“Pirgje të hirta”, vëllimi i ri me tregime i autores Armenida Qyqja
Para pak ditësh, nga Botimet Jozef në Shqipëri është publikuar vëllimi me 14 tregime të zgjedhura i autores shqiptaro-kanadeze me banim në Vancouver të British Columbia, Armenida Qyqja, me titullin “Pirgje të hirta”.
Redaksia e portalit Flasshqip e përgëzon Armenidën për këtë arritje të re në krijimtarinë saj dhe i uron njëkohësisht suksese të mëtejshme. Parathënia e mëposhtme që i paraprin librit mban firmën e studiuesit të Letërsisë Dëfrim Cani. Në vijim të saj, me lejen e autores, po publikojmë edhe tregimin me titull “Prapa diellit”, një nga 14 tregimet e përmbledhjes.
Karaktere dhe ngjarje...
Në historinë njerëzore ka pasur dhe vazhdon të ketë raporte të ndërsjella mes njerëzve me ngjarjet dhe ngjarjeve me njerëzit; raporte që kanë ndikuar në marrëdhëniet që dijet, psikologjia sociale, sociologjia dhe letërsia kanë vendosur me to.
Duke qenë raporte shkakësore, trajtimet kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë të larmishme në qasjet sociologjike, psikologjike, por dhe letërsinë artistike, e cila përveç receptivit përmbajtjesor që ajo mbart, krijon dhe një tablo të gjerësishme pamjesh, burimesh, një lloj anatomie të protagonizmit njerëzor.
Armenida Qyqja, i ka sjellë lexuesit një vëllim me katërmbëdhjetë tregime, pjesën më të madhe të të cilëve e kondicionon një narracion i zhdërvjellët mbi subjekte. Subjektet në prozë lidhen fort me ngjarjen, e cila në autorë të ndryshëm, mbart funksion të ndryshëm trajtimi, ndërsa në librin “Pirgje të hirta”, autorja e pjesëzon ngjarjen me elementë të tjerë të tregimit.
Proza e Armenidës mund të lexohen në konditat e caktuara të lexuesit të saj.
Tregimet në librin “Pirgje të hirta”, janë një udhëtim në kohë, një libër që perimetrin e ka në një hapësirë kohore të konvencionalizuar, në ngjarje të njohura shoqërore dhe në personazhe. Parë në këtë aspekt, libri në fjalë ngjan me një pazëll, ku mozaiku është mbushur me grimca, të cilat në psikologjinë, formimin dhe ndërgjegjen estetike të prozatores, nuk mund të anashkalohen.
Përtej të zakonshmes është vetëm apokalipsi në historinë njerëzore (i trajtuar shumë formash, shumë dijesh dhe shumë autorësh në dijet e hershme dhe të vona), çfarë do të thotë, se ky realitet njerëzor është i thjeshtë, është një marrëdhënie me shumësi marrë-dhëniesh, të cilat mundësohen nga njerëz të ndryshëm, karaktere të ndryshme dhe interesa të ndryshme. Nga kjo larmi, shoqëria njerëzore dhe koha është në një lëvizje të pandërprerë.
Në fakt, libri në fjalë është një “prerje” e gjatë kohe e identifikuar në fushën e marrëdhënieve sociale, si post- liri, nëse zhvillimet e pasditeve 90-të, të njohura si demokraci, përbënin një lloj të lirisë njerëzore për të krijuar një raport të lirë në kuptimin e “kultit” të personalitetit, të zotëruar nga një shtet ideologjik me një vrazhdësi tipike. Gati të gjithë tregimet valorizojnë një “informacion” ngjarjesh njerëzore, më së shumti të njohura, përgjithësisht subjekte të thjeshta marrëdhëniesh, që krijohen nëpër mjedise të caktuara mes njerëzve, por që në fund të fundit, janë prerje të kohës.
Pikërisht në këtë mori marrëdhëniesh, prozatoria arrin t’i ofrojë lexuesit një perceptim që e sendërton mjeshtëria e rrëfimit, përdorimi i mirë i elementëve të subjekteve, mbiveshja e ngjarjeve dhe personazheve me një petk psikologjik, duke i tipizuar ata (personazhet) dhe ngjarjet, që zakonisht ndodhin realisht në jetën njerëzore. Prirja për t’u marrë me ngjarje të zakonshme, por që mbartin peshë shoqërore, e vë autoren përballë vetvetes për të pasur profilin e saj si tregimtare, por dhe për aftësinë dhe shqisën e hollë dhe inteligjente për ta lexuar realitetin edhe përmes kësaj zeje, siç është tregimi, që zakonisht mbart një ngjarje, pak personazhe dhe një linjë të komunikimit.
Një pjesë e tregimeve rrjedhin nga “valenca” që çliruan vitet 90-të, tema e emigrimit (e cila u shndërrua në jo pak raste dramë dhe tragjedi), pavarësisht larmisë së shfaqjes së tij, një pjesë tjetër e tregimeve reflekton marrëdhëniet brenda familjes (një temë e mprehtë dhe delikate historikisht në trajtesat artistike të prozës dhe dramës), marrëdhëniet shoqërore në mjedise tipike të kohës, temat e dashurisë (ku bien në sy rastet dramatike-tragjike, pikërisht në këtë pamje kohore), mbijetesa (qoftë dhe përmes depersonalizimit që në jo pak raste koha i bën njeriut), ndërsa dy apo tre tregime qëmtojnë hollë periudhën e errët të totalitarizmit (me veset e liga që ajo krijoi), me ç’rast Armenida Qyqja i afron lexuesit një “anatomi” tipash, karakteresh, mjedisesh, ngjarjesh, dramash, jo të drejtpërdrejta, por duke përdorur mjeshtërisht atmosferën që çlirojnë secila prej formave të shfaqjes. Pra, parë në një marrëdhënie komplekse, d.m.th. librin “Pirgje të hirta” me raportin që prozatoria ka me kohën, ajo lehtësisht mund të kuptohet përmes një metonimie kontekstuale të ndërsjellë, e cila buron nga një raport i “zhdrejtë”, siç e kam shënuar që në titullin e shënimeve paraqitëse mbi librin, karakteret për ngjarjet dhe kohën.
Jo se ka një raport të përmbysur për të “propozuar’ një “thyerje” në qasjen normale të raportit formë e përmbajtje, qoftë dhe elementëve të tjerë të tregimit, por Armenida Qyqja ka një qëndrim koherent ndaj personazhit që e zbulon atë përmes karakterit, i cili në pjesën më të madhe zotëron ngjarjen në tregim.
Kthimi tek personazhi në këtë mënyrë, mendoj se është një zhvillim i rëndësishëm në tregim për shkakun e një voluntarizmi të mëparshëm censuror që buronte nga natyra ideologjike që i kërkohej tregimit dhe që ka vepruar dendurisht në prozën tonë, ndërsa pasqyrimi dhe komunikimi i prozatores përmes karaktereve ka një përvojë të hershme në letërsinë klasike, por dhe atë shqiptare, veçmas tek Dhimitër Pasko, Naum Prifti apo Jakov Xoxa.
Duke mos-barazuar karakterin me personazhin, dhe pse karakteri buron nga personazhi, unë mendoj se lihet me një ndjesi të brendshme, të imët dhe të profilit të autores. Po përpiqem ta përmbush qasjen lidhur me këtë këndvështrim përmes dy-tri tregimeve të librit “Pirgje të hirta” të Armenida Qyqes.
Tregimi “Çmimi” është ndërtuar mbi një formë interesante meditative, ku kundërmon dhe ndihet një mjedis e gjendje gri. Përveç njërit personazh, pjesa tjetër e personazheve vetëm konturohet, pra shfaqen dhe zhduken në referencën psikologjike dhe të karakterit të shkrimtarit të madh, që qendërzon narracionin. Armenida Qyqes i vlen shumë pak subjekti i tregimit, i cili mund të përmblidhet në dy a tre fjali, përkundër karakterit, i cili zotëron të gjithë anën emocionale të tij, pasi tregimi në vetvete prek një temë thellësisht delikate, ndërsa sistemi politik zbërthehet mjaft mirë në kompleksin e vet përmes karakterit të “shkrimtarit të madh”, i cili shpërfaq makabritetin e kohës, në pritje të vdekjes së një foshnjeje të palindur, një vdekje në mitrën e një nëne, një kohë që e sulmonte jetën në embrion. Në gjithë tregimin “spikat” karakteri i njërit nga personazhet që merr skenën e ngjarjes.
Tregimi “Zemra e nënës” është ndërtuar mbi një detaj interesant dhe të mrekullueshëm për të reflektuar dy botë të ndryshme, ferrin në të cilin ka përfunduar pas vdekjes komandanti (diktatori), një qasje danteske me të cilën Armenida Qyqja ndëshkon keqbërësit në kuptimin e plotë të konceptit dhe Nëna e Madhe, e cila është ndërmjetësja e shenjtë mes perëndisë (qiellit dhe tokës) dhe tokës. Komandanti nuk bën rehat në varr, se pranon as toka dhe as varri, duhet një ndërmjetës i besueshëm, siç është Nëna e Madhe, veç ajo besohej, se shpirti i diktatorit është pastruar pas lutjes dhe dorëzanisë së saj. Në tregim spikat karakteri i Nënës, një afër perëndi, e cila duke mishëruar parimet hyjnore kumton paqen njerëzore si një lloj drejtësie universale, përmes të cilës shoqëria njerëzore ka kaq shëmbëllime të shenjta në tokë, kaq sa shfaqet dhe karakteri i Nënës në tokë. Në fakt, Nëna e fali Komandantin, duke përcjellë dhe një kumt tradicional shqiptar, se “trim është ai/ajo që fal”, një mësim që çdo herë është real dhe i dobishëm në shoqëri dhe familje.
Tregimet “Vajzat”, “Pllakat”, nëntekstojnë pasojat e emigrimit, në një raport të ndjeshëm dhe sentimental njerëzor, mbërthyer në dramën e në disa raste tragjedinë njerëzore, pasoja të cilat vrasin rast pas rasti, sikurse dhe tregimet “Plangprishësi” apo “832 metra nën ujë”, tregime në valencën e emigrimit, përshkruajnë pasojat e tij në familje dhe fatalitete kolektive. Po ashtu, tregimet “Pirgje të hirta”, që mbart kumtin e kohës si një refleks mbijetese, “I mbijetuari”, një tregim që “shkul” një ngjarje në armiqësitë ballkanike, “Gjashtë ditë”, një tregim me karaktere njerëzore, “Prapa diellit”, një plagë e hershme që ende dhemb në mjediset tona sociale dhe familjare, “Të ikurit nga ferri” dhe të tjerë tregime, e plotësojnë pazëllin e tablosë shumë-kolor të vëllimit “Pirgje të hirta”.
Armenida Qyqja ka një refleks për të sjellë karaktere në prozë, ndoshta ndër të paktat pena që e bën këtë kaq mirë.
__________
Prapa diellit
Personi që po e priste në kafene i kishte thënë që do ta njihte lehtësisht. Patjetër që do ketë veshur ndonjë rrobë me emblemat e ngjyrat patriotike, si gjithë shqipot e porsa ardhur, mendoi ai, teksa shtyu derën e kafenesë, fare pranë Qendrës “Vatra”. Dera iu duk pak e rëndë dhe rezistente për trupin e tij që kishte filluar të hynte në ujë dita-ditës. Hyri brenda dhe hodhi vështrimin nga një tavolinë në tjetrën. Në të djathtë, vuri re një djalë me kokën ulur mbi telefon dhe me një shishe konjaku “Skanderbeg” përpara. Shenja, e veçantë, mendoi ai dhe u nis në drejtim të tij. Djali ndjeu hapat që po vinin drejt tij dhe ngriti kokën, vuri buzën në gaz dhe u ngrit në këmbë.
Të dy zgjatën duart drejt njëri-tjetrit dhe atij iu duk sikur një korrent i përshkoi befas trupin. Iu duk sikur krejt papritur po përjetonte një nga ato fenomenet fantastiko- shkencorë të kapërcimit në kohë, pas dhe përpara. Si ishte e mundur. Fytyra, shtati, zëri… Nuk mund të jetë ai! Kanë kaluar gati dyzet vite! Ai është plakur si unë.
U mundua ta fshihte hutimin dhe të hynte në rrjedhën e bisedës, shkëmbimin e zakonshëm siç e donte zakoni. Pati pak avantazh nga vëmendja që tërhoqi kamerieri që erdhi të merrte porosinë. Mjaft kohë për t’u ambientuar sadopak.
- Po nga the që të kemi? - e pyeti ai përsëri, megjithëse e mbante mend shumë mirë që tjetri i kishte thënë në telefon që ishte nga Tirana. Nuk harronte kurrë asgjë, madje as tonin, mimikën, xhestikulacionet e personit, të cilat të analizuara mirë, i jepnin mundësi më të madhe informacioni sesa vetë fjalët.
- Hë de hë, se kështu thonë të gjithë. U bë Tirana dy milion pas nëntëdhjetës, - tha ai me të qeshur, enkas që ta bënte tjetrin të fliste më gjerë për veten. Tjetri qeshi dhe ia solli bisedën pikërisht ku ai dëshironte.
- Prindërit e mi kanë lindur në Tiranë, tani po deshe dhe gjyshërit, hajt po ua bëjmë biografitë. Im atë është nga dera e Alimehmetëve. Unë vetë jam rritur në lagjen “Ali Demi”, më fiks prapa hotel “Arbanës”.
- Tek ai grumbulli i shtëpive të ulëta që nuk i kapi plani?
- Po bravo! E njihke mirë Tiranën ti, megjithëse nuk më dukesh si tirons. Nga Berati?
Tjetri tundi kokën e mbuluar borë nga thinjat dhe rrufiti kafenë e sapo sjellë nga kamerieri. Tani po përpiqej të merrte veten nga rrufeja e dytë. Ngjashmëria nuk ishte as e stisur nga mendja e tij dhe as e rastësishme.
- Kam jetuar për një periudhë të shkurtër dhe në Tiranë, - tha ai duke i mbajtur sytë mbi filxhanin e kafes. Kafeja që kishte rrufitur kishte lënë rrethin e saj qark filxhanit që tani i ngjante një pusi të thellë e të errët. Aty ishte e shkuara e tij. Në fundin e atij pusi që kishte gërmuar dikur vetë me duart e tij.
***
- Idiot! E kupton çfarë ke pranuar? Ke pranuar të bëhesh hafije, spiun që merr e çon llafet e njerëzve atje lart dhe u bën gjëmën, - i kishte thënë Gjergji i nxirë krejt. Gazi i qe ngrirë buzëve. Kishte shkuar tërë qejf dhe euforik tek shoku i tij i fëmijërisë, t’i jepte lajmin që do të punonte për Sigurimin e Shtetit. E kishin zgjedhur! I kishin premtuar zyrë e ofiqe, trajnime jashtë, nëse ai do t’i kryente mirë detyrat e ngarkuara.
- Do t’i shërbej atdheut, - ishte përpëlitur të justifikohej dhe t’i jepte të drejtë vetes.
- Do t'i shërbesh atdheut ëëë?! - e kishte qesëndisur Gjergji duke ia futur një pëllëmbë pas qafe dhe pastaj e kishte tërhequr tek vetja dhe i kishte folur me zë të ulët, por tërë mllef në vesh.
- Nuk janë bardh e zi gjërat o buf. Të mëdhenjtë po hanë kokat e njëri-tjetrit e Spaçi është plot. Shitësin e mishit e kallën brenda pardje, - tha ai dhe e lëshoi. Sytë i bënin xixa, ndërsa ai ishte mbledhur si një qen i lagur e i rrahur.
S’i kishte menduar fare këto gjëra. Ai kishte parë vetëm filmin, skenarin e të cilit i kishin propaganduar ata. Ai hero që shpëton atdheun nga keqbërësit, diversantët, agjenturat e huaja, që duan ta asgjësojnë etj…
Shitësi i gjorë i mishit nuk u pa më dhe nuk zgjati shumë, një kamion erdhi dhe e mori familjen tij me ato pak rrecka dhe i internuan në Gradishtë.
Javët që vijuan ishin torturuese. Para syve i rrinte tërë kohës fytyra e shitësit, që ai e njihte qysh se fëmijë. I tundte kokën në mohim dhe më pas i dukej sikur dëgjonte kamionin tek merrte me mundim kthesën nëpër rrugicën tërë gropa, të qarat e fëmijëve të tij dhe të bërtiturat e “shoqëruesve”, që i plasnin mbi karroceri si bagëtinë. Donte të dilte nga ky qorrsokak ku kishte hyrë, por tashmë ishte e pamundur. Tani ai e dinte se ku do të përfundonte nëse do të kërkonte daljen. “Ata” nga ana tjetër, kishin pritshmëri të larta prej tij, pasi zotëronte mirë rumanishten dhe rusishten të cilat ia kishte mësuar i ati, para se të ndërronte jetë. Njeri i shkolluar jashtë, në Rumani. Kishte qenë paksa enigmatike vdekja e tij, një farmacist që vetëhelmohet padashur. Por kështu ishte lënë dhe ai pat qenë tepër i ri për ta “kundërshtuar”, qoftë dhe brenda trurit të tij.
Me Gjergjin nuk ishte takuar më fare, që prej asaj dite. Nuk kishte fytyrë t’i dilte përpara. Fjala “Hafije” i kishte ngjitur si një pështymë në ballë. Tashmë po i vinte ndot nga vetvetja. I dukej sikur tërë njerëzit e dinin se ç’punë bënte ai dhe ruheshin prej tij. Ndërronin bisedat, flisnin me kode. Patjetër që jam paranoiak. Përveç Gjergjit askush nuk e di dhe ai nuk ma shet kurrë lëkurën. Kështu i thoshte vetes, por prapë nuk ndihej rehat askund, madje dhe brenda mureve të shtëpisë së tij.
***
Tani, këtu në Amerikën e largët, përballë i qëndronte djali i Gjergjit. Nuk e dinte se si ishte e mundur që djali t’i kishte ngjarë aq shumë jo vetëm në paraqitje, por edhe në zë e mimikë. Sa donte ta pyeste për të atin, familjen, ç’bëhej me ta, por s’mundej. Nuk mund ta nxirrte veten zbuluar. Personi që ai kishte qenë atëherë kishte vdekur me kohë. Kishte dëshiruar të vdiste vërtetë, por ja që kur e lut, dhe vdekja nuk të vjen. Ajo të vjen gjithnjë kur je mirë e bukur, kur ti je i dashuruar me jetën. E kjo e fundit nuk i kishte ndodhur kurrë, përveçse atëherë në fëmijërinë e largët. Që nga atëherë, çdo gjë që kishte përjetuar nuk ia kishte kaluar dot cakun gjendjes së vakët.
E mbante mend si tani. Kishin kaluar giashtë-shtatë muaj që nga rekrutimi dhe i kënaqur me ecurinë e gjërave, shefi i kishte rrahur shpatullat dhe i kishte thënë që të hënën, pas mbledhjes, atij do t’i komunikohej ngarkimi me një detyrë tepër të rëndësishme. Kishte buzëqeshur si i mpirë dhe mezi kishte arritur të belbëzonte dy fialë. “Detyrë e rëndësishme”. Kush e di ç’punë do t’i ngarkonin. E dinte që asgjë e mirë nuk vinte nga detyrat e rëndësishme. I humbur krejt e i bërë ujë në djersë nga sikleti, kishte mbërritur në shtëpi. Sa herë që kishte ankth, stomaku i jepte sëkëlldi dhe hante kot më kot si i babëzitur për të shuar dhimbjet. Kishte ngrënë dhe në vend të qetësohej e kishin kapur ca kriza të forta. Kishte vjellë aq shumë sa kishte nxjerrë gjak. Në këtë gjendje e kishte gjetur e ëma, kur ishte kthyer nga puna. E alarmuar kishte thirrur ambulancën. Tok me ta ia kishte behur dhe Gjergji, fytyrën e të cilit ai e shihte turbullt mes ethesh. Shtëpitë e tyre ishin në të njëjtin pellg dhe Gjergji kishte rastisur në rrugë kur ambulanca kishte ndaluar para portës.
Mjekët kishin pyetur çfarë dhe kur kishte ngrënë për herë të fundit. Gjellë me presh. E ëma e kishte gatuar që një natë më parë që t’ia linte gati atij dhe të motrës. Kishte ardhur i pari në shtëpi dhe për fat, vetëm ai kishte ngrënë.
“Kur s’të ndihmon as vdekja”, kishte menduar ai kur kishte hapur sërish sytë.
“Helmim”, - i kishte thënë e ëma.
“Si helmim? Helmim nga çfarë? Gjella ishte bërë një natë më parë e s’ështe as behar që të prishet”.
“Mishi kishte qenë i ngrirë në parafinë. Desh të mora në qafë o bir! Nuk e dija. E vura ta gatuaja me nxitim, ashtu gjysmë të ngrirë e m’u duk si yndyrë. Punët e akshamit! S’më kanë parë sytë. Ma bëj hallall o bir!” - kishte shpërthyer e ëma e ngashëryer në lot.
Fytyra e shitësit të mishit i kishte dal para syve. “Çojnë qengjat tanë jashtë shtetit dhe na sjellin kalbësirat e skaduara nga Lindja, kockat e mbetura frigoriferëve që nga Lufta e Dytë rrezik”. Këto fjalë i kishte thënë i gjori, furnitorit, kur kishte ardhur më së fundi furnizimi, pas dy javësh që i përcillte njerëzit me sot e me nesër. Për këto fjalë, që për dreq na i kishte dëgjuar një veteran lufte pas banakut, kishte ikur si kovë pusi duke marrë në qafë grua e fëmijë.
Mjekët i kishin këshilluar një javë të mirë regjim shtrati. Dhe dy të tjera i kishte dhënë Partia, vetëm të shërohej. Por pastaj s’kishte nga ia mbante më. Misioni po e priste dhe ishte rrugë e largët. Ah, sa dëshironte të kishte vdekur!
Një natë përpara se të nisej me atë mision, kishte vajtur tek shtëpia e Gjergjit. E ëma e tij e kishte futur brenda.
“Po ku je o flori, se mirë im bir që mbeti në uzinë, po ti ç’u bëre? Pse s’je kthyer këtej fare?” - e kishte pyetur ajo duke e puthur në ballë.
“Po ja, me punë…” - ishte përpëlitur ai.
“Shyqyr që shpëtove një herë. Pa le të presë puna”.
Kishin hyrë brenda dhe ishin dystuar në divan. Po errësohej dhe drita që hynte nga dritarja nuk ishte e mjaftueshme, por ata përtonin të ndiznin dritat. “Më mirë kështu”, kishte menduar ai. “Më mirë mos m’i shohë sytë”.
“Gjërat andej nga uzina s’po ecin fare”, - tha me zë të ulët gruaja, që ai e thërriste Ije qysh kur s’mbahej mend. “Ngelën duke u dalë defekte. Makineri të vjetra, peshqesh nga Kina. Po bën katër ditë pa ardhur fare në shtëpi ai çun. Se mos vetëm ai! Një repart i tërë. I çova bukë e ndërresa me Verën, qëparë. U torturuan ditë e natë në punë. Po flenë në tokë. Kanë mbetur mbrapa me planin tërë repartet që varen prej tyre. Dreq o punë!”
Ai ishte çuar në këmbë, teksa e ëma e Gjergjit fliste dhe kishte shkuar pranë dritares duke parë që andej kafazet e pëllumbave, për të cilët ishin bërë copë tërë çatitë e shtëpive në lagje. Pastaj e kishte humbur e s’dinte ç’kishte bërë. Kur Vera kishte hyrë në dhomë me filxhanët e kafesë, kishte shtangur, pasi ai në vend të ulej në karrige, kishte hipur galiç mbi të.
“Do të hipësh dhe në tavolinë?” - kishte thënë ajo me humor, pa e mbajtur dot gazin.
Ai ishte shkundur dhe e kishte zënë turpi, ndërkohë që Ija, ia kishte bërë me shenjë të bijës ta mbyllte gojën e t'i linte vetëm.
I turpëruar kishte zbritur nga karrigia dhe kishte vajtur pranë saj, ashtu siç kishte bërë sa e sa herë kur ishin fëmijë, pasi kishin bërë ndonjë prapësi në lagje dhe kërkonin mbrojtjen e saj nga baballarët. Ajo ia kishte marrë kokën në gji.
“Thuj Ijes tani, si e ke hallin! Çfarë telashesh të kanë ra, që më je bërë meit o bir?”
“Ah, çfarë kam bërë unë, o Ije. Më tha Gjergji mos, por s’dilja dot jashtë, o none! Ishte vonë. Tani më kanë var një copë hartë në qafë e më kanë dhënë rrugët e botës.”
Ajo veç e kishte puthur dhe ishte lutur për të. Ç’të bënte tjetër. Ai tashmë nuk ishte i vogël që ta mbante fshehur nën përparësen e saj.
***
“Po ti ke kohë këtej. Kështu sikur më kanë thënë, që je arratisur në fillim të viteve tetëdhjetë, apo jo?” - e pyeti i riu.
Ai ngriti kokën nga pusi i tij dhe pa të riun në sy. Ngjyra e ullinjtë e tyre e ftonte në një hapësirë të gjelbër, por çikrikët vazhdonin të kërcisnin. Kova ishte lëshuar tërë zhurmë teposhtë.
“Po, kam dyzet vjet këtej”, - tha ai ngadalë, mendueshëm, sikur po numëronte vitet.
“E ke këtu tani tërë familjen besoj”, - tha i riu thjesht për muhabet.
“Familja ime… babai më ka lënë të vogël. Ndërsa nëna ndërroi jetë pak para ndërrimit të sistemit. Nuk pata fat ta shihja. Një motër të vetme kam dhe ajo ka vajtur pas fëmijëve të saj në Belgjikë. Kurse unë vetë nuk kam fëmijë. Kjo është jeta”.
Ai ndjeu t'i thaheshin buzët. Zemra filloi t'i bënte sërish numra, rrahje të çrregullta.
***
Të ëmën dhe motrën ia kishin internuar që ia kishin internuar, megjithëse ai pas endjesh të gjata nëpër Evropë, kampesh refugjatësh, ia kishte dalë më në fund të mbërrinte gjer në Amerikë e të infiltrohej në shtratin e “Vatrës”. I kishte dhënë Partisë tërë informacionet, për tërë të arratisurit, të strehuarit, azilkërkuesit, çfarë hanin, çfarë pinin e çfarë bënin, çfarë qëndrimesh kishin. Vetëm motrën e nënën mos ia trazonin.
Por një ditë të zezë, gati pas pesë vitesh, i kishte mbërritur lajmi që ato gjendeshin prej kohësh në internim, sa në një kamp në tjetrin. “Agjente për rusët”, dy femra!
Kishte kërkuar të shihte dosjen e të ëmës, pas nëntëdhjetës, kuptohet, por “ish-kolegët” nuk ia kishin siguruar dot. Të dinte të paktën pse i internuan në të vërtetë, kush ishte dora që e kishte orkestruar dhe pse. Dosja ishte zhdukur, apo nuk po gjendej? Pas shumë përpjekjesh kishte marr vesh që ato i kishin internuar jo shumë kohë pas “zhdukjes” së tij dhe tërë ata njerëz i kishte marrë kot në qafë. Ujdia me djallin e kuq s’kishte qenë gjë tjetër veçse një rreng.
Nga e motra s’kishte mbetur gjë, veçse një hije. Tërë ato vite vuajtjesh për të cilat ajo fajësonte atë patjetër, e kishin këputur thuajse fare hallkën e gjakut që i mbante lidhur. Pas kërkimesh e kishte gjetur, por takimi i tyre kishte qenë i akullt. Ajo nuk e pyeti kurrë pse ishte arratisur dhe ai nuk kishte guxuar as ta pyeste çfarë ajo dinte lidhur me arratisjen e tij. Ndoshta ishte më mirë që ajo ta gjykonte si një egoist që s'kishte menduar pasojat që ato do të vuanin në kurriz të tyre, sesa si një spiun, një nga ata që çon njerëzit në vendet e tmerrit ku, nënë e bijë, kishin përfunduar.
Ndoshta ajo dinte gjithçka dhe ndaj kontrollonte çdo fjalë dhe rrinte e pa lëvizur. Ai nuk kishte guxim ta merrte vesh të vërtetën. Kishin shtyrë me pahir atë pak kohë që u kishte mbetur bashkë dhe ai vetë, s’e kishte gjetur më dot burrërinë ta takonte përsëri. Ai ishte harruar në Amerikë e ajo në Belgjikë pas fëmijëve, që kishin imigruar andej. Shkruheshin rrallë, e më rrallë dëgjoheshin.
***
“Çfarë mund të bëj për ty djalosh?” - i kishte thënë të riut duke dashur tashmë t’i jepte fund takimit. Mjaft për një ditë.
Do t’i duheshin javë të tëra për ta bluar dhe fashitur tërë atë vorbull emocionale ku ra kaq papritur. Si dreqin ishte e mundur të ndeshej kaq fort, me të shkuarën e tij të errët? E kishte shmangur dhe në vizitën e tij të vetme në Shqipëri dhe përplasja i vjen këtu, matanë oqeanit, në Amerikën e madhe. Djersë të ftohta po i mbinin rrëzë flokëve e po kaq shpejt do ta mbulonin të tërin. Më mirë t’i jepte fund takimit për sot, para se kloni i Gjergjit ta pikaste nervozizmin e tij.
A trashëgojmë vetëm paraqitjen, apo edhe ndjesitë? Ishte pyetja që hodhi rrënjë si bar i egër aty para syve të tij, të cilën e dinte se do ta kishte shumë të vështirë ta shkulte. Patjetër që dhe i biri i Gjergjit do të kishte ndjesi të forta urrejtjeje dhe neverie për spiunët dhe shërbëtorët e komunizmit.
“Punë. Asgjë tjetër. Kontrata mirëmbajtje e riparimesh për pallatet që ju zotëroni në Manhaten. Mund t’i bëj të gjitha që nga lyerja, shtrimet me parket, pllaka e gjer tek punët hidraulike. Mund të m’i jepni me një pazar më të ulët sesa është tregu e kështu të jemi të kënaqur të dy. Unë kam kompaninë time. Kam nja tre-katër djem të mirë që punojnë për mua.
“Bravo! Nuk humbke kohë, megjithëse s’ke bërë as vitin këtu” - i tha ai vërtet i impresionuar.
I pëlqente ky djalë, i prerë e i gjallë si i ati. Donte dhe të rrinte me të dhe të ikte prej tij njëherësh. Të ikte prej vetvetes dhe të rrinte me atë pjesë të së shkuarës dhe të ardhmes që i mungonte. Sa mizor kishte qenë fati! Ia kishte marrë të gjithë njerëzit. E kishte lënë vetëm, kërcu, në fund të botës, prapa diellit. As grua, as fëmijë, asgjë. Ç’i duheshin pallatet e tërë pasuritë tani që dhe përsheshin me kos mezi ia treste stomaku! Ishte martuar me një amerikane, por s’kishin mundur të kishin fëmijë. Para dy vitesh ishte ndarë dhe me këtë. Për çfarë tamam s’e kishte kuptuar akoma. Kishin pasur të dy po ato huqe që kishin pasur tërë jetën, asgjë të re, veçse tani ishin më të ekzagjeruar ndoshta dhe niveli i durimit e tolerancës kishte rënë për tokë. Dreq e punë! Të ndahesh në pleqëri, kur s’ke takat më as për flirt! Alla amerikaaçe i thonë kësaj, kishte menduar ai sa e sa herë.
“Shumë mirë djalosh. Më bëj një zile në zyrë nga java tjetër dhe flasim më shtruar. Njëri nga pallatet ka nevojë për ndërrim parketi në korridore. Fillojmë me diçka të vogël dhe pastaj shohim e bëjmë”, - tha ai, dhe u ngrit duke i zgjatur dorën.
Nuk mund të qëndronte më. Zemra tashmë kishte rënë në fundin e një pusi të errët, që nuk kishte asnjë pikë ujë qysh prej dyzet vitesh dhe toka ishte bërë shkëmb. Shishja e konjakut, që i riu i dhuroi, ndoshta do ta ndihmonte të mblidhte veten pak nga pak, gjer në takimin e ardhshëm.
© Armenida Qyqja



