Vaksina - Tregim nga Ilir Gjini
Si një i paftuar që të mbin në derë, u fandaks edhe në qytetin tonë kjo epidemi. Megjithëse një qytet i vogël, i largët, që rrallë vijnë vizitorë, sëmundja u shfaq papritur si një rrjetë merimange me fije të padukshme, që të mbërthen në lakun e saj, e nuk çlirohesh dot.
Disa pleq të moçëm vdiqën, por sëmundja nuk kurseu edhe dy djem të rinj e të fuqishëm, që i rrëmbeu në lulen e moshës. Tentakulat e saj të padukshme qëndronin si gardian mbi kokë, e njerëzia u mbyllën brenda si arinjtë që mbyllen në strofullën e letargjisë dimërore. Meqë vizitorët qenë të paktë, shumica ia vinin fajin Qaniut, si prurësi i kësaj mynxyre.
Qaniu kishte një dyqan veshjesh dhe qe i vetmi që shkonte në Itali për të sjellë rroba e këpucë të modës, madje edhe fustane nusërie, por bashkë me veshjet kishte sjellë edhe sëmundjen e pashërueshme. Qaniu bënte be e rrufe se nuk qe ai që e solli këtë mynxyrë, duke u shfajesuar se nëse do e kish sjellë ai, do qe sëmurur edhe vetë. Dhe vërtet, Qaniu qe shëndosh e mirë, e faqet i kuqonin si molla në degë.
Po kur fjala merr dhenë, vështirë të zhbëhet…si grami që po hodhi rrënjë, e pushton krejt tokën.
Njerëzia nuk i shkelnin më në dyqan edhe pse Qaniu shpërndau falas derë më derë një deng me maska, që qe shumë vështirë të gjendeshin në treg. E falenderonin me zë kur merrnin maskën, por e shanin nën zë kur ai largohej. E bën se e vret ndërgjegja thoshin. Na e solli këtu shejtanin e tani do të na marë me të mirë me maska. Vizitat te njëri-tjeri qenë ndërprerë. Tani muhabetet e thashethemet bëheshin mes telefonit. Madje kishte që luanin edhe shah mes telefonit.
Atyre që s’ua mbante xhepi, flisnin me fqinjët në pallatet karshi duke çuar zërin në kupë të qiellit. Këto uluritje u bënë refren i përditshëm, sidomon në periferi ku shumica jetonin në skamje. Qyteti qe mpirë, sikur qe pushtuar nga hijet e fantazmave të vdekjes, ndërsa dimri po trokiste.
Në ndërtesën e Postës së vetme të qytetit, puna vazhdonte normalisht. Veç shpërndarjes së letrave, puna qe shtuar sidomos nga emigrantët, që dërgonin para e ilaçe për të afërmit, për të përballuar sëmundjen.
Shef Besimi na dha urdhër të prerë që gjatë gjithë oreve të punës, nuk duhej ta hiqnim maskën. I qe lutur Qaniut dhe ai na furnizoi me maska speciale që të mbronin nga mikrobi, që si djall i padukshëm përhapej mes ajrit. Hunda më bëhej plagë nga shtrëngimi i maskës, po ç’të bëja… punoja në një zyrë me të dhe e hiqja maskën vetëm kur pija kafen e mëngjesit. Besimi që sapo kish prekur të dyzetat, kishte marrë masa drastike edhe për familjen. Femijët i çoi te vjehrra në fshat. Madje edhe me të shoqen, flinin në dhoma të veçanta.
- Mirë është t’i lutemi Qaniut të na sjellë maska me zinxhir që mos i heqim as kur hamë bukë, - e qësëndisja unë.
- Nuk bëhet shaka, nuk sheh lajmet çfarë qameti i zi është, - ma kthente.
Sa më shumë përhapej epidemia, aq më i zymtë bëhej shef Besimi. Ngyra e kuqe e fytyrës tani i qe bërë e zbehtë, e çdo gjysëm ore fuste termometrin nën sqetull e kontrollonte temperaturën. Para epidemisë ishte gjithë energji, ndërsa tani qe mpirë si mumje e balsamosur. Lexonte për orë të tëra lajme mbi epideminë dhe pinte kupa me çaj ku shtrydhte limona të freskët. Një mëngjes më solli një listë me emra barnash dhe mu lut t’i shkruaja tim vëllai në Angli.
- Jam i sigurt që do sëmurem prandaj më duhet t’i dal të keqes përpara, - më tha, teksa më vështronte me sytë e përhumbur.
E kisha kuptuar merakun e tij dhe ia plotësova dëshirën. Pas një jave i erdhën të gjitha barnat. Pasi u sigurua se nuk i mungonte gjë nga lista e gjatë e ilaçeve, iu kthye disi gjallëria e zankonshme, por nuk zgjati shumë. Epidemia u kthye në pandemi, e u përhap anë e mbanë botës dhe Besimit iu zhduk edhe ai pak besim që kishte. Dha e mori, madje pagoi edhe nën dorë gjersa bëri dy doza të vaksinës së saposhpikur, që ishte në fazë eksperimentale e nuk i diheshin pasojat.
Pas disa muajsh u vaksinuan pothuajse të gjithë banorët e qytetit, por pandemia nuk po ndalonte. Besimi po bëhej edhe më tepër paranojak. Vazhdonte të mbante maskë edhe pse nuk quhej më e nevojshme. Një mëngjes iu vërsul Qaniut që erdhi për t’i sjellë pakon me maska dhe nuk i la fjalë pa e sharë. Ai I shkreti iku nga sytë këmbët. Pasi u qetësua ca, e pyeta: - Ç’të bëri Qaniu që e shave aq rëndë?
- Mos bëj sikur nuk e di, e ka marë vesh gjithë qyteti që donte të më zinte gruan.
- Çfarë po thua…Qaniu është burrë i ndershëm!
- I ndershëm, i ndershëm po beqar është… skifteri i gjuan thëllëzat edhe kur plaket, - ma ktheu duke më parë me sytë e zgurdulluar.
E kuptova që argumentat e mia nuk kishin asnjë vlerë dhe e këshillova të shkonte disa ditë në fshat.
Dhe në fakt nuk ishte vetëm Besimi që shfaqte pasoja nga mikrobi i padukshëm. Banorët e periferisë vazhdonin të bërtisnin e kuvendonin me zë të lartë në dialogun mes pallateve edhe pasi sëmundja u rrallua shumë. Madje iu bë zakon dhe kuvendonin me zë të lartë edhe brenda shtëpisë, aq sa nuk merrej vesh në bisedonin apo grindeshin.
Disa patën probleme me kujtesën dhe darkave në vend që të shkonin në shtëpi, trokisnin në portat e dashnoreve, çka solli edhe grindje e rrahje masive. Zakoni i dhënies së dorës u hoq edhe në protokollet zyrtare, duke prekur vetëm brrylat ose pjesën e jashtme të pëllëmbës. Kur donin të bënin krushqi, tani pyesnin gjerë e gjatë nëse nusja apo dhëndëri kishin bërë vaksinën apo jo. Madje edhe për llojin e vaksinës.
Teknikët dhe inxhinierët e rafinerisë së dikurshme të naftës, mblidheshin së bashku duke u dëndur në raki. Ngrinin dolli e kujtonin me nostalgji miqësinë e dikurshme me Kinën dhe lodrat për fëmijë që Mao Ce Duni i Kinës na i dërgonte falas. Madje kishin ngritur edhe këngë:
Një virus pa brekë na dërgoi Wuhan-i,
Se te lakuriqi qe fshehur shejtani.
S’rron as shoku Mao që aq shumë na donte,
Në vend të virusit, lodra na dërgonte.
Besimi kur rrëkëllente ndonjë gotë raki, betohej se do të vriste Qaniun. Por në mëngjes kur bëhej esëll, thoshte se kish bërë shaka. Megjithatë, nga frika apo nga dëshira Qaniu e shiti biznesin dhe u vendos në Tiranë.
Mjekët e paktë të qytetit nuk po e kuptonin nëse këto gjëra të çuditshme që s’kishin ndodhur më parë, ishin pasojë e mibrobit të padukshëm që as që i kishte prekur shumicën e banorëve të qytetit, apo pasojë e vaksinës që e kishin bërë të gjithë?
Vetëm sjellja e fëmijve nuk kish ndryshuar nga pandemia e frikshme. Ata luanin njësoj të gëzuar e të shpenguar. Madje edhe gjatë izolimit të pandemisë, u shpëtonin vëmendjes së prindërve dhe iknin për të luajtur të shpenguar në kodrat rreth qytetit.
Pas disa muajsh, nusja e re e Besimit i kërkoi divorcin dhe u largua në Tiranë. Nuk u mor vesh nëse iku pas Qaniu, apo për t’i shpëtuar mikrobit të padukshëm.
© Ilir Gjini



