Toronto – Bashkia synon përmirësimin e shërbimit ndaj të moshuarve
- Published in Kanada
Këshilli Bashkiak i Torontos miratoi të martën në mbrëmje 27 rekomandime, të cilat i përmban versioni i përditësuar i Strategjisë për përmirësimin e kushteve të jetesës së personave të moshës së tretë.
Aktualisht në Toronto, ka më shumë banorë mbi 65 vjeç sesa të rinj nën 15 vjeç dhe numri i “baby-boomers” në pension nga sot deri në vitin 2041 pritet të dyfishohet. Kjo situatë e ka detyruar Bashkinë të rishikojë prioritetet e saj sa i takon shërbimeve për të moshuarit, veçanërisht në fushën e strehimit.
Sipas kryebashkiakut John Tory, strehimi në kushte të përshtatshme është një nga preokupimet më të rëndësishme për moshat e treta. Ky problem është evidentuar edhe në tryezat e ndryshme të diskutimit rreth kësaj teme gjatë përgatitjes së Projekt-Strategjisë së përditësuar. “Duhet koordinuar një numër i madh shërbimesh për të moshuarit dhe duhet thjeshtuar aksesi i tyre.” - ka deklaruar John Tory për Radio-Canada.
Shërbimet në fjalë, parashikojnë për shembull, kujdes dentar falas si dhe banesë sociale të përshtatshme për personat pensionistët me të ardhura të ulëta. Aktualisht, Bashkia po merr masa të tjera sidomos për informimin më mirë të të interesuarve në lidhje me programet në dispozicion, veçanërisht programin për lehtësimin e barrës fiskale, që parashikon shtyrjen në kohë të pagesës. Gjithmonë sipas kryetarit të Bashkisë, administrata e tij së shpejti do hartojë një plan të posaçëm për krijimin e një modeli shërbimesh të integruara për strehimin dhe mbështetjen e moshave të treta.
Toronto e miratoi për herë të parë në vitin 2013 Strategjinë për të moshuarit e cila përmbante 91 rekomandime në shërbim të përmirësimit të shërbimeve ndaj kësaj shtrese dhe pikërisht në fushën e transportit dhe përfshirjes sociale, me synim përballimin në mënyrë adekuate dhe efikase të fenomenit të mplakjes së popullsisë.
Burimi: Radio-Canada












