Vallëzimi i fundit - Tregim nga Ilir Gjini
(Kushtuar brezit të humbur të artistëve, që për "arsye politike” skena nuk i pranoi kurrë)
Ishte një mëngjes si gjithë të tjerët. U ula me përtesë në tavolinën time në cep të kafenesë dhe kamarieri më solli kafen, pa pritur porosinë. Kam kohë që nuk i lexoj gazetat. Janë të mbushura me lajme politike dhe showbiz-i pa interes. Por një lajm i pazakontë, që e lexova në faqen e hapur të gazetës që një meso burrë nga tavolina përbri gati ma takoi në hundë, më tërhoqi vëmendjen. “Vallëzimi i vdekjes” qe kryelajmi që fliste për një vajze që kish humbur jetën duke kërcyer në rrugë.
Brofa në këmbë dhe rrëmbeva pultin e televizorit duke kërkuar me nxitim kanalet që transmentonin vetëm lajme. Pamjet e marra nga një biznes argjendarie që ndodhej përballë me vendin e aksidentit, tregonin një femër elegante, që kërcente një dans klasik me një plastikë të admirueshme. Pas disa piruetave të një-pas-njëshme, mori vrull në ajër sikur donte të kapte retë në qiell dhe këmbët e saj të drejta si kompas, u hapën fuqishëm në një sparkatë vizuale, duke kapërcyer edhe gardhin rrethues të një grope të hapur, ku po ngriheshin themelet e një shtese pallati.
Kish gjetur vdekjen e menjëhershme, pasi një nga hekurat e themeleve i kishte tejçpuar kraharorin. Gazetari me një zell të pazakontë kish zbuluar edhe detajet e vogla të aksidentit, ndërsa u bënte apel të afërmve të vinin në morg për të identifikuar viktimën, pasi nuk kishte asnjë dokument.
Aksidenti kish ndodhur në mesnatë. Figura e balerinës që kërcente valsin e vdekjes, më vërtitej para syve dhe këmbët më çuan drejt morgut. Nuk e di pse pse në vesh më hynin si hije muzgu, notat e gjata të Preludit të Vdekjes të Rahmaninov.
Dikur student e kisha inskenuar këtë prelud disi horror. Akordet e gjata si këmbana zije që paralajmërojnë vdekjen e dikujt, kortezhi i heshtur dhe më pas kallja e kufomës në varr. Kur balta ka mbuluar arkëmortin, çuditërisht i vdekuri zgjohet. Hap sytë... kudo errësirë. Përpiqet të çohet po kapaku është mbyllur mirë. Nxiton të shkallmojë me duar e këmbë arkëmortin, por forcat e lënë. Një frymëxjerrje e fundit, si epilog i gjithë jetës së tij të turbullt. Dhe sërish akorde të gjata si dialog kukuvajkash, që lajmërojnë vdekjen për herë të dytë të njeriut pa emër.
Para oborrit të vogël të morgut ndesha një burrë të vjetër në të 70-tat, me një shikim të tretur larg, sikur donte të zgjonte kujtimet. Mjekra i dridhej, ndërsa duart i mbante të kryqezuara si t’ia kishin mbërthyer me pranga.
- Ju ka ndodhur ndonjë fatkeqësi, - e pyeta me kortezi?
- Nuk e di ende, - u përgjigj me zërin që i dridhej. Lus Zotin mos jetë e vërtetë!
- Po ju?
- Pashë një lajm të çuditshëm në televizor, për një balerinë që gjeti vdekjen duke kërcyer në rrugë. Dikur kam pasur një shoqe në kursin e baletit.
Megjithëse pamjet ishin të zbehta, nuk di pse më solli ndër mend ish-shoqen time të shkollës. Quhej Dolores Hana.
- Edhe unë për atë kam ardhur, - tha me gjysëm zëri dhe filloi të lotonte, ndërsa nga kraharori i doli një ngulçimë e zgjatur.
Pata përshtypjen se do rrëzohej, ndaj e kapa lehtë nga krahu. Një infermiere na thirri të hynim brenda. Kur ajo zbuloi fytyrën e kufomës, munda të njihja ish-shoqen time të kursit të baletit. Nuk kish ndryshuar shumë. Vitet sikur kishin konservuar këtë bukuri lakonike, si një statujë antike që erozioni i kohës nuk ka mundur t’ia gërryejë hijeshinë.
Notat vrastare të Preludit të Vdekjes përplaseshin në portretin e saj dhe dukej sikur nga çasti në çast, do të ngrihej sërish për të vallëzuar. Dënesat e plakut më përmënden. Zgjati krahët dhe më përqafoi ngrohtë, sikur të ishte im atë. Pas disa formaliteteve në zyrat e morgut, telefonova një taksi dhe e shoqërova në shtëpinë e vet. Qëndruam disa minuta pa folur, në vetminë tonë të kujtimeve.
- E kam pasur si vajzën time, - theu i pari heshtjen plaku. Kam njohur të atin e saj në burgun e Qafë Barit. Në atë Ferr të varrosur mes të gjallëve, kemi qëndruar për rreth 10 vite së bashku. Fatëkeqësisht ai nuk mundi të shihte funeralin e regjimit.
- Më kujtohet, ishim në vitin e fundit të maturës, kur Dorit i arrestuan babanë. Disa muaj më vonë e internuan në fshatrat e Myzeqesë, pasi e ëma nuk pranoi të bënte divorc.
- Po, po, ajo i qëndroi besnike dhe vinte bashkë me vajzën për ta takuar në burg. Por nga dëshpërimi dhe puna e rëndë, u sëmur dhe u largua nga kjo jetë. Pas vdekjes së të ëmës, Doloresi bëri shumë lutje për t’u kthyer në Tiranë, por ia refuzuan. I ati gati u paralizua nga puna e rëndë në minierë. Gjysëm ulok vinte vërdallë në mencën e burgut, duke bërë disa punë të vogla. Në shtratin e vdekjes më la amanet vajzën. Të afërmit e tij i kthyen krahët, pasi e konsideronin armik. Kur dola nga burgu, u përpoqa të rregulloja disi jetën. Fëmijë nuk munda të kem, se na kalbën në burg për gati 20 vite me gjithë time shoqe si sabotatorë, në kulmin e rinisë. E gjeta Doloresin dhe e solla në shtëpinë time. U përpoqëm t’i falnim shumë dashuri. Për ne që nuk mundëm të bëheshim prindër, ajo qe më shumë se bekim. Shpesh dukej e trishtuar dhe e mbyllur në vetvete. Humbja e prindërve dhe sidomos vrasja e endrrës për t’u bërë balerinë, ia kishin zhbërë kuptimin e jetës. U lidh shumë me time shoqe sikur të ishin vërtetë nënë e bijë. Vdekja e saj e papritur e bëri edhe më të heshtur. Ndonjëherë ngrihej natën dhe vallëzonte në errësirë.
Zëri i tij i mekur u shua si kandil i mpakur dhe në dhomë mbretëroi heshtja. U ngrit ngadalë dhe pak çaste më vonë u kthye duke më zgjatur ditarin e saj.
Fillova ta shfletoj me kërshëri sapo u ndava me plakun e gjorë. Mes rreshtave më shfaqej portreti i saj. Dukej sikur vallëzonte duke i vënë pikat e fjalive me puantet që e mbanin në majë të gishtave… “nuk kam më ëndrra, m’i zhbënë edhe ëndrrat. Sa shumë do të doja të vallzoja edhe njëherë në skenë dhe spektatori i vetëm të ishte im atë. Më mjaftojnë vetëm duartrokitjet e tij, si rrahje të shpeshta zemre”.
Vazhdova të lexoja ditarin duke shkelur në trotuarin e vjetër të shkollës sonë të dikurshme. U përplasa me siluetën e saj në oborrin e kujtimeve. Po ecnin krah-për-krah me Rikun, të dashurin e saj të maturës.
“… o Zot pse jam kaq fatkeqe? Në jetë kam njohur vetëm zhgënjime. I njëjti fat më ndjek edhe në dashuri. E desha kaq shumë, ndoshta më shumë se veten time. Më premtoi parajsën, por sapo iku në dhe të huaj, s’u bë më i gjallë. Për vite me radhë e pashë vetëm në ëndërr. Vetëm dje m’u shfaq para syve, përqafuar me ish-shoqen time të shkollës. O Zot, fërkova sytë se mos po shihja ëndërr… joooo. Më mirë mos kisha lindur. Edhe në maturë e preka dashurinë. Ma burgosën edhe puthjen e parë!”
Nga dritarja e hapur e katit të dytë dëgjoheshin tingujt e një pianoforte. Akordet stakato të vrazhdëta përhapeshin vajtueshëm në ajër dhe siluetat e zgjatura të rrepeve të moçëm filluan të vallzonin rreth meje. Më dukeshin si djaj të parajsës.
© Ilir Gjini - Toronto



