Java Kanadeze - Lajme shkurt 15 janar 2023
- Published in Kanada
-British Columbia, miratohet projekti për një sauna lundruese në Victoria
-Saskatchewan, një pjesë e madhe e territorit të provincës u mbulua nga mjegulla
-Manitoba, aktivitet solidarizimi me të pastrehët në Winipeg
-Nova Scotia, një kirurge ortopede realizon zëvendësimin e ijes me ndihmën e një roboti
-Ottawa, provincat i kërkojnë qeverisë federale rishikimin e sistemit të lirimit me kusht
British Columbia - Këshilli bashkiak i Victoria, kryeqyteti i provincës British Columbia, ka miratuar unanimisht të enjten e kaluar (12.01) një rizonim që i mundëson një biznesi të ri të vendoset në portin e brendshëm të qytetit. Projekti, i quajtur HAVN, është një sauna lundruese që do të ankorohet në skelën Ship Point dhe do të ndërtohet brenda një anijeje të epokës së Luftës së Dytë Botërore. HAVN do të ofrojë disa sauna, pishina të ftohta dhe hapësira të gjelbra. Sipas Nick Van Buren, drejtor egzekutiv i projektit, modele biznesi të ngjashme kanë pasur sukses në Evropë dhe Kanadanë Lindore. Hyrja parashikohet të kushtojë midis 60 dhe 70 dollarë. Çmime të reduktuara gjithashtu do të ofrohen për anëtarët e programit bashkiak LIFE, i cili ndihmon qytetarët me të ardhura të ulëta të kenë akses në aktivitete dhe shërbime rekreative.
Saskatchewan - Sipas Environment Canada, një shtresë mjegulle mbuloi pjesën më të madhe të provincës Saskatchewan sot në mëngjes (15.01), duke vështirësuar kushtet e trafikut rrugor. Agjencia federale emetoi një paralajmërim për mjegull të vlefshëm për gjithë pjesën perëndimore, qendrore dhe juglindore të provincës. Qytetet më të prekura ishin Regina, Saskatoon, North Battleford, Gravelbourg, Estevan, Moose Jaw dhe Swift Current. Sipas paralajmërimit në fjalë, në disa zona shikueshmëria parashikohej të ishte afër zeros duke i bërë kushtet qarkullimit në rrugë të rrezikshme, veçanërisht përgjatë autostradës Trans-Canada. Situata erdhi duke u përmirësuar rreth mesditës.
Manitoba - Një aktivitet sportiv solidariteti mundësoi dje (14.01) në Winnipeg grumbullimin e një sasie veshjes në ndihmë të personave të pastrehë. Aktiviteti u organizua në favor të organizatës Main Street Project, që grumbullon donacionet për këtë kategori njerëzish në nevojë. Qytetarë të ndryshëm dhuruan artikuj për stinën e ftohtë si kapuçë, dorashka, shalle, xhupa dhe këpucë që u rezistojnë temperaturave të ulta. Moti i ngrohtë gjatë ditës e bëri më të lehtë pjesëmarrjen e rreth njëqind të pranishmëve që sollën donacione. Main Street Project, organizata përgjegjëse për shpërndarjen e donacioneve për përfituesit e ka mirëpritur nismën. “Kjo organizatë ka një strehimore që qëndron e hapur 24 orë në ditë dhe 7 ditë në javë, me 120 shtretër. 150 deri në 200 vetë qarkullojnë aty në çdo moment”, ka shpjeguar drejtoresha e projektit Anastasia Ziprick për Radio-Canada. Në fund të aktivitetit, pjesëmarrësit u bënë thirrje banorëve të Winnipeg që të tregojnë më shumë solidaritet dhe të kontribuojnë në ndihmë të të pastrehëve gjatë këtij sezoni dimëror.
Nova Scotia - Për herë të parë në Kanada është kryer një operacion i zëvendësimit total të ijeve me ndihmën e një roboti. Dr. Jennifer Leighton, kirurge ortopedike ka arritur ta realizojë këtë ndërhyrje nëntorin e kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Dartmouth në Halifax. Ajo përdori si asistente pajisjen e krijuar nga Mako SmartRobotics. Kjo pajisje me një krah robotik është blerë me një kosto prej dy milionë dollarësh, përmes një mbledhjeje fondesh që u organizua nga Fondacioni bamirës i Spitalit të Përgjithshëm Dartmouth. Kirurgja Leighton gjatë një demonstrimi para mediave të premten (13.01) ka deklaruar se roboti e ndihmon atë të jetë më e saktë gjatë procesit të ndërhyrjes tek pacienti. Sipas saj, çdo pajisje që redukton numrin e personave që duhen operuar në mënyrë të përsëritur është e mirëseardhur jo vetëm për vetë pacientët, por edhe për sistemin shëndetësor në përgjithësi. Në Nova Scotia, pacientët ndonjëherë duhet të presin deri në dy vjet për një zëvendësim të ijeve.
Ottawa - Kryeministrat e të gjitha provincave dhe territoreve të Kanadasë i kanë bërë thirrje qeverisë federale të rishikojë sistemin e lirimit me kusht, të cilin ata e konsiderojnë tepër liberal në rastet e posedimit të armëve të zjarrit të ndaluara. Kryeministrat argumentojnë se shumë grupe kanë kërkuar një ndryshim të tillë për të parandaluar të pandehurit që përfitojnë nga lirimi me kusht të kryejnë vepra të tjera kriminale. “Sistemi i drejtësisë duhet të parandalojë absolutisht të lëvizë lirshëm këdo që paraqet kërcënim për sigurinë publike. Siguria publike e kanadezëve dhe e policëve, mbrojtësve të rendit publik, nuk mund të presë më. Është koha për të vepruar”, shkruhet ndër të tjera në letrën e 13 kryeministrave drejtuar kryeministrit fedreal Justin Trudeau. Kryeministrat e provincave dhe territoreve kërkojnë ndryshime të shpejta në Kodin Penal, që është nën juridiksionin federal. Kërkesa e tyre vjen pas shumë thirrjeve për reformimin e sistemit të lirimit me kusht menjëherë pas vrasjes së policit 28-vjeçar Greg Pierzchala, efektiv i Policisë Provinciale të Ontarios.
©Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada; The Canadian Press