Discovery

Inteligjenca Artificiale, parashikimi i paparashikueshëm - Nga Shefqet Deliallisi

A është bota e përgatitur për stuhinë e Inteligjencës Artificiale që po afrohet? Shpejtësia e papritur me të cilën po zhvillohet dhe drejtimin në të cilin po shkon ka habitur dhe ekspertët.

Rrezik imediat konsiderohet papunësia që do pasojë ndërsa robotët e Inteligjencës Artificiale do bëhen gjithnjë e më të zgjuar, më të shkathët dhe për të njëjtën punë do të kërkohen gjithnjë e më pak njerëz.

Një raport i fundit i Bankë së Investimeve Goldman Sachs thotë se Inteligjenca Artificiale mund të zëvendësojë 300 milionë vende pune me kohë të plotë.

Fati i kalit

Në vitin 2016 në një nga esetë e tij Umberto Eco shkruan: "Mendoni 100 apo më shumë vite më parë kali përdorej kudo, në transport, në bujqësi, në miniera dhe në luftë. "Kuajfuqi"-a ende përdoret si njësi e matjes për energjinë. Më pas erdhi automobili, i dobishëm fillimisht për kuajt pasi lehtësoi së tepërmi punën e tyre. Automatizimi bëri që kali të duhej gjithjë e më pak, derisa sot përfundimisht është pothuajse i papunë".

"Stuhi" që po afrohet

Puna manuale, e kualifikuar dhe pakualifikuar, ka kohë që është zbehur. Në fabrika, ferma, shohim makina që janë më ekonomike, më të shpejta, më të sakta, që zëvendësojnë njeriun.

Tashmë Inteligjenca Artificiale pritet të shkojë shumë më larg, të nxjerrë jashtë tregut të punës edhe specialistë me aftësi të larta. Inteligjenca njerëzore po transferohet me shpejtësi nga truri te kompjuteri duke kërcënuar punën e juristëve, mjekëve, arkitektëve, mësuesve, madje edhe të artistëve. Kompjuteri po kompozon, po pikturon, po shkruan.

Ekspertët

Vinod Khosla, lider botëror në fushën e Inteligjencës Artificiale, në një intervistë të fundit (2024), është i bindur se IA mund të zëvendësojë punën: "Mendoj se në afatgjatë, 30, 40, 50 vjet, nevoja për të punuar do të zhduket në shumicën e vendeve të botës, ndërsa mjekët parashikoj se 80% e tyre brenda një brezi do zëvendësohen nga inteligjenca artificiale".

Elon Musk, themeluesi i Tesla dhe SpaceX, në 28 maj 2024 shprehet: "Njerëzit do të punojnë vetëm nëse dëshirojnë, puna s'do jetë më e nevojshme, IA dhe sistemet robotike do të prodhojnë të gjitha mallrat, do sigurojnë të gjitha shërbimet që duhen, punë mund të bëhet vetëm për hobi".

Ndërsa shkencëtari anglo-kanadez, Geoffrey Hinton, një nga etërit e Inteligjencës Artificiael, fitues i Nobel në Fizikë për vitin 2024, mbasi dha dorëheqjen nga Google, në 2 maj 2023, paralajmëroi rreziqet në rritje nga avancimi i shpejtë në fushën e Inteligjencës Artificiale: "Inteligjenca Artificiale mund të shkatërrojë njerëzimin në 30 vitet e ardhshme".

Elon Musk, së bashku me mbi 1000 liderë të tjerë të teknologjisë, në një letër të hapur në vitit 2023 kërkonin ndalimin e eksperimenteve të mëdha në fushën e Inteligjencës Artificiale, sepse mund të "paraqesë rreziqe të mëdha për shoqërinë dhe njerëzimin".

Një botë pa punë

Puna është pazgjidhshmërisht e lidhur me qenien njerëzore. Filozofët të mëdhej si Marksi, Bergson, Dewey, kanë argumentuar se puna është një tipar përcaktues i racës njerëzore, jo vetëm mjet jetese, por nevojë kryesore e jetës. Tiparet e Homo Sapiensit modern janë të lidhura drejtpërdrejt me prirjen e tij për të punuar. Ishte puna që krijoi njeriun duke e kthyer nga kafshë në njeri. Gjetjet bashkëkohore në arkeologji, antropologji, gjenetikë konfirmojnë vërtetësinë e këtyre argumentave.

Shumë pyetje

Fatkeqësisht parashikuesit shpërfillin rolin thelbësor që puna ka luajtur në zhvillimin e njeriut, madje disa prej tyre "zhbërjen e punës" e shohin si një mundësi për të kaluar në një model më të drejtë shoqëror.

Por cilat do të ishin pasojat e një bote pa punë për racën njerzore? Nëse makinat do bënin punën njerëzore, çfarë do të bënin njerëzit?  Ç’do të ndodhte me njeriun ndërsa do zhvillohej nën presionin selektiv të sistemeve të Inteligjencës Artificiale dhe robotikës? Mundemi ne të eleminojmë punën, t’i ndryshojmë rrjedhën evolucionit? Do të ishte absurde të mendohej që trashëgimtarët e mijëra viteve evolucion, të mund të ndalnin evolucionin.

Po me trurin?

Truri ynë vepron si një softwar i një hardwar që është organizmi. Evolucioni është histori e ndryshimit të pandalshëm, përpjekje e jetës për t’u përshtatur në çdo mënyrë të mundshme. Dhe truri qëndron në themel të evolucionit. Eshtë truri që ka ndryshuar në rrjedhën e evolucionit, bashkë me të ka ndryshuar dhe qenia njerëzore. Në epokën e re që sapo kemi hyrë, pjesë të rëndësishme të inteligjencës njerëzore po i transferojmë nga truri në sistemet e Inteligjencës Artificiale.

Po trurin për çfarë do ta përdorim? A do ta nxjerrim edhe atë të papunë? Po mungesa e akivitetit do ta atrofizojë atë? Kemi një ekperiencë. Mungesa e aktivitetit fizik si pasojë e automatizimit është një nga shkaqet e epidemisë botërore të obezitetit që ka transformuar sëmundshmërinë botërore me shpërthimin e sëmundjeve të zemrës, diabetit, kancerit, që po trondisin sistemet shëndetësore.

Shqetësimi i Platonit

Një shqetësim të ngjashëm ka shprehur Platoni shekuj më parë, në lidhje me lindjen e shkrimit, kur qenia njerëzore transferoi jashtë trurit një pjesë të memories së saj. Platoni shqetësohej se para lindjes së shkrimit, njerëzit kishin një memorie shumë më të mirë, shumë gjëra i dinin përmendësh dhe me lindjen e shkrimit s'kishin më nevojë, gjithçka ishte shkruar.

Sot për një kohë shumë të shkurtër kemi shkuar shumë larg. Refleksi i parë pas çdo pyetje që na del është të hapim celularin dhe të kërkojmë përgjigjen në Wikipedia ose Google. Në njejtën mënyrë kemi transferuar edhe aftësinë tonë për të llogaritur. Tabela e shumëzimit që dikur mësohej përmendësh është harruar.

Parashikimi i paparashikueshëm

Çfarë do të ndodhë me trurin? Do ta përdorim për diçka tjetër, apo ndoshta Inteligjenca Artificiale mund të jetë një stimul i proceseve të inteligjencës njerëzore? Ndoshta!

Sot kemi mundësi të bëjmë vetëm parashikime afatshkurtra në lidhje me Inteligjencën Artificiale, parashikimi afatgjatë është shumë i pasigurtë dhe duhet të merret me rezervë.

Nuk dihet se si teknologjia do të evoluojë. Ekspertët mendojnë se duhet ndalur vrapi, madje duhet një hap prapa. Avantazhet e Inteligjencës Artificiale janë të padiskutueshme, ashtu si dhe rreziqet. Është thelbësore të investohet më shumë dhe sa më parë në sigurinë dhe kontrollin e saj.

Duke e mbyllur

Shefi i Google, Sundar Pichai, në një intervistë dhënë kohë fundit u shpreh: "Mos bëni gabim, ne jemi në një tren me shpejtësi të lartë për momentin, shqetësimi është se një ditë vetë treni do të fillojë të ndërtojë shinat e tij".

© Shefqet Deliallisi