Pas fitores në një proces votëbesimi me rreh 51%, kryeministri i provincës Alberta, Jason Keney jep dorëheqjen.

21 maj - Qeveria e British Columbia akordon një fond prej 100 milionë dollarësh për të ndihmuar të mbijetuarit japonezo-kanadezë që u dërguan në kampet e internimit të British Columbia gjatë Luftës së Dytë Botërore. Vendimi përkonte me 80-vjetorin e njoftimit të Ministrisë së Mbrojtjes të Kanadasë të 26 shkurtit 1942, sipas të cilit, të gjithë “armiqtë e huaj japonezë” do të evakuoheshin më shumë se 160 kilometra nga bregu perëndimor kanadez. Më 21 maj 1942, mbi 90% e kanadezëve me origjinë japoneze me banim në British Columbia, u zhvendosën në kampet e internimit larg bregut, në Greenwood, Kaslo, New Denver, Slocan City dhe Sandon. Pas përfundimit të luftës, kanadezët me origjinë japonezë u lejuan të largoheshin nga kampet, por nuk u lejuan të ktheheshin në Bregun Perëndimor deri në vitin 1949.

26 maj - Ish-senatori autokton Murray Sinclair dekorohet me Urdhrin e Kanadasë për përkushtimin e tij ndaj kauzës së të drejtave dhe lirive të popujve indigjenë. Murray Sinclair ka drejtuar Komisionin e të Vërtetës dhe Pajtimit të Kanadasë, që hetoi dosjen e fëmijëve autoktonë të dërguar në shkollat rezidenciale.

Qershor

2 qershor - Në Ontario zhvillohen zgjedhjet provincial dhe ashtu siç e kishin paralajmëruar sondazhet, kryeministri Progresist Konservator Doug Ford fiton bindshëm mandatin e dytë radhazi.

2 qershor - Qeveria kanadeze zyrtarizon një marrëveshje të cilësuar si historike, që parashikon pagesën e shumës prej 1.3 miliardë dollarësh, lidhur me rivendikimet territoriale të komunitetit autokton Siksika në provincën Alberta, për tokën që iu sekuestrua atij me forcë dhe në mënyrë të jashtëligjshme në vitin 1910.

5 qershor - Ndahet nga jeta në moshën 86-vjeçare, në shtëpinë e tij në St. Mary's Bay, Newfoundland, piktori dhe grafisti kanadez me fame botërore, Christopher Pratt. Lindur në vitin 1935 në St. John’s të provincës Newfoundland, gjatë gjithë karrierës së tij të gjatë ai është konsideruar si një ndër artistët më të mëdhenj kanadezë. Tablotë e tij, të cilat luhaten midis imagjinatës dhe realitetit, janë peizazhe nga Newfoundland dhe Labrador të mbushura me mister dhe magji. Në vitin 1980, Christopher Pratt projektoi flamurin zyrtar të Newfoundland dhe Labrador.

14 qershor - Kanadaja dhe Danimarka i japin një konflikti që zgjati prej 49 vjetësh, ndofta më të pazakontit në botë, për një mini-ishull të shkretë dhe të pabanuar në Arktik, konflikt gjatë të cilit të dy vendet “luftuan” me njeri tjetrin me flamuj, uiski dhe shnaps. Të dy vendet nënshkruan zyrtarisht një marrëveshje për të ndarë ishullin Hans, që ndodhet përballë brigjeve veriperëndimore të Groenlandës, duke krijuar kështu dhe kufirin e parë tokësor mes Kanadasë dhe Europës.

17 qershor - Ndërmjet 16 qyteteve të Amerikës së Veriut mikpritës të Kupës së Botës në futboll, edicioni 2026, FIFA përzgjedh dhe dy metropolet kanadeze, Toronto e Vancouver. Qytetet e tjerë pritës do të jenë 11 nga SHBA dhe pikërisht Seattle, San Francisco, Los Angeles, Kansas City, Dallas, Atlanta, Houston, Boston, Philadelphia, Miami dhe New York dhe tre nga Meksika, Monterrey, Mexico City dhe Guadalajara.

18 qershor - Jocelyn Paul, me gradën gjeneral-lejtënant ëmërohet në detyrën e Komandantit të Ushtrisë Kanadeze. Gjenerali 58 vjeçar Paul, me origjinë nga komuniteti autokton Huron-Wendat i rezervës Wendake (periferi e Québec City), është një ushtarak karriere që ka shërbyer ndër të tjera edhe si zëvendëskomandant i Forcave Aleate të Komandës së Përbashkët të NATO-s në Napoli, Itali. Ai ka drejtuar gjithashtu një kontigjent të madh ushtarësh, rreth 13,000, në një nga zonat më të rrezikshme në Afganistan, Kandahar, nga prilli deri në tetor 2009.

20 qershor - Qeveria federale kanadeze vendos të investojë 4.9 miliardë dollarë gjatë gjashtë viteve të ardhshme për modernizimin dhe rritjen e kapaciteteve të Komandës së Mbrojtjes Aerospaciale të Amerikës së Veriut (NORAD - North American Aerospace Defense Command). Fondi i miratuar është investimi më i madh pas katër dekadash në këtë fushë.

22 qershor - Sipas Statistics Canada (22.06) inflacioni në vend arriti shifrën 7.7% gjatë muajit maj. Kjo rezultoi të jetë rritja më e lartë e inflacionit në Kanada që nga janari 1983.

28 qershor - Kryeministri i provincës British Columbia, John Horgan, njofton se në vjeshtë do të dorëhiqet nga posti që mban dhe do të qëndrojë në detyrë gjatë kësaj periudhe derisa New Democratic Party (NDP) të zgjedhë një drejtues të ri. Vendimi i Horgan lidhej me shkaqe shëndetësore.

Ishulli Hans

Korrik

5 korrik - Kanadaja ratifikon protokollet e anëtarësimit të Finlandës dhe Suedisë në NATO.

9 korrik - Në një ceremoni që u zhvillua në Truro të Nova Scotia, kryeministri Justin Trudeau u kërkoi falje për segregacionin racial dhe vuajtjet, pasardhësve të ushtarëve të Batalionit II të Ndërtimit, njësi ushtarake e përbërë nga ushtarë lëkurëzinj, e dërguar në Europë (Francë) gjatë Luftës së Parë Botërore në vitin 1917.

19 korrik - Çiklisti 31 vjeçar kanadez me origjinë nga Sainte-Perpétue (Québec) Hugo Houle, arrin një fitore historike në Tour de France, duke dalë i pari në etapën e 16-të.

23 korrik - Kanadezët Aaron Brown, Jerome Blake, Brendon Rodney dhe Andre De Grasse shpallen kampionët e botës në stafetën 4x100 metra. Kuarteti kanadez i fitoi medaljet e arta në pistën e Kampionatit Botëror të Atletikës në Eugene, Oregon (USA), me kohën 37 sekonda 48/100, përpara amerikanëve (37,55) dhe britanikëve (37,83). Përfaqësuesit e Kanadasë, nënkampionë olimpikë në Tokio, përmirësuan dhe rekordin kombëtar.

24 korrik - Papa Françesku, i shoqëruar nga Sekretari i Shtetit Pietro Parolin dhe një numër kardinalësh, mes të cilëve dy kanadezë mbërrin në Kanada për një vizitë zyrtare 6-ditore pelegrinazhi.

28 korrik - Përpara anëtarëve të klerit katolik kanadez dhe personelit laik, Papa Françesku u kërkoi publikisht falje të gjitha viktimave të abuzimeve seksuale të kryera nga përfaqësues të Kishës Katolike në Kanada.

Gusht

2 gusht - Marina Mbretërore Kanadeze fillon dislokimin e mjeteve luftarake në zonën e oqeanit Arktik në kuadrin e manovrave të Operacionit Nanook në partneritet me NATO.

2 gusht - Përfundon në Montréal Konferenca e 24-t Ndërkombëtare mbi SIDA-n ku morëm pjesë rreth 6500 të ftuar. Tema e konferencës ishte “Riangazhimi ndaj SIDA-s dhe mbështetja tek shkenca”.

6 gusht - Ekipi kombëtar kanadez i Hokejit nën 18 vjeç fiton Kupën Hlinka-Gretzky. Në finale kanadezët mundën 4-1 ekipin suedez, duke fituar në finale, për të 23-tën herë që nga viti 1991, vit kur ky turne u zhvillua për herë të parë. Kupa Hlinka-Gretzky është një turne vjetor ndërkombëtar i hokejit mbi akull për moshat nën 18 vjeç, i administruar nga Hokej Kanada, Shoqata Çeke e Hokejit mbi Akull dhe Federata Sllovake e Hokejit mbi Akull.

8 gusht - Ndahet nga jeta në moshën 83 vjeçare Bill Graham, politikani i njohur Liberal, i cili shërbeu si ministër i Punëve të Jashtme dhe Mbrojtjes Kombëtare të Kanadasë në qeveritë e Jean Chrétien dhe Paul Martin.

19 gusht - Kryeministri kanadez Justin Trudeau emëron gjyqtaren me origjinë autoktone Michelle O'Bonsawin si anëtare e Gjykatës së Lartë të Kanadasë, instanca më e lartë gjyqësore në vend. Është hera e parë që kjo ndodh në historinë e Kanadasë.

20 gusht - Kanadaja fiton në Edmonton Kampionatin Botëror të Hokejit për të rinj, duke mundur Finlandën me rezultation 3-2 në kohën shtesë. Mason McTavish shënoi golin e artë, pak më shumë se tre minuta pas fillimit të shtesës. Kjo ishte hera e 19-të që Kanadaja kurorëzohej me medaljet e arta në këtë aktivitet. Titulli i fundit për kanadezët datonte në vitin 2020.

21 gusht - Mbërrin në Kanada për një vizitë zyrtare triditore kancelari i RFGJ Olaf Scholz.

24 gusht - Nis vizitën tre ditore në Kanada Sekretarit i Përgjithshëm i Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut Jens Stoltenberg.

Michelle O'Bonsawin

Shtator

4 shtator - Tragjedi në provincën kanadeze të Saskatchewan, bilanci i të cilës, pas një sulmi me thika, ishte 10 të vdekur dhe 18 të plagosur. Ngjarja e rëndë ndodhi në territorin e komunitetit autokton James Smith Cree dhe pati për autorë vëllezërit Damien dhe Myles Sanderson pjestarë të të njëjtit komunitet.

8 shtator - Pas 70 vjet në fron, ndahet nga jeta Mbretëresha Britanike Elisabeth II, njëkohësisht edhe kreu i shtetit kanadez dhe Komandante e Përgjithshme e Forcave të Armatosura Kanadeze.

10 shtator - Mbreti Charles III shpallet zyrtarisht kreu i shtetit kanadez në Rideau Hall, Ottawa. Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe kryeministri Justin Trudeau nënshkruan miratimin e dekretit dhe Proklamatës për pranimin e sovranit të ri.

10 shtator - Fitore spektakolare e Pierre Poilievre në garën për kreun e Partisë Konservatore të Kanadasë me 68.15% të votave. Sipas procesit zgjedhor të përcaktuar në statutin e Partisë Konservatore, secila nga 338 njësitë zgjedhore (as sa është numri i deputetëve në Dhomën e Komunave) vlente 100 pikë dhe votat u shpërndanë në mënyrë proporcionale. Pierre Poilievre fitoi gjithsej 330 zona elektorale (në Québec 73 nga 78).

16 shtator - 15 përfaqësues shtetërorë nisen për të marrë pjesë në ceremoninë e 19 shtatorit të funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II. Mes tyre kryeministri Justin Trudeau dhe bashkëshortja, Guvernatorja e Përgjithshme Mary Simon dhe bashkëshorti, ish-guvernatorët e përgjithshëm Michaëlle Jean dhe David Johnston si dhe ish-kryeministrat Kim Campbell, Jean Chrétien, Paul Martin dhe Stephen Harper.

17 shtator - Kryeministri kanadez Justin Trudeau takohet me Mbretin Charles III.

19 shtator - Paralelisht me funeralin në Londër, në Ottawa zhvillohet ceremonia e homazhit dhe parada ushtarake në nderim të Mbretëreshës Elizabet II, ku fjalën e rastit e mbajti ish-kryeministri kanadez Brian Mulroney.

24 shtator - Uragani Fiona përfshin pjesën lindore të Kanadasë duke shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në tri provincat e Atlantikut dhe në pjesën Lindore të Québec.

25 shtator - Pas shkatërrimeve të shkaktuara nga uragani Fiona, Forcat e Armatosura Kanadeze nisen për ndihmë në tri provinca të Atlantikut për të vlerësuar dëmet dhe për të ndihmuar në pastrimin e zonave që u goditën nga stuhia.

Tetor

1 tetor - Qeveria federale kanadeze shfuqizon aplikimin në kufij dhe aeroporte të masave kufizuese sanitare të vendosura për shkak të COVID-19, përfshirë vaksinimin e detyrueshëm, testet dhe karantinimin e udhëtarëve që kryejnë udhëtime ndërkombëtare.

3 tetor - Koalicioni Avenir Québec (CAQ) i kryeministrit François Legault fiton bindshëm zgjedhjet provinciale në provincën frankofone të Kanadasë, Québec duke fituar 90 nga 124 vende në Parlament.

6 tetor - Ish-drejtuesja e Partisë Wildrose, Danielle Smith, zgjidhet kryetare e Partisë së Bashkuar Konservatore në Alberta dhe automatikisht kryeministre e provincës.

13 tetor - Fillon hetimi publik mbi aplikimin nga qeveria federale në fillim te vitit, të dispozitave të Ligjit mbi Masat Urgjente, pas bllokimit për 3 javë të qendrës së kryeqytetit Ottawa, nga protestuesit e “Freedom Convoy”.

21 tetor - David Eby zgjidhet kryetar i NDP (partia në pushtet në provincën British Columbia prej vitit 2017) dhe bëhet automatikisht kryeministri duke zëvenduar kryeministrin në detyrë John Horgan, i cili pat deklaruar dorëheqjen në fund të qershorit të kaluar për shkaqe shëndetësore.

24 tetor - Zhvillohen zgjedhjet lokale në 417 bashkitë e provincës Ontario. Në metropolin kanadez, Toronto, ashtu siç pritej, fiton për të tretën herë radhazi me rreth 62% të votave, kryebashkiaku John Tory.

27 tetor - Mbërrin në Kanada për një vizitë dy ditore Sekretari i Shtetit i SHBA, Antony Blinken. E para kjo qysh kur ai kish marrë këtë post në administratën Biden.

27 tetor - Sipas raportit më të fundit të Statistics Canada për imigracionin, gjatë vitit 2021 imigrantët e ardhur dhe rezidentët e përhershëm përbënin 23% të popullsisë në Kanada, përqindja më e lartë kjo në historinë e vendit, ose rreth 8,3 milionë vetë, që kanë lindur jashtë Kanadasë. Saktësisht një shekull më parë, në vitin 1921, Kanadaja kishte në përbërje të popullsisë së saj 22.3% imigrantë.

Nëntor

1 nëntor - Qeveria federale kanadeze njoftoi se po planifikon një rritje masive të numrit të imigrantëve që do hyjnë në Kanada, me një synim prej 500,000 syresh në vit deri në vitin 2025.

2 nëntor - Pas 40 vitesh prani në Kinë, media shtetërore kanadeze CBC/Radio-Canada njofton mbylljen e zyrës në Pekin, për shkak të dështimit të të gjitha tentativave për të marrë vizën e hyrjes dhe akreditimin për korrespondentit e ri në Azi, Philippe Leblanc, që duhej të mbulonte dhe Kinën.

7 nëntor - Poetja kanadeze Denise Desautels fiton Çmimin Apollinaire, i konsideruar si “Goncourt i poezisë”. Poetja nga Montréal u përzgjodh fituese nga juria për vëllimin poetik Disparaître: autour de 11 œuvres de Sylvie Cotton (“Të zhdukesh: rreth 11 veprave nga Sylvie Cotton”), botuar nga Shtëpia Botuese Noroît në Québec.

9 nëntor - Pas lajmeve të publikuar nga Global News, sipas të cilave Kina është përpjekur në fshehtësi të ndikonte në rezultatin e zgjedhjeve në Kanada dhe se madje ka kryer një fushatë aktive për të nxitur humbjen e kandidatëve të perceptuar si antikinezë në zgjedhjet federale të 2019-ës, kryetari i Partisë Konservatore Kanadeze, Pierre Poilievre, kërkon krijimin e një komisioni hetimor për të verifikuar faktet dhe masat e marra nga qeveria Trudeau.

12 nëntor - Kryeministri kanadez Justin Trudeau mbërrin në Phnom Penh, kryeqytetin e Kamboxhias, për të marrë pjesë në samitin e Grupit të Shteteve të Azisë Juglindore (Association of Southeast Asian Nations - ASEAN) si dhe për të shpallur strategjinë e re të Kanadasë në rajonin e Indo-Paqësorit. Grupi i Shteteve të Azisë Juglindore është një organizatë shumëpalëshe që përfshin Vietnamin, Indonezinë, Filipinet, Singaporin, Tajlandën, Malajzinë, Brunein, Laosin, Birmaninë dhe Kamboxhian.

14 nëntor - Partia Konservatore Kanadeze depoziton një mocion në Komisionin e Përhershëm mbi Procedurat dhe Çështjet e Brendshme të Dhomës së Deputetëve pas raportit të publikuar nga media Global News lidhur me tentativat e Kinës për t’u infiltruar në politikën kanadeze dhe manovrat e saj për destabilizimin e demokracisë në vend, veçanërisht mbi ndërhyrjet në dy zgjedhjet e fundit federale. Kërkesa e Konservatorëve për shqyrtimin e kësaj çështjeje delikate u miratua me vetëm një votë më shumë (6 pro dhe 5 kundër) falë mbështetjes së dy deputetëve nga NDP dhe Blloku i Québec.

16 nëntor - Në kushtet e një mungese të paprecedent personeli (rreth 10,000 poste vakante), Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura Kanadeze, gjenerali Wayne Eyre, vendos të pranojë në radhët e ushtrisë edhe rezidentë të përhershëm që nuk e kanë marrë ende shtetësinë kanadeze.

18 nëntor - Kryeministri i ri Neodemokrat i British Columbia, David Eby, betohet në detyrën e re gjatë një ceremonie të mbajtur jo sipas traditës në Government House, por në Qendrën Kulturore të komunitetit autokton Musqueam.

24 nëntor - Për herë të parë një imigrant emërohet në krye të policisë së Montreal. Pas një procesi të gjatë konsultimi më shumë aktorë të interesuar, përfshi ata komunitarë, i përzgjedhuri është Fady Dagher, me origjinë libaneze, i cili prej vitit 2017 kryente funksionin e shefit të Policisë të Aglomeracionit Longueuil.

27 nëntor - Për herë të parë në histori Kanadaja fiton Kupën Davis në tenis. Faza finale u zhvillua në Malaga të Spanjës dhe ekipi kanadez me në përbërje Félix Auger Aliassime dhe Denis Shapovalov fitoi ndaj Australisë.

Denise Desautels

Dhjetor

1 dhjetor - Kanadaja vendos lehtësimin e rregullave që lidhen me disa kategori imigrantësh me leje qëndrimi të përkohshme pune. Prej janarit 2023, anëtarët e tyre të familjes do mund të punësohen gjithashtu. Ky rregull, që parashikohet të jetë në fuqi për dy vjet, do përfshijë si personat që mbërrijnë në Kanada përmes International Mobility Program, ashtu edhe ata që vijnë me Temporary Foreing Worker Program.

9 dhjetor - Parlamenti i provinces Québec miraton me unanimitet projektiligjin që e bën opsional për deputetët betimin ndaj mbretit të Anglisë.

12 dhjetor - Guvernatori i Bankës së Kanadasë, Tiff Macklem, deklaron që edhe gjatë vitit 2023 përballja me inflacionin nuk do të jetë e lehtë.

16 dhjetor - Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë njofton sekuestrimin në Vancouver të një sasie prej rreth 2,500 kilogramë opium të fshehur në disa kontejnerë, sasia më e madhe e opiumit e sekuestruar deri më sot nga kjo agjenci.

17 dhjetor - I jepet lamtumira e fundit deputetit federal liberal të Winnipeg për zonën South Center, Jim Carr, i cili u nda nga jeta në moshën 71-vjeçare. Jim Carr, me profesion muzikant dhe gazetar, pas disa viteve deputet në Parlamentin provincial të Manitoba, u zgjodh deputet federal për herë të parë në zgjedhjet e vitit 2015. Nga 2015 deri më 2019 ai ishte fillimisht ministër i Burimeve Natyrore dhe më pas i Diversifikimit të Tregëtisë Ndërkombëtare, por pas diagnostikimit me kancer në gjak dhe më insufiçiencë renale në fund të vitit 2019 ai u dorëhoq nga qeveria.

19 dhjetor - Përfundon në Montréal COP15, samiti më i madh i organizuar deri më sot nga OKB për biodiversitetin, ku u mblodhën delegatë nga 196 vende të botës, në total rreth 20,000 vetë. Kina ishte vendi organizator ndërsa Kanadaja u bë vendi pritës, për shkak se rregullat e rrepta të izolimit anti-Covid të vendosura nga Pekini nuk do mundësonin një pjesëmarrje kaq të gjerë. Konferenca konkludoi me një marrëveshje për të ndalur rënien e biodiversitetit duke mbrojtur 30% të tokës dhe oqeaneve deri në vitin 2030.

19 dhjetor - Ministria federale kanadeze për Imigracionin, Refugjatët dhe Shtetësinë njoftoi se Kanadaja ka aprovuar rreth 431 000 rezidentë të përhershëm gjatë vitit 2022, duke arritur deri diku të rikuperojë vonesat e shkaktuara nga pandemia.

21 dhjetor - Statistics Canada deklaron se vetëm midis korrikut dhe tetorit 2022, numri i banorëve në vend është rritur me 362,453 vetë, ose 0.9% dhe popullsia e Kanadasë e ka tejkaluar shifrën 39 milionë. Nga 1 tetori 2022 ajo llogaritet afërsisht 39,292,355 banorë.

Ekipi kanadez i tenisit

©Flasshqip.ca

Fotot: Radio-Canada