Kanada

National Hockey League: Arbër Xhekaj nënshkruan kontratën e re me Montreal Canadiens

  • Published in Kanada

Siç ka bërë të ditur Radio-Canada Sports, para pak ditësh lojtari i National Hockey League (NHL), mbrojtësi me fanellën me numër 72 Arbër Xhekaj, ka pranuar një kontratë të re dyvjeçare me vlerë 2.6 milionë dollarë me Montreal Canadiens (CH). Para nënshkrimit të kontratës së re, Xhekaj kishte statusin e lojtarit autonom me pagesë. Asnjëherë i seleksionuar në fazën përzgjedhëse të NHL, Xhekaj fillimisht iu bashkua CH pasi nënshkroi një kontratë fillestare më 4 tetor 2021.

I njohur për fuqinë e tij dhe aftësitë e boksimit, lojtari 23-vjeçar po rikuperohet nga operacioni në shpatullën e majtë, pas një dëmtimi të pësuar më 10 prill, i cili i dha fund sezonit të tij. Një vit më parë, ai gjithashtu kishte bërë një operacion në shpatullën tjetër.

Në sezonin 2023-2024, ontariani nga Hamilton me baba shqiptar dhe nënë çeke, shënoi 3 gola dhe kreu 7 asistime në 44 ndeshje. Ai ka realizuar gjithashtu dhe gjuajtjen më të fuqishme nga i gjithë ekipi dhe është një nga personazhet më të admiruar nga publiku hokejdashës i metropolit frankofon, sidomos nga të rinjtë. 125 ndërhyrjet e tij në mbrojtje (checking) ishin një rekord për Canadiens. Checking është një lëvizje mbrojtëse që synon shkëputjen e rondeles nga kontrolli i kundërshtari në ndeshje trup më trup, përballë ose paralelisht.

Gjatë sezonit në fjalë, Xhekaj luajti edhe për Laval Rocket në Ligën Amerikane, ku grumbulloi 11 pikë, përfshirë 3 gola, në 17 ndeshje. Mbrojtësi shtatlartë 1.93 m e  kaloi megjithatë shumicën e dy sezoneve të tij profesionale në NHL me Canadiens duke realizuar 8 gola dhe 15 asistime në 95 ndeshje. Ai mori gjithashtu 182 minuta penalitet.

Më parë, Arbër Xhekaj ka luajtur tre sezone me Kitchener Rangers dhe një tjetër me Hamilton Bulldogs në OHL (Ontario Hockey League). Ai fitoi titullin kampion me Bulldogs në vitin 2022 dhe mori pjesë në finalen e Kupës Memorial, të cilën ekipi i tij e humbi 3-6 ndaj Sea Dogs të Saint-Jean.

© Flasshqip.ca me informacion nga The Canadian Press dhe Radio-Canada Sports

Foto : Getty Images/Alika Jenner