Krijimtari

Ti ke trupin tënd, unë kam pengun tim - Tregim nga Sami Milloshi

Bota nuk u përmbys, dhe, as ka me u përmbysë. Por, Lauria na e bëri të ditur diçka, që ndodh rrallë, ndoshta një herë në shekull: ajo ia hoqi vetes me dashjen e saj, mundësinë për të lindur fëmijë. Siç i thonë në gjuhën e shkencës: e sterilizoi veten.

Lajmin e dha vetë Lauria. E morën vesh pak njerëz, midis të cilëve edhe unë si komshi i saj. Nuk mund ta merrte vesh gjithë Bota, se ata që shpërndajnë lajme të mëdha për Botën, janë të përqendruar në halle të tjera, të cilat iu duken më të mëdha.

Ta shohësh Laurien nga afër, të merr në qafë. E bukur si zanë. Ata sytë e gjelbër sikur mbajnë gjithë hijeshinë e Amazonës.

Ata dhëmbët e bardhë, krejt si gurzit e lumit, siç thoshte një poet i madh shqiptar.

Gjithshka e saj i ka trajtat e perrisë. Por, shpirtin e saj, atë e ka si një thesar, të cilin nuk do ta ndajë me askënd.

E takova në parkingun e pallatit.

Fytyra e saj e bardhë si bora se ç'kishte marrë një pah të verdhëremë, a ndoshta m'u bë mua ashtu, kur ve ca vija mbi trungjet e zinj të pyllit në telajon time.

U përshëndetëm. U pyetëm. 

Nuk e pyeta se çfarë kishte bërë me trupin e saj. Kisha frikë ta thyeja vazon e qelqtë që ajo kishte bërë brenda vetes përmes një furre pjekjeje qelqesh në temperatura intime.

Desha t'i them: "Çfarë i bëre vetes, moj korbë?!" Bash ashtu siç pyeste nëna ime, kur dëgjonte ndonjë gjëmë në fshatin tonë, diku mes maleve ballkanike. Por, jo, nuk pata guxim.

Por, meqë Lauria më kishte pyetur një ditë nëse unë kisha ndonjë peng në jetën time dhe, me që unë nuk isha gati atë ditë t'i përgjigjesha, sot për çudi isha më i gatshëm se kurrë. Prandaj edhe e rihapa atë bisedën që kishim bërë dikur për pengjet, të sajat dhe të miat.

- Laurie, të kujtohet kur më pyete nëse kam unë ndonjë peng?

- Po - tha ajo - dhe ti nuk m'u përgjigje.

- Të përgjigjem sot, - thashë unë.

- Pa hë, cila është përgjigja? - tha ajo.

- E kam peng që nuk kam një fëmijë më shumë. Gjyshja më qe lutur kur unë u bëra me fëmijën e dytë. "Edhe një tjetër, një është pak, dy nuk janë shumë", thoshte ajo. I pata premtuar për të tretin, por nuk ia mbajta premtimin...

- Ti e ke pasur kollaj të premtosh, me trupin e dikujt tjetër, por unë, siç e more vesh, besoj, nuk mund dhe nuk dua të premtoj, as për një, e jo më për tre,  siç e paske peng ti. Trupi është i imi, pengu është i yti...

Shtanga. Nuk dija se çfarë t'i thosha Lauries. As trupi i saj nuk mund të bëhej i imi dhe as pengu im nuk mund të bëhej i saji.

Në buzë më erdhi sërish ajo shprehja e nënës. "Çfarë i bëre vetes moj korbë?!" Desha t'i them se ti nuk je as tridhjetëepesë vjeçe, ndërsa unë sa dyfishi yt. Desha t'i them se pengjet njeriu i zbulon vonë, kur i afrohet varrit ose kur i hollohet peri i jetës. Por përsëri, një si gulç ma zuri fytin dhe nuk fola asnjë fjalë.

- Laurie - thashë unë - unë nuk e marr vesh trupin e gruas. Nuk mund ta marr vesh kurrë. Ama, një gjë më duket se e marr vesh.

- Çfarë? - pyeti Lauria.

- Që në jetën e njeriut vjen edhe dashuria edhe urrejtja. Dashuria shkon e vjen.  Ndërsa urrejtja mbetet aty, është si tharmi me të cilin gatuhet buka që hamë për ditë.

U duk sikur i pëlqeu kjo që i thashë. I ndritën sytë.

- Po - tha - për shkak të urrejtjes për dikë, prandaj edhe unë ia hoqa mundësinë vetes të kem, qoftë edhe një fëmijë...

- Për cilin? - pyeta unë i shashtisur.

- Për atë burrë që sapo u zgjodh presidenti ynë, - tha Lauria sikur të kishte nxjerrë një të vjellë të stërmadhe dhe të ma kishte hedhur në prehër.

- Mos- i thashë unë. - Kur ai e ndoshta edhe unë, të mos jemi gjallë në këtë botë, atëhere, pikërisht atëhere, do të shfaqet pengu yt, njësoj si m'u shfaq mua pengu im që nuk ia mbajta premtimin gjyshes...

- Ndoshta, - tha Lauria - por së paku tani për tani unë ç'pata për t'ia thënë presidentit, ia thashë: "Ai nuk mund ta shohë trupin tim si makinë riprodhimi..."

- Por, më vjen keq të ta them, Laurie, do të të mbetet peng...

- Ndoshta, - tha ajo dhe iku në punë të vet...

- Bye, bye, Laurie, ti ke trupin tënd, unë kam pengun tim...

© Sami Milloshi