Kanada - Mbërrin në Ottawa presidenti i SHBA Joe Biden
- Published in Kanada
Përveç çështjeve tregtare dhe kufitare, Biden dhe Trudeau do diskutojnë gjithashtu situatën në Haiti, për të cilën SHBA mund t’i kërkojnë Kanadasë të ndërhyjë ushtarakisht.
Ashtu siç ishte paralajmëruar, presidenti i SHBA Joe Biden ka mbërritur në Ottawa dje në fillim të mbrëmjes (23.03) për një vizitë 27-orëshe. Është udhëtimi i tij i parë zyrtar në Kanada që nga zgjedhja president dy vjet më parë. Sipas The Canadian Press, "pavarësisht marrëdhënieve të përzemërta mes tyre, presidenti Biden dhe kryeministri Justin Trudeau do duhet të trajtojnë disa çështje të mprehta në fushën e tregtisë dypalëshe, sigurisë dhe imigracionit".
Në aeroportin ndërkombëtar të Ottawa kishin dalë për t’i uruar mirëseardhjen kreut të shtetit amerikan dhe zonjës së parë, Jill Biden, zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Financave Chrystia Freeland, ministrja e Punëve të Jashtme Mélanie Joly, ambasadori i SHBA në Kanada David Cohen si dhe ambasadorja e Kanadasë në Shtetet e Bashkuara, Kirsten Hillman.

Joe Biden dhe bashkëshortja u takuan fillimisht me Guvernatoren e Përgjithshme Mary Simon, ndërsa më pas morën drejtimin për në rezidencën private të kryeministrin Justin Trudeau në Rideau Cottage.
“Që nga viti 2009 (vizita e parë Barack Obama), ky është takimi i parë dypalësh, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, në Kanada, mes liderëve të dy vendeve ”, ka pohuar zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby.
Megjithëse Kanadaja dhe Shtetet e Bashkuara janë aleatë historikë dhe ndajnë kufirin më të gjatë në botë të pasurvejuar nga forca ushtarake, vizita e fundit zyrtare e një presidenti amerikan në Kanada ka qenë ajo e Barack Obama-s në vitin 2016, nëse nuk llogaritet pjesëmarrja e shkurtër e Donald Trump në Samitin e G7 (La Malbaie-Québec) në vitin 2018.
Një agjendë e ngjeshur e pret sot (24.03.) kreun e Shtëpisë së Bardhë. Ai do të takohet zyrtarisht me kryeministrin Trudeau në orën 11:20 dhe do të mbajë më pas një fjalim në Parlament duke filluar nga ora 13:50. Një konferencë për shtyp me Justin Trudeau është planifikuar në orën 15:45 dhe vizita e Joe Biden do mbyllet me një darke zyrtare në orën 18:30, në ambientet e Muzeut të Aviacionit dhe Hapësirës të Kanadasë.
© Flasshqip me informacion nga The Canadian Press
Foto: Associated Press/Andreë Harnik












