Java Kanadeze - Lajme shkurt 23 prill 2023
- Published in Kanada
Oasis of the Seas në portin e Halifax - 2022
-British Columbia, Universiteti i Victoria-s do ofrojë një program të specializuar për ndryshimet klimatike
-Saskatchewan, qeveria federale financon 900,000 dollarë në sektorin e industrisë kinematografike
-New Brunswick, shuhet në moshën 101 vjeçare veterani i Luftës së Dytë Botërore Angus Hamilton
-Nova Scotia, një hotel në Halifax shndërrohet në klinikë mjekësore dhe vendstrehim për të pastrehët
-Québec, manifestime në qytetet kryesore të provinces me rastin e Ditës së Tokës
-Ontario, qeveria vendos krijimin e një parku provincial urban në Uxbridge
British Columbia - Universiteti i Victoria-s në provincën British Columbia, ka vendosur të ofrojë një program të ri që do të përgatisë studentë të cilët synojnë t’ia kushtojnë karrierën e tyre ndryshimeve klimatike. Programi i nivelit Bachelor në Shkencat e Ambientit do të kombinojë kurse ekzistuese të kësaj fushe dhe kurse të shkencave sociale, për t’i përgatitur studentët të jenë të aftë të analizojnë dhe interpretojnë të dhënat, për t’i komunikuar ato dhe për të ndihmuar në hartimin e politikave. Sipas David Atkinson, një nga drejtuesit e programit të ri, ky është i pari i këtij lloji në Amerikën e Veriut dhe po krijohet në përgjigje të një interesi në rritje për drejtësinë sociale nga ana e studentëve, të cilët duan të angazhohen për t’iu dhënë përgjigje adekuate ndryshimeve klimatike. Kombinimi i kurseve do përfshijë kompetencat teknike si dhe ato të përgjithëshme. Programi i ri parashikohet të nisë muajin e ardhshëm.
Saskatchewan - Qeveria federale kanadeze po investon 900,000 dollarë në një program mentorimi për realizimin e filmave, për të mbështetur zhvillimin e kësaj industrie në provincën Saskatchewan. Saskatchewan Media Production Industry Association (SMPIA) është institucioni që po e mbikëqyr dhe zbaton këtë program, i cili nisi në fillim të prillit të sivjetëm dhe do të zgjasë një vit. Sipas SMPIA, burimi i investimit vjen nga Canada Economic Development for the Prairies dhe drejtori i shoqatës, Ken Alecxe, ka shpjeguar për Radio-Canada se programi synon të mbështesë 50 persona nga Saskatchewan, që të marrin njohuri të plota rreth industrisë së televizionit në provincë. Programi ofron seminare trajnimi dhe vende pune në kompanitë mediatike të Saskatchewan për ata që janë të interesuar të operojnë në industrinë e filmit. Lista e pjesëmarrësve përfshin jo vetëm individë që synojnë të aktrojnë apo të mësojnë përdorimin e kamerave, por edhe të interesuar për dekorin dhe ndriçimin.
New Brunswick - Një veteran kanadez i Luftës së Dytë Botërore u nda nga jeta në Fredericton të provincës New Brunswick vetëm tre ditë para se të mbushte moshën 101 vjeç. Angus Hamilton, i cili shërbeu si teknik i radarëve, u shua në paqe në shtëpinë e vet mëngjesin e 15 prillit, i rrethuar nga familjarët, dhe u varros të enjten e kësaj jave (20.04). Vajza e tij, Anne Hamilton ka rrëfyer për Radio-Canada se babai i saj pat lindur në Listowel, Ontario më 18 prill 1922 dhe vitet e para i jetoi në kohën e Depresionit të Madh. Sipas saj, lufta pati një ndikim të madh në jetën e të jatit, sepse i dha atij mundësinë për të parë botën dhe për të ndjekur arsimin e lartë. Në një intervistë nëntorin e kaluar, ndërsa merrte pjesë në ceremoninë e Ditës së Përkujtimit, Angus Hamilton pat thënë se endërronte të bëhej pilot, por meqënëse kishte probleme me sytë, u bë teknik i radarëve në radhët e Forcës Ajrore Mbretërore Kanadeze, duke shërbyer në skuadriljet luftarake të natës në Irlandën e Veriut dhe Indi deri në fund të luftës. Pas kthimit në shtëpi pas luftës, Hamilton u zhvendos fillimisht në Ottawa, ku pati një karrierë në hartografi dhe rilevim, pranë institucionit që sot quhet Ministria Federale e Burimeve Natyrore. Më pas u transferua përfundimisht në Fredericton, ku u bë shef i Departamentit të Gjeodezisë në Universitetin e New Brunswick.
Angus Hamilton
Nova Scotia - Sipas nje deklarate të publikuar të premten (21.04) nga qeveria e provincës Nova Scotia, një hotel në rajonin e Halifax do të kthehet në vendstrehim afatmesëm për të pastrehët dhe njëkohësisht në klinikë mjekësore. Hoteli DoubleTree by Hilton në Wyse Road të Dartmouth, strehon aktualisht disa të pastrehë sipas një marrëveshjeje me provincën, që përfundon këtë muaj, ndërsa tashmë qeveria Progresiste-Konservatore ka vendosur marrjen me qira të 190 dhomave të DoubleTree nga 1 maj 2023 deri më 24 mars 2024. Në ambientet e hotelit do të hapet dhe një klinikë mjekësore e cila do të jetë e destinuar jo vetëm për klientët e pastrehë, por edhe për pjestarë të komunitetit që jetojnë aty pranë dhe që do të referohen nga Autoriteti Shëndetësor Provincial në rast nevojë për trajtim. Sipas qeverisë së Nova Scotia, kjo lloj klinike do të jetë e para e këtij lloji në provincat kanadeze të Atlantikut dhe do të ndihmojë në zvogëlimin e radhëve të pritjes në dhomat e urgjencës dhe klinikat e urgjencës si dhe do të zvogëlojë kohëzgjatjen e qëndrimit në spital për të pastrehët. “Anëtarët e komunitetit tonë kanë nevojë për ndihmë tani”, ka pohuar ministrja e Shërbimeve Komunitare Karla MacFarlane në deklaratën zyrtare të së premtes. Kostoja e projektit do jetë 14 milionë dollarë, nga të cilët 10 milionë për qiranë e hotelit për 11 muaj dhe 3,85 milionë për shërbimet që do të ofrohen aty. Klinika do të jetë e hapur shtatë ditë në javë dhe disa profesionistë shëndetësorë do të mbështesin gjithashtu banorët e përkohshëm të hotelit të kalojnë drejt në një lloj tjetër strehimi më të pavarur.
Karla MacFarlane
Québec - Mijëra vetë kanë manifestuar në qytetet kryesore të provincës frankofone pasditen e së shtunës (22.04), me rastin e Ditës së Tokës, për të kërkuar masa konkrete politike në luftën kundër ndryshimeve klimatike. Dy manifestime të mëdhenj u mbajtën në Montreal dhe Quebec City dhe disa të tjerë në qytetet Rimouski, Trois-Rivières, Joliette, Sherbrooke, Chicoutimi, Rouyn-Noranda dhe Baie-Comeau. Persona nga grupmosha dhe sfera të ndryshme aktiviteti, përfshirë komunitetin, sindikatat, studentë dhe aktivistë të mjedisit, kërkuan ndër të tjera ndërprerjen e shfrytëzimit të lëndëve djegëse fosile dhe një investim në rrjetin e sigurisë sociale për një tranzicion të drejtë dhe gjithëpërfshirës. Manifestimet në kuadrin e Ditës së Tokës u zhvillua një ditë pas publikimit të një raporti të Organizatës Botërore Meteorologjike të Kombeve të Bashkuara (WMO), i cili paralajmëroi se akullnajat po shkrihen me një shpejtësi të madhe pa mundur që ky fenomen të parandalohet. Raporti konfirmonte se temperatura mesatare e planetit në vitin 2022 ishte 1,15 gradë më e lartë se në kohët para-industriale. Për më tepër, tetë vitet e fundit kanë qenë më të nxehtët e regjistruar ndonjëherë.
Ontario - Township of Uxbridge, rreth 70 kilometra në verilindje të Torontos, do të jetë vendndodhja administrative e parkut të parë provincial urban të Ontarios. Ky park do t'i shtohet 340 parqeve të tjerë në provincë. Qeveria Ford ka objektiv të shpallë si zonë e mbrojtur deri në 532 hektarë tokë brenda territorit të Oak Ridges Moraine, një zonë 50% më e madhe se ajo e Central Park në New Jork. Në një njoftim për shtyp, Ministria e Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Parqeve bëri me dije se kjo zonë e re e mbrojtur do t'u mundësojë banorëve të shëtisin dhe vëzhgojnë zogjtë. Hapja e një parku të ri provincial në Uxbridge do t'u ofrojë gjithashtu familjeve dhe anëtarëve të komunitetit opsione të reja për të shijuar natyrën gjatë gjithë vitit. Peter Bethlenfalvy, Ministër i Financave dhe MPP për Pickering-Uxbridge, i cituar nga Radio-Canada, ka pohuar se qeveria provinciale do të kryejë analiza dhe konsultime gjatë muajve të ardhshëm për të përcaktuar planin përfundimtar të parkut urban. Ndërkohe, David Piccini, Ministër i Mjedisit, Mbrojtjes së Natyrës dhe Parqeve, në një deklaratë për shtyp u shpreh se “ne presim me padurim mundësinë për të punuar me publikun e gjerë dhe palët e interesuara lokale për të realizuar këtë projekt, në mënyrë që banorët dhe vizitorët të mund të shijojnë natyrën pranë këtij rajoni që po urbanizohet me hapa të shpejtë. Qeveria Ford e shpalli publikisht idenë e një zone të mbrojtur urbane në Uxbridge gjatë paraqitjes së buxhetin për këtë vit fiskal. Vendndodhja e saktë e këtij parku të ri do të njoftohet në ditët në vazhdim.
David Piccini
© Flasshqip me informacion nga Radio-Canada
Fotot: Radio-Canada