10 vjet në krye të Partisë Liberale: A po i vjen fundi ciklit Justin Trudeau? - Nga Fannie Olivier
- Published in Kanada
Fannie Olivier, Radio-Canada
Kur Justin Trudeau mori në dorë frenat e partisë së tij më 2013, Liberalët më në fund filluan të ëndërronin sërish fitoren. Një dekadë më vonë, është radha e Konservatorëve të shpresojnë për fillimin e një cikli të ri politik të favorshëm për ta.
Ishte njëlloj si fundi i një udhëtimi të gjatë dhe të mundimshëm përmes shkretëtirës. Kur Justin Trudeau u zgjodh triumfalisht në krye të partisë së tij në mbrëmjen e 14 prillit 2013, militantët liberalë u ndjenë sikur po ringriheshin pas një rrëzimi gati dhjetëvjeçar. Për shumë prej tyre, djali i Pierre Elliott Trudeau ishte shpëtimtari në krah të të cilit mund të ushqeheshin me shpresë. Fitorja ishte e padiskutueshme, me 80% të votave. Pritshmëritë shumë të mëdha.
Përpara një turme entuziaste anëtarësh të mbledhur në kryeqytetin federal, Justin Trudeau premtoi unitet dhe kohezion brenda një partie të minuar nga sherret e brendshme. Thelbi i fjalimit të tij ishte i zymtë: zgjedhësit u kishin kthyer shpinën Liberalëve sepse ata ishin “më të interesuar të luftonin me njëri-tjetrin sesa të luftonin për qytetarët kanadezë”. Kjo duhej të ndryshonte. “Nuk më intereson nëse je një liberal i Chrétien, një liberal i Turner, një liberal i Martin, apo ndonjë lloj tjetër liberali. Epoka e klaneve brenda Liberalëve përfundoi, pikërisht sonte”, pat deklaruar prerë ai. Dhe për këtë e mbajti fjalën.
Pas largimit të Jean Chrétien, as Paul Martin, as Stéphane Dion, as Michael Ignatieff nuk kishin arritur t’i bashkonin grupimet e ndryshme të një partie të shkatërruar nga betejat e brendshme. Ardhja ne krye të partisë e Justin Trudeau pati një efekt unifikues. Si drejtues i ri, ai ia doli të joshte një pjesë të elektoratit që ishte larguar nga partia: të rinjtë. Ai mundi ta realizojë këtë, ndër të tjera, edhe me mjete që ishin ende relativisht pak të papërdorura nga politikanët në atë kohë, si rrjetet sociale.
Menjëherë pas fitores, ai mori vendime që e kapërcenin të imagjinueshmen. Ndërkohë që skandali i shpenzimeve të Senatit u bë skup mediatik, ai i përjashtoi të gjithë senatorët liberalë nga grupi i tij parlamentar. Në spektrin e Majtë, ai e tejkaloi NDP (New Democratic Party) me një platformë zgjedhore që tërhiqte vëmendjen: legalizimin e marihuanës, taksën e karbonit, deficitin për disa politika të përcaktuara si dhe me një premtim për reformën elektorale, nga i cili më vonë do të hiqte dorë. Brenda partisë ndodhi ndërrimi i brezave dhe të rinjtë në zgjedhjet e 2015-ës iu përgjigjën favorshëm mesazhit të Liberalëve.
Hyrja në skenë e Pierre Poilievre
Dhjetë vjet më vonë, nga të cilët më shumë se shtatë në krye të qeverisë, shenjat e konsumimit kanë filluar të ndjehen dukshëm. Shifrat e sondazheve sa vijnë e bien dhe po bëhet gjithnjë e më e vështirë që partia t’u rezistojë polemikave të opinionit publik lidhur me shumë çështje kontroverse. Në anën tjetër, Partia Konservatore duket se po ringrihet dhe shpreson të ketë gjetur shpëtimtarin e saj.
Qysh nga disfata e Stephen Harper në zgjedhjet e vitin 2015, Konservatorët e patën të vështirë të rikonfiguronin imazhin e tyre dhe në dy përballjet e fundit, 2019 dhe 2021, Andrew Scheer dhe Erin O'Toole nuk ia arritën të krijonin besueshmërinë si një opsion më i mirë se Justin Trudeau. Por fati duket se po i buzëqesh Pierre Poilievre. Ashtu si Justin Trudeau në vitin 2013, edhe ai fitoi garën për drejtimin e partisë së tij, me gati 70% të votave.
Pavarësisht një përballjeje të ashpër dhe mesazheve polarizues, udhëheqësi i ri konservator, me ndonjë përjashtim të vogël, duket se ka gjetur recetën për të unifikuar radhët e partisë. Që nga largimi i Alain Rayes nga grupi, askush nuk ka shprehur mendim të kundërt, askush nuk e ka përplasur derën dhe askush nuk e ka kritikuar publikisht liderin e ri.
Pierre Poilievre, dyzetvjeçari dinamik që njeh mirë kodet e komunikimittë rrjeteve sociale, tashmë po e ushtron plotësisht rolin e liderit. Numri i abonentëve në kanalin e tij në YouTube po i afrohet shifrës 290,000, gati pesëfishi i numrit të abonentëve në kanalin anglofon të kryeministrit të Kanadasë. Justin Trudeau gjithashtu përuroi së fundmi kanalin e tij, i cili ka vetëm 2,830 abonentë.
Tashmë është Pierre Poilievre ai që tërheq më shumë dhe përfaqëson rininë. Edhe pse ligjërimi i tij jo gjithmonë krijon përshtypjen se përbën risi, ai po trajton gjithnjë e më shumë çështje të rëndësishme për brezin e moshës 35 vjeç e poshtë, si kostoja e jetesës, borxhi, aksesi në pronë, pabarazia e brezave etj. Edhe nëse ka plot që denoncojnë pozicionin e tij për problemet e ambientit apo kritikat e tij shpesh me tone të ashpra, ligjërimi i tij po bëhet gjithnjë e më terheqës për shumë të tjerë, aq sa, 10 vjet pas zgjedhjes së rivalit të tij kryesor në krye të Partisë Liberale të Kanadasë, lind natyrshëm pyetja nëse jemi dëshmitarë të përfundimit të një cikli dhe fillimit të një tjetri
Nga ana e tij, Justin Trudeau ka deklaruar se synon dhe e ka energjinë për t’u përballur në një betejë më liderin e ri Konservator. Liberalët janë ende të bashkuar dhe vazhdojnë të besojnë se Trudeau mund ta mundë Pierre Poilievre, por strategjia për ta mposhtur atë mbetet ende për t'u përcaktuar.
Nëse askush ende publikisht në radhët e Liberalëve nuk ka bërë thirrje që ai të largohet, në kulisa dihet që disa prej ministrave të tij synojnë që në rast largimi të zënë vendin e tij.
Megjithatë, duhet shumë nuhatje për të parashikuar fundin e ciklit që do ta shtyjë Justin Trudeau të tërhiqet nga skena politike. Kur kjo të bëhet realitet, një nga rreziqet me të cilët do përballen Liberalët do të jetë sigurisht rikthimi i “epokës së klaneve”.
Burimi: Radio-Canada
https://ici.radio-canada.ca/nouvelle/1971158/justin-liberal-chef-changement-poilievre
E shqipëroi nga frengjishtja Flasshqip.ca
Fotot: The Canadian Press/Sean Kilpatrick/Adrian Wyld/Patrick Doyle