Qindi e pasdites - Nga Flurans Ilia
Qindi e pasdites
këmbëzbathur vështron
farat e zeza në tulin e kuq
kur më thua “Ta ha zemrën”
si shalqi në muzg
në gusht
me gishta përlyer
në grusht
kullon lëng i ëmbël
pafajësia
fëmijëria.
Veç brenda teje - turist
mes turistësh fotografon qytetin
atë tëndin - atë tjetrin
të pafajshmin
intimin të brishtin të kthjellëtin
pa lajle lule metaforash - pa filtër
fotografon atë që ata nuk shohin
atë që ata nuk e dinë
sinqeritetin
sinusoidën e zhvendosur
nga simetria e shikimit
dhemb pesha e objekteve
gurëve që nuk flasin
për gjërat e pathëna.
Pas rendjes së lodhshme
të fjalëve
harroi metaforat e dhëna
ndaj jetës që shkoi
si kroi
në famullinë e shpatullave
pesha e çdo qytetërimi
kalëruar ka kaluar këtu.
Sot tingëllon si:
“trendy”
“trendiness”
“trendily”
“UP TO DATE”
përkthimi
efemer
sipërfaqësor
gojor
midis dy vakteve
e premtja kryqëzuar në dru
me ritualin e duhur
të fjalëve.
Te unë te ti
kujtesa e qytetit
në altar të kultit
hesht
si një profeci
e pasdites qindi
këmbëzbathur vështron
farat e zeza në tulin e kuq
kur të them “Ta ha zemrën”
si frutën në muzg
© Flurans Ilia - Gusht, 2025



