Krijimtari

Elsa - Tregim nga Sami Milloshi

Elsa është një grua e bukur. Ta pish në kupë. Elsa po ashtu ka një mendje të bukur. E ka të sajën. Nuk ke se si t’ia pish mendjen...

Unë e takoj në më të shumtën e rasteve, në parkingun ku kemi shtëpitë.

Përveç motit, Elsa hap edhe biseda të tjera. Të shkurtra doemos. Ajo nuk ka kohë të humbë se është e re. E as unë, natyrisht, nuk kam, se më ka trokitur pleqëria. Ne ia dimë këtë sekret njëri-tjetrit.

Tha sot Elsa:

- Sapo bëra pazarin në shitore. Pasi pagova isha në dilemë, nëse duhej ta ndihmoja apo jo arkëtarin t’i fuste ushqimet në qeset plastike. Ndonjëherë e ndihmoj, ndonjëherë jo. Ti çfarë bën me arkëtarin kur vjen ky moment?

- Unë e shoh se si i paketon ai ushqimet, - i them.

Elsa vë buzën në gaz.

- Pse qesh? - i them.

- Sepse ti nuk do t’ia dish për barin para shtëpisë së arkëtarit, e ka të gjelbër apo i është tharë fare....

- Se mos do t'ia dijë ai për kuletën time, - i them unë.

Elsa qesh përsëri.

- Të ka shkuar ndonjë herë në mend ta pyesësh arkëtarin pse është rritur çmimi i vezëve? - më pyet Elsa.

- Kurrë! Por, më shkon në mend të pyes Kamalën, nëse do të më jepej mundësia.

- Atë mos e pyet fare, - thotë Elsa me ton të prerë.

- Po pse të mos e pyes, ajo mund të bëhet presidentja jonë, - i them unë.

- Sepse unë e di se si do të të përgjigjej Kamala.

- Si? - e pyes unë.

- “Unë jam rritur në një familje të klasës së mesme. Dhe të gjithë fqinjët e mi ishin krenarë se bari para shtëpive në lagjen tonë ishte gjithnjë i gjelbër...”

Për çdo pyetje ajo këtë përgjigje ka. Edhe për rritjen e çmimit të vezëve këtë përgjigje do të kishte...

Qeshim të dy...

- Jo të gjithë njerëzit e pallatit tonë mendojnë se unë jam shakaxhie. Dhe kjo është normale. Megjithatë, ata e kanë gabim, - thotë Elsa.

- Jo vetëm e kanë gabim. Por e kanë njëqind përqind gabim, - i them unë.

Dhe me kaq e mbyllim bisedën tonë në parking.

E shoh se si i nxjerr qeset nga bagazhi i makinës. Dhe për çudi, më vjen ndër mend se shakatë e Elsës më ngjajnë edhe më të bukura se fytyra e saj...

© Sami Milloshi