Fëmija i luftës - Tregim nga Ilir Gjini
Mr. Charry u ngrit herët me një dhimbje të pazakontë koke. Qafa i qe mpirë dhe kur e pa veten në pasqyrë iu duk sikur po shihte kufomën e tij, ndërsa avujt e ngrohtë të ujit të dushit që përhapeshin si fjolla të vogla resh e përplaseshin në pasqyrën e tualetit, iu fanepsën si portrete të përvuajtur miqsh, shpërndarë anë e kënd botës.
Gjumin e kishte bërë me copa, si dhëmbët e rralluar në gojët e pleqve. E ndërsa përmendej nga ëndrrat, dëgjonte tingullin e mprehtë të mesazheve që vinin në inbox-in e tij. Në fakt merrte mesazhe të shumta nga anë të skajshme të botës, sepse prej shumë vitesh kishte qënë në misione bamirësie.
Organizata e tij jo më kot quhej “Charity” dhe shumëkush nga ata që ishin në pozita mbijetese për shkak të luftrave, e falenderonin me shpirt. Madje edhe emrin e vërtetë e kishte Charlie, por Charry e kishin “pagëzuar” miqtë e tij të afërt dhe atij i pëlqente ta quanin ashtu.
Mes mesazheve të shumta i tërhoqi vëmendjen një foto e një djaloshi ndoshta 12 vjeçar, diku në rrënojat e një ndërtese që kish pozuar me një një laptop të vogël në dorë me një mbishkrim: “…të kujtohet? Eshtë dhurata më e çmuar që kam marrë. Ju ma dhuruat.” Kish ndihmuar fëmijë të shumtë në Afrikë e Azi dhe po përpiqej të kujtonte se kush ishte djali i fotos… Më pas një mesazh i gjatë që kish ardhur me copa:
“…ndihmomë të lutem… para ca ditësh, një shpërthim i madh e copëtoi ndërtesën ku strehoheshim. U hodha përpjetë nga zhurma dhe më dhimbnin shumë veshët. Shikoja vetëm pluhur. Fatima më ndihmoi të çohem. Pas disa orësh dolëm përjashta. Sapo kish lindur dielli.
Gjysma e sipërme e asaj që ne e quajmë shtëpi e madhe, qe rrëzuar. Në hyrjen e pasme, pashë disa të rritur me fytyra të përzhitura sikur qenë djegur nga flakët dhe nuk i njoha dot. I luteshin Zotit për ndihmë dhe sytë i kishin drejtuar nga qielli, por në qiell dukej vetëm dielli i shdritshëm që dukej sikur i përqeshte.
Edhe pridërit e mi i kisha dëgjuar t’i luteshin Zotit. Shumë herë i kërkonin të pushonte lufta dhe bombat që plasnin më fort se fishekzjarret. Kur isha i vogël dhe dëgjoja zhurma të forta dhe flakët që shkëlqenin qiellin edhe natën, prindërit më thoshin se qenë fishekzjarre. Vonë e kuptova që qenë bomba që vrisnin dhe i bënin pluhur ndërtesat dhe njerëzit brenda tyre.
Edhe në godinën tonë të gjatë, shumë nga të rriturit u thërrmuan dhe u shpërndanë në ajër bashkë me muret e trasha. Në mëngjes edhe disa nga shokët e mi mungonin. Qenë shpërndarë në ajër bashkë me të rriturit. Një këpucë të vogël që gjeta, duhet të qe e shokut tim Alaa. E mbatha në këmbën time të djathtë. Ai qe mjeshtër kur luanim futboll dhe shënonte shumë gola. Ndoshta më sjell fat dhe bëhem si ai.
Por dhurata më e vyer që gjeta mes rrënojave qe një telefon i ri, i padëmtuar. Me atë po të shkruaj. Kurse laptopit që ju ma dhuruat para një viti, kur sapo kish plasur lufta, i është krisur ekrani. Nuk e di nëse do punoj akoma. Të kujtohet? Ishte laptopi juaj personal. Ju ma dhuruat dhe më thatë se kur të rritesha do bëhesha një gjeni në programet kompjuterike.
Unë ju ndihmova ca kur shpërndanit ndihma me ushqime e ilaçe, ngaqë e dija mirë gjuhën angleze. Ju thashë që më pëlqente të kisha një kompjuter dhe ju më dhuruat laptopin tuaj.
Tani fle në një tendë afër lagjes ku kam lindur. Për ne kujdeset Fatima, një vajzë ca vite më e madhe. Prindërit e saj u zhdukën në një ditë me prindërit e mi. Shkuan për të kërkuar ushqim dhe nuk u kthyen më. Nuk e dimë nëse i thërmuan bombat apo i vranë plumbat… Kur pyetëm ushtarët të nesërmen, ata na përqeshën e u tallën me ne. Na thanë se kanë vajtur me pushime në qiell.
Në shkollë nuk shkoj më. Tani mësuese kemi Fatimën. Ajo na mëson se si të fshihemi e t’i shpëtojmë bombave. Ngaqë kemi luajtur shumë dhe fshiheshim që mos na gjenin shokët, tani u fshihemi mirë edhe bombave. Pardje Fatima na porositi që nëse do gjenim çanta e objekte të braktisura nga ushtarët, të mos i prekim me dorë.
Ibrahimi, një djalë i moshës time, kish gjetur një telefon në një çantë të braktisur. Fatima na tha se kur i kish prekur ekranin me gishta, telefoni kish shpërthyer si bombë dhe i këputi dorën.
Ushqim hamë rrallë. Ndonjëherë na sjell supë Fatima. Kur më merr uria, shkoj te çezma dhe pi shumë ujë. Kështu na ka këshilluar ajo. Natën në dritën e zbehtë të çadrës mblidhen shumë flutura. Më duket sikur thërmijat e pridërve dhe fëmijëve që u shpërndanë në ajër nga bombat janë shndërruar në flutura që vinë e na përshëndesin. Te lutem eja…më ndihmo, të lutem!”
Mbaroi të lexuari më një frymë mesazhin e djaloshit dhe zemra filloi t’i rrihte si këmbanë që përplasej fortë mureve të kraharorit. Zmadhoi në ekran me gishtat që i dridheshin portretin e djaloshit. “Po, po … ai është. Më kujtohet… quhej Salam që në gjuhën arabe do të thotë paqe. Por ky djalosh i mjerë u rrit mes shpërthimit të bombave dhe nuk pa paqe. Duhet të nisem pa tjetër. Do ta ndihmojë djaloshin edhe sikur të më kushtojë jetën. Po si të shkoj? Tani ndihmat shpërndahen vetëm nga ajri. Do ta gjej një mënyrë. Lus Zotin ta gjej të gjallë. Ndoshta do t’i mbijetojë urisë dhe shiut të bombave…”
Pas dy muajsh përpjekje me ndihmën e një miku të tij senator, mundi të siguronte një leje nga autoritetet për të udhëtuar drejt zonës së luftës. Gjëndja qe shumë më e rëndë se para një viti kur lufta shpërtheu. Bombat nuk kursenin as gazetarët e misionarët e shoqatave bamirëse që ndihmonin më ushqim e veshje.
Shpërthimet linin pas rrënoja e pluhur, por ai nuk ndalonte së kërkuari. Madje nga shpërthimi i një bombe iu thyen edhe xhamat e makinës, ndërsa kryqi i kuq që mbante mbi kabinë, fluturoi në ajër. U ndal për disa çaste dhe kur e mblodhi veten, vazhdoi rrugëtimin.
Një vendas që pati ndihmuar kohë më parë, e ndihmoi të gjente çadrën e djaloshit. Ndjeu një rrënqethje të fortë kur hyri brenda saj, sikur i shpërtheu një bombë brenda kraharorit. Salami nuk ishte, por gjeti aty Fatimën. Ajo qe dobësuar kaq shumë, sa dukej si një skelet që lëvizte ngadalë e nxirrte nga goja tinguj, që përafronin me gjuhën njerëzore.
Salami qe larguar drejt qiellit një javë më parë. Ndoshta nga uria, ndoshta nga sëmundjet. Por gjeti aty laptopin që ia kish dhuruar atij një vit më parë. Edhe pse ekrani qe krisur, vazhdonte ende te funksiononte. Gëlonin aty brenda shumë kujtime të gjalla të djaloshit.
© Ilir Gjini - Toronto



