E famshmja Poutine - Nga Jeta Dedja
Qëkur mora shtetësinë kanadeze më lindi një si ndjenjë përgjegjësie të mësoj jo vetëm historinë por edhe zakonet e traditat e vendit tim të ri. E kështu ia nisa nga leximet, vëzhgimet, biseda me vendalinj si edhe me përfshirje në aktivitete komunitare në qytetin ku banoj, duke testuar ndër të tjera edhe pijet e ushqimet tradicionale. Kur të vijë dita do t’i publikoj.
Ajo që mund të ndaj sot është një gatim tradicional Québecois që quhet “Poutine” (shqiptohet 'putin' ose 'put’cin' në Québec). Kjo fjalë prej mëse një viti është prezent në çdo edicion lajmesh. E merrni me mend pse?
Meqënëse jam "bombarduar" mediatikisht me emrin Poutine, mendova se duhet ta mësoja se si gatuhet dhe të shihja nëse do më shtoheshin pikët tek termometri im i integrimit dhe përkatësisë kanadeze.
Poutine është një nga pjatat e famshme të Kanadasë, e këndshme e shijshme dhe e thjeshtë. Patate të skuqura, që pothuajse mbyten me salcë speciale me lëng mishi, dhe copa djathi. (Ky është ai lloj djathi që përftohet pasi i është hedhur qumështit mullëza dhe kultura e domosdoshme për zënien e djathit, dhe hirra ka filluar të ndahet nga proteinat, duke çuar drejt procesit të formimit të një mase të mpiksur djathi si “gomë”).

Receta e Poutine daton në vitet 1950, në Québec kur një shofer kamioni ndalon në një restorant natën vonë dhe i kërkon kuzhinierit t’i japë me vete një ushqim të ngrohtë. Kuzhinieri kishte gati vetëm lëng mishi dhe ca patate të skuqura. I hodhi patatet në një tas kartoni, i mbuloi me lëngun e trashur të mishit, shtoi ca copa djathi, et voilà! Kuzhinieri ia ofroi shoferit të kamionit pjatën duke i thënë “je t’ai fait une maudite poutine”- “një çorbë dreqi të kam bërë”. Dhe kështu i mbeti emri Poutine, pjatës së famshme të Québec.

Përbërësit:
Patate të skuqura: Përdorni patate të skuqura në furrë, ose të skuqura në tigan ose të skuqura me ajër (ose përdorni edhe të ngrira nëse jeni me nxitim).
Salca: Poutine mbulohet me një lëng mishi/salcë që ndihmon në shkrirjen e djathit.
Djathi: Tek Costco shiten në qese të mëdha dhe shpesh gjenden në zonën e bulmetrave. Nëse nuk i shihni, pyesni në dyqan se ku janë. Djathi është në formë copash të vogla dhe ka një aromë të butë të kripur. Copat e djathit nuk shkrihen plotësisht në Poutine, përkundrazi, kërcasin paksa ndërsa hani, duke i shtuar ushqimit një teksturë mbllaçitëse.
Lloji i djathit që përdoret për poutine, mund të jetë vështirë për t'u gjetur në varësi të vendit ku jetoni. Prandaj atë mund ta zëvendësoni me kubikë çedar shumë të butë ose mozzarela.
- Për një poutine më të bollshme mund t’i shtoni copa pule, sallam, salcice, proshutë, mish të grirë. Çfarë t’ju propozojë fantazia.
Si të përgatisni Poutine!
- Pritini patatet në copa të barabarta dhe futini në ujë të ftoht, pastaj kullojini.
- Rregullojini me vaj, kripë dhe piper, dhe piqini ne furre ose i skuqni në pajisjen me ajër.
- Gatuani qepën në një tigan derisa të zbutet. Shtoni erëza.
- Shtoni lëngun e mishit dhe ujin, duke e trazuar derisa të jetë e qetë. Ziejini derisa të trashet.
- Vendosini patatet e sapo skuqura në një pjatë ose tas dhe hidhini sipër copat e djathit dhe salcën e nxehtë dhe shërbejeni menjëherë.
Këshillë: Sigurohuni që patatet dhe salca të jenë vërtet të nxehta në mënyrë që djathi të shkrihet.
Duke qenë se kuzhina kanadeze është një miksim praktikash të vendeve europiane dhe atyre indigjene, njëlloj siç edhe përbërja kulturore, poutine është një nga pjatat origjinale që vlen të renditet në listën e tradicionales, edhe pse nuk krahasohet me shijen delikate franceze prej nga rrjedh kultura Québecoise.
©JetaDedja/Flasshqip.ca












