Pak histori kanadeze: Xhon Grejvs Simko - Nga Arben Kallamata
- Published in Kanada

Arben Kallamata
Kjo pikturë më poshtë tregon fillimin, më 28 dhjetor 1795, të punimeve për ndërtimin e rrugës Jang (Yonge Street), boshti kryesor Veri-Jug i qytetit të Torontos. Rruga fillon buzë liqenit të Ontarios në Jork (York-sot Toronto) dhe vazhdon deri në liqenin Simko (Simcoe Lake) pranë qytetit të Berit (Barrie).
Rrugës Jang ia ka vënë emrin ish Zëvendës Guvernatori i Kanadasë së Epërme (Upper Canada-sot Ontario), Xhon Grejvs Simko (John Graves Simcoe). Simko zgjodhi emrin e Sir Xhorxh Jang (George Yonge) një ekspert i rrugëve të lashta romake. Zëvendës Guvernator ka qenë dhe është titulli i përfaqësuesit të mbretit në ish-kolonitë angleze të Amerikës së Veriut, sot në provincat e Kanadasë.
Xhon Grejvs Simko është një ndër figurat më interesante që kanë drejtuar në kolonitë angleze në Amerikën e Veriut. Ai është i njohur si nismëtari, nxitësi dhe nënshkruesi i Ligjit Kundër Skllavërisë (1793) që çoi në ndalimin e skllavërisë në Kanadanë e Epërme në vitin 1810. Ky veprim e bënte atë që sot është Provinca e Ontarios, njësinë e parë administrative në Perandorinë Britanike që nxirrte jashtë ligji skllavërinë. Njëzetetre vjet më vonë ligji i Ontarios u pasua nga Ligji për Ndalimin e Skllavërisë (Slavery Abolition act 1833) në Londër që e ndalonte skllavërinë në të gjithë Perandorinë Britanike.
Yonge Street në ditët e sotme
Xhon Grejvs Simko i ka dhënë emrin qytetit London (në Ontario), liqenit Simko (në nderim të të atit) dhe Lumin Tejmz.
Në nderim të tij ka marrë emrin qyteti Simko, në jugëperëndim të Ontarios, një shkollë në St. Katerinë dhe një tjetër në London, Ontario, si edhe tre rrugë paralele në Toronto: Rruga Xhon, Rruga Grejvs dhe Rruga Simko (të treja ndodhen jo shumë larg fortesës së Jorkut, ku ka jetuar Xhon Grejvs Simko. (Më vonë, Rruga Grejvs është riquajtur Rruga Dankën). Rrugë të quajtur Simko ka edhe në Nju Uestminster, në Niagara Falls, etj., ndërsa pranë Kingston, Ontario ndodhet një ishull që mban emrin e tij.
Xhon Graves Simko njihet edhe si autori i të parës letër të Shën Valentinit të shkruar në kontinentin amerikan, të cilën ai ia dërgonte Sarah “Sally” Taunsend.
Çuditërisht, në serialin dramatik amerikan “Turn: Washington Spies” (2014-2017) Simko portretizohet si një sociopat i egër dhe i pamëshirshëm. Po ky është thjesht këndvështrim amerikan.
© Arben Kallamata