Kanadaja mund Çekinë 3-2 dhe shpallet sërish kampion bote në hokej për të rinj
- Published in Kanada
Në Halifax të Nova Scotia ka përfunduar sot në mbrëmje (05.01.) finalja e Kampionatit Botëror të Hokejit mbi akull për të rinj. Me fitoren 3-2 ndaj Çekisë, ekipi kombëtar i Kanadasë, i drejtuar nga trajneri Dennis Williams, u shpall kampion bote për të njëzetën herë dhe për të dytin edicion radhazi.
Pas përfundimit të dy pjesëve të para me rezultatin 2-0 në favor të Kanadasë, dy golat çekë në një hark kohor prej 54 sekondash në pjesën e tretë e çuan lojën në kohën shtesë. Gjatë shtesës, Dylan Guenther, i cili ishte autori i golit të parë, u bë heroi i finales duke shënuar edhe golin e tretë që i dha fitoren dhe medaljet e arta ekipit kanadez.

Vendin e tretë dhe medaljet e bronzit të kampionatit i fitoi ekipi i SHBA, i cili më parë gjatë ditës së sotme (gjithashtu në periudhën shtesë), arriti të mundë Suedinë me rezultatin 8-7. Chaz Lucius i Jets të Winnipeg shënoi golin e fitores për amerikanët.
Në këtë edicion kujtojmë që Kanadaja e humbi ndeshjen e parë pikërisht ndaj Çekisë me rezultatin 5-2. Më pas ekipi e rigjeti veten duke fituar ndeshjet e tjera në grup, me Gjermaninë 11-2, me Austrinë 11-0, me Suedinë 5-1, në çerekfinale me Sllovakinë 4-3 dhe në gjysmë finale më SHBA 6-2.

Connor Bedard, që u shpall lojtari më i mirë i edicionit 2023
Kampionati Botëror i të rinjve nën 20 vjeç në hokej mbi akull zhvillohet çdo vit qysh nga viti 1977 dhe organizohet nga International Ice Hockey Federation. Sipas statistikave, në 47 edicione ekipi kanadez ka fituar gjithsej 35 medalje, 20 ari, 10 argjendi dhe 5 bronzi, ndërsa Rusia (e përjashtuar aktualisht nga kompeticioni) ka fituar 37 të tilla, 13 ari, 13 argjendi dhe 11 bronzi. Të dy ekipet janë takuar për herë të fundit në finale në vitin 2020, ndeshje të cilën e fitoi Kanadaja me rezultatin 4 me 3. Kanadaja është gjithashtu ekipi që e ka fituar këtë kampionat 5 herë radhazi në vitet 1993, 1994, 1995, 1996 dhe 1997.
©Flasshqip.ca
Fotot: The Canadian Press/Darren Calabrese












