Krijimtari

Në rrjedhën e ritualit të vjetër - Nga Flurans Ilia

Ishim një datëlindje

(këtë e di) - 1971

kur na thërrisnin për analiza

dhe parametrat e detyruara

në para-ushtri

edhe kur vinim baste

buzë lumit

kush do e hidhte shurrën

sa më larg

flakërimit të shpresave

veshur në blu

horizont i kapur

pas qafës - llastiqet

si hajmali -

e bardha brymë e gjallesave

gëlqere e shuar mureve

rrugica të tretura

nën pulpa këmbësh

rendte përherë fëmijëria

e lirë

sikur vdekjes nuk i lipset pasuria

por shpirti i pasditeve

rrënojave drejt së shkuarës

ku luhej fjala si top

pesëdhjetë-lekësh

shpuar me tel të nxehtë

që të shtrohej kollaj

që të rrëshqiste pastaj

si vetë shekulli

mbi asfaltin e zi

shpirti përçues përmbi

ujërave të kujtimeve

ngarendjeve të burimeve

si teshat buzë kallamishteve

nderur ëndrrat në syrin e kuajve

shikim i huaj ndaj një bote

shikim i tyre kozmik

ku kafsha di të përlotet

pasi rrahur është nga njeriu

me kamxhik

shikim i ngelur në mendje

gjaku i shpërvjelë në trotuar

ndarë nga një akt barbar

fëmijët e diellit kureshtar

pas aktit e vështronim atë sy

e ai na sodiste tej bregut tjetër

vinte drejt nesh si një Pegaso

në rrjedhën e ritualit të vjetër

© Flurans Ilia, Montreal -1 Qershor 2025