Kanada

Kolumbia Britanike: Verë më e nxehtë se zakonisht dhe sërish rrezik zjarresh në pyje

  • Published in Kanada

Sipas parashikimeve të publikuara nga Environment Canada për muajt maj, qershor dhe korrik, në provincën e Paqësorit, Kolumbia Britanike, vera pritet të jetë më e nxehtë dhe më e thatë se zakonisht.

Ky është një lajm i mirë për pushuesit dhe frekuentuesit e pishinave, plazheve dhe shëtitjeve në natyrë e ajër të pastër. Por ky lajm është edhe burim shqetësimi për disa të tjerë. Ai do të thotë që rreziku i rënies së zjarrit nëpër pyje do jetë akoma më i madh këtë verë, në një territor ku një fenomen i tillë ka dëmtuar sipërfaqe të tëra më parë.

Sistemi kanadez i informacionit mbi zjarret në zonat me vegjetacion, ka publikuar së fundi një hartë që tregon se cilat janë zonat më në rrezik në qershor, korrik dhe gusht. Këto parashikime përdoren për të vlerësuar riskun e mundshëm të rënies së zjarreve dhe për të dhënë paralajmërimet përkatëse në kohë. Kjo gjithashtu u shërben ekipeve të specializuara në luftën kundër zjarreve që të vlerësojnë shpejtësinë me të cilën mund nisin dhe të përhapen zjarret.

Viti 2017 ka qenë periudha më e zezë për Kolumbine Britanike sa i përket zjarreve në pyje, kohë kur u dogjën rreth 900 000 hektarë tokë pyjore dhe me vegjetacion. Kostoja e operacionit kundër zjarreve më 2017 i pat kushtuar 300 milionë dollarë buxhetit të provincës.

Burimi: Radio-Canada