Krijimtari

Virgjëresha - Tregim nga Ilir Gjini

E kish vendosur të martohej patjetër këtë behar. Ndaj u kthye në fshatin e lindjes që nuk e kish parë prej 15 vjetësh. Nëna i kish gjetur edhe nusen. Një vajzë tepër e re që sapo kish mbyllur të gjashtëmëdhjetat e që e njihnin mirë, me rrënjë e me farë.

“Mbi të gjitha është e ndershme dhe do jesh i pari dhe i fundit mashkulli për të. Se në sojin tonë, nuk futim në shtëpi nuse cipëplasur… që nuk është e virgjër”, - i tha nëna. Edhe atë e mundonte shume fakti që nusja e tij e ardhshme duhej të ishte patjetër virgjëreshë. Kishte njohur disa femra në dhe të huaj, po asnjëra nuk qe e virgjër.

Në fshatin e tij, rituali i çarçafit të bardhë i natës së parë të martesës, ngjyer me të kuqen e gjakut virgjëror, ishte si melhem për krenarinë burrërore. Çarçafi varej në një hu të lartë që mund të shihej që nga larg, si flamur i besnikërisë e shenjtërisë. Madje disa e fotografonin këtë flamur të pazakontë dhe e varnin foton në një kornizë të gdhendur bri oxhakut, që të mund ta shihnin edhe miqtë. 

Një ritual i çuditshëm që vinte nga një kohë e largët, e respektohej me fanatizëm nga të gjithë. Në klubin e vogël të fshatit takoi dy nga shokët e fëminisë që njësoj si ai kishin ardhur nga kurbeti, për t’u martuar me një virgjëreshë. Si u çmallën e kujtuan fëmininë, filluan t’i kthenin me fund kupat e rakisë, si një i djegur nga etja që kërkon të pijë gjithë pusin.

-Thua të këtë ende vajza të virgjëra në moshën e martesës? - pyeti Agimi që kishte ardhur nga Bostoni

-Si zor të ketë! - ia ktheu Beni, që qe kthyer nga Londra.

-Shumë enigrantë vijnë gjatë verës për t’u martuar me virgjëresha, - tha Aliu një plak i moshuar në tavolinën përbri. -Ndaj ka dalë një marifet i ri tani… venë te doktori e qepen, e nga cipëplasura, bëhen prapë shenjtore. -Kënaqen edhe djemtë se besojnë se janë martuar me një virgjëreshë. -Njësoj si xhaketa ime, që rrobaqeps Selua e qepi duke e kthyer së jashtmi stofin e anës së brendshme, që të dukej e re kur u martova, - qeshi nëpër dhëmbë.

Fjalët e tij krijuan një hon zbrazëtie te të tre. Kthyen me fund godat e rakisë dhe nuk folën më. Të nesërmen, pa ndonjë mundim të madh, gjeti numrin e telefonit të kandidates për nuse dhe i telefonoi. E takoi pas shkolle, pa pritur ceremonitë familjare të daljes e parjes në distancë. Takimi qe zhgënjyes për të. Vajza duhet të qe vërtetë e virgjër, po dukej gati fëmijë. As gjoksi nuk i qe formuar ende dhe gjatë gjithë takimit, me zor belbëzoi ca fjalë gjysmake nga emocioni. “Nuk mund të martohem me një fëmijë”…

-Si të quajnë?

-Vjosa, - u përgjigj vajza dhe i uli sytë përdhe.

“Paska emër lumi. Po tani s’është as vijë uji, e që të bëhët përrua do t’i duhen ca vite”. 

Ia bëri të qartë edhe nënës, se ndoshta mund të fejohej me të pas dy vjetësh, kur vajza të kish mbaruar shkollën. Duarbosh u kthye sërish në Londër, ku një e papritur jo e këndshme e priste. Miku i tij i ngushtë që e strehoi dhe e ndihmoi aq shumë për të fituar statusin e emigrantit, tani i lutej t’ia kthente nderin në një formë tjetër. Kishte shkuar në Londër pa mbushur të pesëmbëdhjetat dhe Matias një emigrant kolumbian, qe bërë për të foleja e ngrohtë që ia lehtësonte mallin për gjithë ç’la pas. Matias iu lut të bënte një martesë të rreme me motrën e tij, sa për të fituar dokumentat.

Ajo punonte infermiere në Bogota dhe një mik i Matias do e ndihmonte të punësohej në një klinikë private në Londër, e specializuar në heqjen e rrudhave. Mënyra më e shpejtë për të marrë një status të ligjshëm qëndrimi në Angli, ishte martesa.

-Mos u mërzit, - i tha Matias. -Nuk do qëndrosh më shumë se një vit i “martuar”. -Aq kam ndenjur edhe unë… po në ndryshim nga ti që nuk ke asnjë detyrim bashkëshortor, unë e ndaja shtratin me një plakushe. -Dehesha që të bëja detyrën e burrit dhe një natë teksa e puthja, më mbeti në gjuhë ura e dhëmbëve të saj, si ato minat e paplasura që nga koha e luftës, që shpërthejnë papritur.

Matias qe martuar me një grua të moshuar angleze, që e pati njohur në një resort 5 yjesh në Bogota. Qëndroi me të një vit dhe një natë u largua nga sytë këmbët, bashkë me urën e dhëmbëve të saj që i mbeti në gojë e filloi ta kafshonte gjithë urrejtje. Vraponte dhe kafshonte kaq fort dhëmbët e saj të rremë, sa goja iu mbush me gjak.

I dukej sikur merrte hak për gjithë ato ledhatime e përkëdhelje false, që me stërmundim i kishte dhuruar asaj që nga mosha përafronte me gjyshen e tij. Këtë “suvenir” dhëmbësh, Matias e mbante në një sirtar dhe një ditë kur ai e pyeti, i tha se e kishte si trofe të “betejës” për të marrë pasaportën angleze.

Deshi s’deshi, e pranoi propozimin e Matias.

Për të qenë më të besueshëm për autoritetet e emigracionit, shkuan bashkë me të dy herë me pushime në Bogota. Hodhën edhe ca foto përqafuar me Sarën, motrën e Matias, në rrjetet sociale. Ajo qe vajzë e çiltër dhe i rrëfeu pa ndrojtje gjithë jetën e saj. Qe munduar e kish punuar shumë, por në dashuri nuk i kishte ecur fati. Të dashurin e parë e njohu në bangat e shkollës. Qe një dashuri fëminore si një puhizë e lehtë, që vjen e largohet shpejt. Të dytin në vitet studentore. Por zgjati shumë pak, pasi ai papritur humbi jetën në një aksident. Ndërsa i treti që punonte si mjek në të njëjtin spital, e braktisi për t’u martuar me një vejushë të pasur, që ishte pacientia e tij.

Nuk kaloi shumë kohë nga martesa false dhe Matias si pelivan që i njeh mirë shtigjet, e solli Sarën në Londër. Tani të tre banonin nën një çati. Shtëpia tashmë qe e pastër dhe gatimet e saj konkuronin me ato të nënës së tij. Te dielave Sara e Matias shkonin në kishë. Ai nuk qe besimtar, por shkonte me ta në kishë, në respekt të mirësisë ndaj tij. Një të diel teksa prifti mbaroi shërbesën, po prisnin në radhë për të kafshuar copat e vogla të meshës që frati ua ofronte besimtarëve.

Papritur Matias ia dha vrapit e gati fluturoi jashtë derës së madhe të kishës. Para tyre qëndronte një grua e moshuar dhe kur kafshoi meshën, ai vëreu se asaj i mungonin krejt dhëmbët e sipërm. Duhet të jetë ish-gruaja e Matias, ose ngjason me të mendoi, po Sarës ia fshehu të vërtetën. Kur po ktheshin për në shtëpi, në një kthesë të fortë, balli i Sarës i preku lehtë supin. Krahu iu mpi, sa nuk ishte në gjendje të lëvizte marshin. Frenoi dhe i tha Sarës të merrte timonin.

-Mos je sëmurë? - e pyeti Sara dhe i vuri pëllëmbën në ballë.

-Jo, - mërmëriti nën zë.

Mbështeti kokën në gjoksin e saj dhe të dy po dridheshin. Buzët e tyre të ngrira nga emocioni, u bashkuan si dy copa akulli që shkrihen nga i ngrohti i diellit.

Pas një jave telefonoi nënën dhe i tha se qe martuar me një virgjëreshë. Nëna i kërkoi të dërgonte edhe çarçafin e natës së parë të martesës që t’a valëviste si flamur para gjithë fshatit. Në vend të çarçafit, ai i dërgoi një shami të vogël që nëna e kish qëndisur një zemër të vogël, shumë vite më parë. Me të kish fshirë lotët e mallit.

© Ilir Gjini - Toronto

Tagged under Ilir Gjini