Kanada

Para Samitit G7, Macron–Trudeau takohen në Ottawa

  • Published in Kanada

Presidenti francez Macron dhe Kryeministri kanadez Trudeau janë takuar dje në Ottawa, një ditë para fillimit të Samitit të G7, që do të zhvillohet më 8-9 qershor në Malbaie, Quebec.  

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, presidenti francez ka kritikuar hapur, presidentin amerikan Trump në lidhje me vendimet e tij sa i takon tregëtisë ndërkombëtare dhe marrëveshjes bërthamore me Iranin.

“Nuk mund ti bëhet luftë tregëtare aleatëve-ka thënë Macron. Ndoshta presidenti amerikan nuk do t’ia dijë që është sot i izoluar, por dhe ne të tjerët jemi 6 nëse do të jetë nevoja”.

Macron dhe Trudeau, kanë theksuar dje se do të jenë në një front të përbashkët, përsa i takon qëndrimit në lidhje me taksat doganore mbi çelikun dhe aluminin.

Me një ton më diplomatik se homologu francez, Trudeau ka deklaruar se “Samiti G7 është një mundësi më shumë për t’u mbledhur dhe për të diskutuar hapur dhe sinqerisht.”

Gjithsesi dy drejtuesit e Kanadasë dhe Francës, nuk kanë dhënë më shumë detaje mbi strategjinë që do të ndjekin në Samitin e nesërm.

Burime të qeverisë kanadeze kanë deklaruar për Radio Kanada që do të tentohet çdo lloj metode për ta bindur presidentin amerikan të ndryshojë strategji. Gjatë konferencës për shtyp, Macron ka përshëndetur edhe faktin që Franca dhe Kanadaja ndajnë të njëjtin vizion të përbashkët për të ardhmen e njerëzimit. Dy liderat gjithashtu kanë nënshkruar deklaratën franko-kanadeze mbi inteligjencën artificiale që do të mundësojë edhe kijimin e një grupi ekspertësh ndërkombëtarë.

Në të njëjtën kohë, ata u angazhuan për krijimin e një fondi trans-atlantik prej 120 milion dollarësh për të mbështetur  zhvillimin e aktivitetit të ndërmarrjeve kanadeze e franceze në dy vendet respektive.

Burimi:  Radio Kanada