Krijimtari

“Dhimbja e ikonës”, një roman cilësor nga pena e Kristaq Turtullit - Nga Aleko Likaj

Romancieri i mirënjohur Kristaq Turtulli pas botimeve të librave me tregime, novela, romaneve dhe librit “Poezi të zgjedhura”, rikthehet përsëri tek gjinia e romanit, të cilën, e ka lëvruar me sukses vazhdimisht në këto tre dekada, duke sjellë kështu një larmishmëri e pafundësi temash interesante, me karakter social dhe historik.

“Dhimbja e ikonës”, vepra më e fundit që ka dalë këto ditë nga pena e tij, është një roman i fuqishëm karakteresh. Autori është përkujdesur të skalisë me mjeshtëri deri në detaje, brenda një sfondi social, ku ndizet dhe mbahet deri në fund një dramë e përbashket e një qyteti, njerëzit e personazhet e tij. Ashtu si nje piktor i mire (pasion i veçantë dhe i “fshehur” i Kristaqit krahas letërsisë), që hedh vazhdimisht në telajo peisazhe, kompozime e portrete nga jeta, ai edhe në këtë krijimtari të fundmë me “penelin” e tij të fuqishëm artistik, ka mundur që brenda një fryme realiste të na sjellë edhe në romanin e ri njeriun, të vizatuar me vërtetësi, nga një këndvështrim tepër të veçantë dhe tepër interesant.

Në dukje si një histori e thjeshtë, e përzgjedhur në fillimin e ndryshimeve sociale dhe të sistemit, ato ditë ku shqiptarët zunë dhe morën udhët drejt Europës me anije, dhe deri në ditët e sotme, ngjarje këto që për hir të realitetit, në fakt, kanë zënë vend dhe vazhdojnë të zenë vazhdimisht në shumë krijime, nga një plejade e madhe autorësh shqiptarë që e lëvrojnë, por shkrimtari ynë i shquar ka mundur që të bëjë me mjeshtëri dallimin, të veçantën. Ashtu si një kirurg i mire, me “bisturinë” e tij ai bën autopsinë e një shoqërie post komuniste, që ende nuk është e çliruar nga mendësitë, si një peng i së kaluarës, dhe vazhdon të jetojë e zhytur në kaos, ku njeriu për njeriun është dhe mbetet ujk.

Gjithçka ndodh dhe përjetohet në sytë dhe mëndjen e një emigrant, Fatbardh Ananezit, larguar nga vendi në ato fillime, kur sapo rrëzohej sistemi si një ngrehinë e së keqes. Autori na e risjell në vendin e qytetin e tij të dikurshëm, shumë vite më vonë, si një vizitor të përmalluar. Gjithëçka kalon nëpërmjet syrit dhe mëndjes së tij, si një përjetim i prekshëm dhe real. E dhënë kjo artistikisht, nëpërmjet një metafore që të mban deri në fund, ku shpërvilet në faqet e romanit drama dhe tragjedia e njerëzve që mbesin dhe janë viktima të një grupi shoqëror, që kanë vënë pasuri deri në masa të frikshme, nëpërmjet korupsionin grabitjes në bashkëpunim me klasën politike, që janë dhe mbeten në simbiozë me krimin e rrugës.

Si në paradë kalojnë përpara lexuesit tipa dhe karaktere personazhesh, si Fatbardhi, Tasi Kotori, Keti Gjylameti, Luljeta, Raqi Shoguri, Daniela dhe i dashuri i saj Valboni, deputeti Jonuz, Kalosh Serdeni e të tjerë, që në fakt, “aktrojnë” për lexuesin, duke sjellë e mbajtur dramën dhe tragjedinë, jo vetëm të individit por edhe më gjerë, të një shoqërie të sëmurë e të kapur peng. Natyrisht që transformimet sociale vijnë sipas autorit nëpërmjet dhimbjeve të mëdha.

Në qendër mbetet historia e dy të rinjve të dashuruar, Sotiraqit dhe Luljetës, e cila ka një kulm që kthehet në fakt si tragjedi, ku shpërbëhet njeriu përveç ndjenjës së pastërt. Autori e vendos atë në një tjetër hapsirë e kohë, si retrospektivë, duke na rikujtuar kështu vitin 1997. Në momentin që dy të rinjtë shkojnë me biçikletë, në një ambient e kohë absurdi, për të kurorëzuar lidhjen e tyre në martesë, në kishën e qytetit, njerëzit e krimit dhunojnë dhe rrëmbejnë vajzën, ndërsa dhëndërin e ri e masakrojnë dhe e shkatërrojnë psikologjikisht. Një i ri ky që kishte ëndrra dhe pasione të bukura për jetën dhe vetë shoqërinë, por që deri në fund të faqeve të këtij libri mbetet fisnik në karakter e personalitet, edhe pse ata që e shkatërruan e etiketojnë në qytet si një njeri të dalë mendsh e të rrënuar krejtësisht ekonomikisht.

Sotiraq Shoguri ka simpatinë e autorit nëpërmejt personazhit Fatbardh Ananezi, shok i dikurshëm i tij, i cili e çmon dhe e respekton atë, që e ka gjetur dhe ritakuar atë pas shumë vitesh, në mjerim të plotë e të shkatërruar plotësisht, duke bërë kësisoj edhe dallimin midis kushëririt të tij Tasi Kotori, njeriut të një gjaku, që në fakt pas këtij momenti e braktis atë, duke i refuzuar edhe mikëpritjen. Dhe ashtu siç ndodh zakonisht brenda botës së krimit, si një mafie e vërtetë, vetë “biznesmenit” Kotori i shkatërrohet familja, skenë kjo e parafundit me të cilën pëmbyllen në fakt edhe ngjarjet dhe fundi i romanit

Në vepër spikat figura negative e Tasi Kotorit. Një njeri që nëpërmjet krimit është kthyer befas në një biznesmen të fuqishëm në qytet, i cili edhe pse i martuar me familje, për hir të një pasioni, apo të një trilli të dikurshëm rinor, urdhëron bandën e tij e i shkatërron jetën vajzës që e dashuron tashmë një tjetër, duke e rrëmbyer dhe përdhunuar nga altari i kishës, në ceremoninë e martesës së saj.

Bie në sy ana kompozicionale, shprehëse, që është zgjedhur me kujdes dhe art nga autori. Kristaq Turtulli dallohet edhe në këtë krijim të fundit të tij për një gjuhë të figurshme të pasur e të larmishme, duke e bërë kësisoj veprën të kuptueshme dhe cilësore.

© Aleko Likaj - Francë