Kanada

Modifikohet himni kanadez në emër të barazisë gjinore

  • Published in Kanada

Pas një maratone proceduriale shkaktuar nga kundërshtimi i Konservatorëve, Senati kanadez para një muaji miratoi një ndryshim në tekstin e Himnit Kombëtar në emër të barazisë gjinore. Ky ndryshim do prekë vetëm versionin anglisht. Vargu "true patriot love in all thy sons command" (dashuria e vertetë për atdheun udhëheq gjithë bijtë e tu) do zevendësohet ketej e tutje me "in all of us command" (na udhëheq të gjithëve). Fjala "bijtë" është konsideruar si diskriminuese nga propozuesit e ndryshimit, ndërsa "të gjithëve" (all of us), sipas tyre do të mundësojë gjithpërfshirjen e të dy gjinive (femra dhe meshkuj) pa dallim apo diskriminim. Projekti u depozitua qysh në janar 2016 nga deputeti liberal Maurice Bélanger i cili për fat të keq u nda nga jeta vitin e kaluar si pasojë e një sëmundje të rënde. Miratimi është përshëndetur edhe nga Kryeministri Trudeau për te cilin tema e barazisë gjinore mbetet nga më të rëndësishmet.

Versioni i parë origjinal i “O Canada” ka ekzistuar në gjuhën frengjisht dhe nuk ka ndryshuar prej vitit 1880. Varianti në anglisht u zyrtarizua më vonë dhe ka pësuar shumë ndryshime të vogla përgjatë viteve. Kësisoj, teksti i himnit që deklamonte në vitin 1908 gjyqtari R. Stanley Weir në nderim të 300 vjetorit të krijimit të Québec-ut nuk kishte fjalën “sons” por “thou in dost in us command”. Përemri “us” u zëvendësua me “sons” në fund të Luftës së I Botërore si një lloj kompensimi për përpjekjet patriotike të ushtarëve kanadezë. Për ata që mbështetën modifikimin rikthimi në versionin origjinal konsiderohet jo vetëm një rikthim historik por edhe nje mënyrë për të dëshmuar që edhe femrat sakrifikuan për luftën. Kundërshtarët e modifikimit kanë patur një mendim të ndryshëm. Sipas tyre, himni nuk i përjashton femrat por është një trashëgimi historike që vlerëson sakrificat e luftës.  Kjo për këta të fundit nuk ishte vecse një humbje kohe dhe shpenzim i panevojshëm. Ndërkohë, pas miratimit nga Senati etapa e fundit mbetet firma e Guvernatores së Përgjithshme Julie Payette.