Krijimtari

Membranë e hollë mëndafshi - Tregim nga Sami Milloshi

- Kjo që do të them tani mund të tingëllojë e çuditshme, - foli ajo -, por jam në një farë mënyre e shqetësuar se si ne mund të paguajmë për operacionin plastik  kur unë do ta humb gjithë atë mbipeshë që kam.

- Operacion plastik?!! - tha ai, jo pa habi.

Ata ishin duke shetitur bregut të detit në Outer Banks, North Carolina, ngjitur mish për mishi me njeri-tjetrin.

Ajo, as më shumë e as më pak se një metër e gjashtëdhjetë centimetra gjatësi. Por, me një peshë rreth njëqind kilogramë, ka qenë e dënuar të vuajë dhimbjet e kyçeve të këmbëve, dhimbjet e shputave, dhimbjet e gjunjëve... E mos me e zgjatë, shumëçka që dhemb e as nuk mund të numërohet, e as t’i vihet emër.

Thjesht, ajo nuk mund të lëvizë shpejt, madje ajo nuk mund të ecë normal, së paku si gjithë të tjerët. E ecura e saj i ngjan ecjes së një elefanti. Dhe, përfytyroje pak, se si dielli i gushtit ia shkrin fytyrën e saj si prej tlyni...

Fshehurazi, pas syzeve të tij të diellit, ai ia ka ngulur sytë mbathjeve thong të saj, e sheh se si dridhet gjithë ajo masë tuli përreth, sikur të ishte një gur i rëndë mulliri nga ato të shekujve të kaluar.

- E di çfarë? - thotë ajo - jam duke e përfytyruar gjithë atë masë lëkure pasi të boshatiset prej gjithë atij tuli mishi që mbaj sot...

Pastaj, ajo i tregon se kishte dëgjuar për një burrë që e kishte shitur gjithë lëkuren e tepërt tek një kompani e lëndëve mjekësore, çka e kishte ndihmuar të paguante për trajtimin kozmetik të tij.

- Jo, jo - i gjegjet ai. - Kjo është qesharake.  Nuk funksionon në atë mënyre. Ti mund të kesh disa rrudha, por lëkura tkurret kur ti humb peshë. Shkon në gen të vet. Nuk është diçka e njejtë, sikur, bie fjala, të boshatisësh një thes plastic të stërmadh ushqimesh.

Gjatë gjithë këtyre muajve ata kanë biseduar për mbipeshën e saj, se si ajo do të mund ta heqë atë, se sa shumë ai ia do ato tule, se si qenia e hollë dhe pa tule është thjesht një prirje kulturore, një koprraci, një mungesë, që ata nuk e kanë patur kurrë më parë si temë bisede.

Por, pastaj, ajo gjithmonë ka shpërthyer me këto spekullime të çuditshme, se si njera nga shoqet e saj tek klubi "Mbikqyrja e peshës" ishte  shtatzanë me binjakë, dhe ajo madje as nuk e dinte që ishte, derisa një ditë ata thjesht dolën jashtë në dritë...

Dhe, se si, një ditë tjetër, ajo tregoi se kishte lexuar për një burrë, tulet e mishit të të cilit u ndezën në zjarr siç ndizet dhjami në një tigan. Dhe, kështu, megjithëse kjo duket marrëzi, atij, një ditë prej ditësh, po i shkonte ndër mend se si lëkura e saj, mund të hapërdahej dhe shfryhej në hapësirë si një balonë me ajër të nxehtë, duke lënë pas një membranë të hollë mëndafshi...

- A je i sigurtë? - pyeti ajo.

Ai rrotulloi sytë dhe psherëtiu, ndërsa përballë gati sa nuk ia shqyen hundën  nja dy sigulls me sqepat e tyre të mprehtë. Ai po rrekej ta përfytyronte atë në trupin e saj, lëkurën e saj të plagosur. Gjithshka po i dukej si një shtëpi e përmbysur dhe e braktisur...

Ajo ia mori dorën e tij dhe ia ngjeshi si me mastiç pas te belit të saj. Gishtat e saj si salçiçe ia shuan urinë e tij të zakonshme.

- Mbahu në lëkurën tënde, - i tha ai - ndërsa ata të dy  duket sikur po notojnë ngadalë drejt një të ardhmjeje që i kërcënon t'i hollojë përreth tyre.

- Mbahu në lëkurën tënde!

Dhe ai e mban atë si një gondolë së cilës ia dirigjon kahjen siç ia thotë mendja.

Dhe Bota, si shpërblim në kthim, i këqyr ata të dy me aq zili dhe me aq habi.

© Sami Milloshi - Boston