Kanada

Presidenti amerikan Joe Biden do vizitojë Kanadanë në muajin mars

  • Published in Kanada

Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden do vizitojë Kanadanë në mars, njoftoi sot (10.01) Shtëpia e Bardhë pas një takimi dypalësh që ai zhvilloi me kryeministrin kanadez Justin Trudeau, në kuadrin e Samitit të liderëve të Amerikë Veriore (Kanada-SHBA-Meksikë) të pagëzuar “Three Amigos”, që po zhvillohet në Mexico City.

Kjo do të jetë vizita e pare kreut të SHBA në Kanada që nga nisja e mandatit në janar 2021. Sipas traditës, presidentët e SHBA e vizitojnë Kanadanë menjëherë pas marrjes së detyrës, por Biden e pat shtyrë vizitën e tij te fqinji verior, kryesisht për shkak të pandemisë, ndërkohë që në fillim të vitit 2022 nisi dhe lufta në Ukrainë.

Ende nuk janë bërë të ditur datat e sakta dhe itinerari i vizitës së kreut të shtetit amerikan në Ottawa, por një nga çështjet kryesore që pritet të diskutohet është Programi NEXUS. Sipas burimeve zyrtare, takimi Trudeau-Biden do rezultojë me një marrëveshje që do të lejojë rihapjen e qendrave të regjistrimit NEXUS në Kanada dhe parashikon që intervistat me zyrtarët e kufirit të SHBA të kryhen në territorin e aeroporteve kanadeze, ku tashmë ofrohen shërbimet e e kontrollit paraprak për udhëtarët me destinacion Shtetet e Bashkuara.

Programi NEXUS është krijuar për të përshpejtuar kalimet kufitare mes Kanadasë dhe Shteteve të Bashkuara për udhëtarët me rrezikshmëri të ulët dhe të miratuar paraprakisht. Programi menaxhohet së bashku nga Agjencia e Shërbimeve Kufitare të Kanadasë dhe nga Shërbimi Doganor dhe i Mbrojtjes së Kufirit të SHBA. Kartat e anëtarësimit NEXUS janë të vlefshme për 5 vjet dhe tarifa e aplikimit është 50 USD.

©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada

Foto: Associated Press/Andrew Harnik