Kanada

Java Kanadeze - Lajme shkurt 8 janar 2023

  • Published in Kanada

Chateau Frontenac - Quebec City

 

-Alberta, nis stafeta e pishtarit të Lojërave Dimërore të Arktikut

-Saskatchewan, komuniteti ukrainas kremton Krishtlindjen ortodokse

-Nova Scotia, qeveria provinciale planifikon zgjerimin e tri autostradave

-Québec, prodhim rekord për kultivuesit e boronicave

-Ontario, përkujtohen në Toronto viktimat e avionit të rrëzuar në Iran 3 vjet më parë

 

Alberta - Nga java që vjen, pishtari i Lojërave Dimërore të Arktikut 2023 do të zhvendoset në formë stafete në veri të provincës Alberta deri në rajonin e Wood Buffalo ku ky event sportiv ndërkombëtar do të zhvillohet nga 29 janari deri më 4 shkurt. Aty do të garojnë atletë nga Alberta, Territoret Veriperëndimore, Yukon, Alaska, Groenlanda, Finlanda dhe Norvegjia. Lojërat e Arktikut përfshijnë ndër të tjera zbritje me ski, gara shpejtësie, badminton, mundje si dhe disa gara tradicionale. Në stafetën e pishtarit do marrin pjesë rreth 40 atletë, ish-sportistë dhe vullnetarë nga disa komunitete. Stafeta do nisë të mërkurën nga Fort Chipewyan dhe Fort Fitzgerald në territorin e Smith's Landing First Nation dhe do të përfundojë në Fort McMurray më 28 janar.

Saskatchewan - Në një kontekst lufte në vendin e origjinës, komuniteti ukrainas i Regina dhe familjet e refugjatëve ukrainas të ardhur muajt e fundit, janë mbledhur dje (07.01.) për të kremtuar Krishtlindjen ortodokse. Ceremonia e liturgjisë u zhvillua në Kishën ukrainase të Shën Anastasit. Në provincën Saskatchewan komuniteti ukrainas përbën 13% të numrit total të popullsisë dhe Kisha e Shën Anasatasit shërbeu si vendi i parë i pritjes për rreth 40 familje ukrainase që janë vendosur në Regina qysh pas nisjes së sulmit ushtarak të Rusisë në Ukrainë në shkurt të vitit që shkoi.

Nova Scotia - Në kuadrin e programit për përmirësimin e rrjetit rrugor, ministrja e Punëve Publike të provincës Nova Scotia, Kim Masland, njoftoi të premten e kaluar (06.01) vendimin e qeverisë për zgjerimin e autostradave 103, 104 dhe 107. Autostrada 103, e cila shkon nga Halifax në Yarmouth përgjatë bregut jugor të Nova Scotia, do zgjërohet nga dy korsi në katër deri në Chester. Po kështu në Argyle planifikohet ndërtimi i një interseksioni me mbikalime dhe nënkalime në daljet 32 ​​dhe 32A. Autostrada që shkon në Kepin Breton, 104, do të dyfishohet në një gjatësi shtesë rreth dhjetë kilometra midis rrugës Taylors dhe Paqtnkek, në lindje të Antigonish. Ndërsa në zonën metropolitane Halifax do të zgjerohet autostrada 107 midis Burnside dhe Loon Lake. Investimi total llogaritet në rreth 583 milion dollarë dhe punimet parashikohet të kryhen në harkun kohor 2025-2030.

Québec - Fermerët kultivues të boronicës së kuqe në provincën Québec kanë realizuar një prodhim rekord gjatë vitit 2022 në këtë kulturë frutore. Gjithsej vitin e kaluar u mblodhën 336 milionë paund, 116 milionë më shumë se në vitin 2021. Shoqata e Kultivuesve të Boronicave ka saktësuar se përqindja më e madhe e prodhimit (90%) u realizua në pjesën qëndrore të provincës. Sipas Vincent Godin, kryetar i shoqatës në fjalë, i cituar nga Radio-Canada, “ky sezon perfekt shpjegohet me kushtet ideale të motit gjatë vitit 2022, sepse ndryshe nga një vit më parë, nuk pati ekstreme, pra periudha të motit shumë të ftohtë në pranverë apo valë të zgjatura të të nxehtit gjatë verës”.

Ontario - Shoqata e Familjeve të Viktimave të Fluturimit PS752 (avion që do kryente itinerarin Teheran-Kiev) ka zhvilluar sot (08.01.) në Toronto një ceremoni përkujtimore me rastin e 3-vjetorit të kësaj tragjedie. Në ceremoni ka qenë i pranishëm edhe kryeministri Justin Trudeau, i shoqëruar nga disa ministra të kabinetit të tij. Po sot, takime të ngjashme janë zhvilluar edhe në 11 qytete të tjera kryesore të Kanadasë, nga një breg në tjetrin, nga Vancouver deri në St. John’s. Sipas organizatorëve, qëllimi i këtyre tubimeve është t’i kujtojnë qeverisë kanadeze se të afërmit e viktimave kërkojnë me vendosmëri zbardhjen e të vërtetës. Në tragjedinë e 8 janarit 2020, humbën jetën 176 vetë, nga të cilët 57 shtetas kanadezë. Avioni Boeing 737-800 i Ukraine International Airlines, u godit dhe u rrëzua nga artileria kundërajrore e Ushtrisë Iraniane sapo ishte ngritur në fluturim nga aeroporti i Teheranit.

©Flasshqip.ca me informacion nga Radio-Canada

Fotot: Radio-Canada

*Në foton kryesore lart, ekipi kombëtar kanadez i të rinjve në Hokej, që u shpall kampion bote për të 20-ët herë më 5 janar 2023.