Harry bëhet gati të shkruajë testamentin - Tregim nga Sami Milloshi
Harry-n unë e njoha para një çerek shekulli në Omaha të Nebraska-s. Kishte atë moshë që kam unë tani. Unë isha plot me ëndrra atëhere. Harry i kishte parë më herët se unë endrrat e mia.
Harry qeshte shumë, por ai asnjë herë nuk e përqeshte gruan e tij, që ishte shurdhe... Ajo i kishte mësuar se si të fliste me gishta. Për Harry-n kjo ishte gjuha më e bukur në botë.
Harry thoshte se gjuha me shenja ishte gjuha e dashurisë. Me atë gjuhë ai e përcolli edhe në varreza, Marian, gruan e tij dhjetë vjet më parë. Dhe shpesh, kur e merrte malli për të, në apartamentin e tij në azilin e pleqve, shkonte përballë pasqyrës në dhomën e gjumit. Para se të flinte i lutej Zotit dhe me gjuhën e shenjave, i thoshte se sa shumë e donte Marian... Dhe gjithmone i bëhej se Marian ngjallej sërish kur i lëvizte ato gishtat e tij para pasqyrës.
- Më duhen edhe tre vjet ta mbush një shekull jetë, - tha Harry.
- Lum ti, - i thashë unë.
- Nuk është ndonjë lumturi e madhe, - u përgjigj ai.
Unë heshta. Nuk e pyeta se pse. Në qytetin tonë ishin shtuar shumë ata që e kapnin shekullin, madje edhe që e kapërcenin.
Se si ishte bërë e mundur kjo nuk jepej ndonjë arsye, por statistikat thoshin se ne ia kishim kaluar edhe disa qyteteve me famë si Parisi, apo Londra dhe ishim në barazim me Tokion e Japonisë.
Harry e kundërshtonte idenë time se japonezët rrojnë shumë ngaqë nuk janë hamës të mëdhenj dhe hanë vetëm ushqime deti. Ata janë thatimë, i thosha unë dhe nuk e kanë asnjë gram mish të tepërt në eshtrat e tyre. Dhjamë jo e jo ...
- Nuk është ajo arsyeja, - thoshte Harry. Pastaj ngrinte kokën lart, shihte ngultazi në një pikë në qiell, sikur të bisedonte me të Madhin Zot dhe shtonte, - Nuk është ajo e vetmja...
Por unë nuk e pyesja asnjë herë se cila ishte arsyeja e vërtetë, nuk e pyesja as për arsyet e tjera, përveç asaj të vetmes, sipas Harry-t. Ndoshta kisha frikë se po ta thoshte atë arsye, mund të pikëllohesha për veten time.
- Nuk më the pse është shtuar numri i shekullorëve në qytetin tënd? - pyeti Harry.
- Janë njerëz që jetojnë pas vdekjes, - thashë unë.
- Domethënë pas tre vjetësh, kur unë të kem kapur shekullin, mund të jetoj përjetësisht? - shtoi Harry.
- Nuk është kaq e thjeshtë, - i thashë. Duhet të kesh dikë, një trashëgimtare ose trashëgimtar tëndin që, pas vdekjes, të gënjejë sikur ti nuk ke vdekur.
- Po pse i duhet të gënjejë?
- Sepse i duhet të marrë paratë e pensionit tend, - kështu kam dëgjuar...
- Kështu është rritur numri i shekullorëve në qytetin tënd? - pyeti Harry.
- Po, kështu thonë është rritur dhe prandaj ne po i afrohemi Japonisë që është kampione për jetëgjatësinë. Ata që e kanë shpikur këtë gënjeshtër, madje qeveria i ka përjashtuar edhe nga vjelja e taksave...
- Nëse është kështu, pra që edhe qeveria e financoka jetëgjatësinë e rreme, - tha Harry - unë dua të vdes që sot, ende pa e mbushur shekullin. Dhe, ta kesh të qartë si drita e diellit, askush në këtë botë nuk ka për të marrë asnjë cent nga milionat që unë do të le pas. Gjithshka do të shkojë për femijët që i ka lënë jetimë lufta. As ty që, megjithse të dua fort, nuk do ta le asnjë cent po ashtu. Sot do ta shkruaj testamentin...
© Sami Milloshi



