Krijimtari

Njëqind metra film - Tregim nga Sami Milloshi

Sarah, ajo studentja kaçurrelse me sy të gjelbër më ndali një mëngjez te shkallët e bibliotekës së kolegjit.

- Kam një detyre klase. Më duhet një skenar me metrazh të shkurtër për një film që do të filmoj. Dikush më tha se ti je shkrimtar. A mund të më ndihmosh?

- Sarah, po unë kurrë nuk kam shkruar skenarë për filma. Nuk di, nuk di nga t'ia filloj.

- Po ti provoje një herë, bëje për mua, - thotë Sarah me ato sytë që luten për diçka që as ajo vetë nuk e ka provuar.

- Po mire, - i them - sa i gjatë do të jetë ky film?

- Do të jetë i shkurtër, - thotë Sara - sa ç'është edhe jeta e njeriut...

Sarah qesh sepse e sheh që më ka turbulluar krejt.

- Po mirë, - i them unë - sa metra film ke ti për këtë film?

- Njëqind metra, - thotë Sarah.

- Me aq metra film sa ke ti, mund të bëhet një film vetëm me skenarin e shkruar nga nëna ime, - i gjegjem unë.

- Po pse edhe jot ëmë paska qenë shkrimtare?

- Jo jo, ajo nuk kishte shkollë fare, edhe për të lexuar kishte mësuar vjedhurazi. Por ndonjëherë, thoshte ca fjalë për t'u mbajtur mend.

- Për shembull, më thuaj diçka që ti e mban mend...

- Po, ja pra edhe skenari për ty. Nëna ime thoshte se "jeta e njeriut shkon shpejt si lumi nën urë..." Me njëqind metra film që ke ti, Sarah e dashur, mund të filmosh ca çaste vetëm një njeri që sheh sa shpejt rrjedh lumi nën urë...

- Po unë dua të filmoj një njeri të lumtur, - thotë Sarah - një njeri që këqyr lumin që rrjedh nën urë vështirë se mund të jetë i lumtur...

- Ndoshta, - i them unë - por ti aq metra film ke.

- Po mire, - thotë Sarah - më thuaj diçka tjetër me dritë, si të them, që  të pasqyrojë qoftë edhe një grimë lumturi.

- Sot u zgjova vonë. Për dhjetë minuta bëra dush, u vesha, nuk pata kohë të bëj një kafe, bile edhe ilaçet nuk i piva nga nguti, por u gjenda në makinë. Ora tregonte që, megjithatë, mund të mbërrija në punë me një vonesë prej dhjetë minutash. Gjithsesi, ia dola, arrita në punë vetëm me pesë minuta vonesë...

- E kuptoj, - thotë Sarah - e marr me mend që kur mbërrite ishe i lumtur. Por, kjo fabul kërkon metrazh më të gjatë filmik dhe unë siç të thashë, kam vetëm njëqind metra film, asnjë centimetër më shumë...

- Dëgjo, - i them unë - rruga ime për në punë kalon përskaj varrezave "Melrose" të Brockton. Unë e kam zakon që kur shkoj në punë, në shenjë nderimi ndaj të ndjerëve, e kthej kokën djathtas dhe, gjithnjë duke e patur vëmendjen në timon, them me vehte "Ju ndritë shpirti".

- Ah, - thotë Sarah - kjo po.

Me kaq unë e bëj filmin...

- Mos u ngut, - i them Sarës - unë nuk jam ai njeriu i lumtur që do ti. Unë jam në ngut, siç të thashë, as ilaçet e mia nuk i piva sot. Të ka ndodhur ty ndonjëherë të ngutesh?

- Eh, është histori e gjatë ajo - thotë Sarah - nuk është për film me metrazh të shkurtër. Duhet të kesh para shumë ta bësh film, vetëm Hollywood mund ta bëjë.

- A mund të ma tregosh shkurt, siç nëna ime tregonte për lumin nën urë?

Sarah i hirnohen sytë e gjelbër.

- Dikur u dashurova me një djalë të pashëm. Unë nuk e dija që ai ishte rritur në një familje ku babai i rrihte të gjithë, përfshi edhe nënën e tij. Më rrahu edhe mua i biri i tij, ish i dashuri im...

- Ja kjo është histori për film, - i them unë.

Sarah hesht. Sytë i ka të ujshëm, ndoshta prej dhimbjes që ka humbur një dashuri.

- Por as kjo histori nuk mund të filmohet me një qind metra film, - thotë ajo.

- Jo, jo, nuk mund të filmohet me aq metra film, - i gjegjem unë.

- Gjithmonë ne kemi më pak metra film se sa na duhet, - thotë Sarah - por unë megjithatë, e kam një ide se si edhe vetëm me njëqind metra film ta fiksoj në ekran një njeri  të lumtur.

- E kush mund të ishte ai ose ajo? - e pyes unë.

- Është Maria, shoqja ime e klasës, - thotë Sarah - ajo më tha se kishte parë një ëndërr se si kishte hyrë në shtëpinë e presidentes së kolegjit dhe kishte vjedhur gjithë shportën e karameleve në tryezën e dhomës së ndënjies në shtëpinë e saj.

- Kjo po, - i them unë - kjo është ide fantastike për film, por a mund të të mjaftojnë një qind metrat e filmit që ke? - e pyes unë.

- Filmi do të fillojë kur Maria del me shportën e karameleve nga shtëpia e presidentes dhe se si duke vrapuar iu shpërndan karamele shoqeve dhe shokëve të saj nëpër kampus. Të pëlqen?

- Po, - i them - dhe besoj se njëqind metra film sa ke, të mjaftojnë edhe të teprojnë.

- Po, - thotë Sarah - kjo është vërtet jetë pa ngut...

© Sami Milloshi