Xhungla - Nga Flurans Ilia
Një vapë e tmerrshme. Bulëza djerse lëshoheshin tatëpjetë ballit. Vetullave nëpër hundë e prej aty pikë... pikë... rrëzoheshin përdhe. Që pylli ishte i tejskajshëm kjo binte lehtë në sy. Ishte një pyll i madh, mbuluar me drurë dhe shkurrnajë të dendur. Një pyll i tillë e kënaqte pa masë imagjinatën time të sëmurë për të pasur rreth vetes natyrë ku syri të ngopej me larminë e ngjyrave. Xhungla shtrihej tejembanë me qetësi misterioze të ndërprerë shpesh herë prej britmash të frikshme që thyenin kontrastin e ditës. Njësoj si helika e një helikopteri policie, në orët e para të mëngjesit kur sapo është vënë në ndjekje të keqbërësit.
Kjo është xhungla... - fillova të rrëfehem përballë oficerit të emigracionit në fytyrën e të cilit ndiheshin dukshëm nota indiference dhe mospërfillje.
Xhungla ime, në të cilën pa e kuptuar hyra në fillimin e viteve 1990.
Në të ecej me vështirësi duke çarë shkurrnajën. Përpara meje printe shoqëruesi im, një engjëll zezak rreth të dymbëdhjetave, trupshkurtër, me dhëmbët rruazë të bardha, buzë të trasha, dhe kaçurrela të ashpra, i cili më kishte treguar çka e karakterizonte këtë vend.
Printe vazhdimisht gjatë gjithë rrugës dhe ndërsa hapte shtigje të reja kisha mundësi gjatë gjithë kohës të shihja veç krahët e tij të bardhë e të mëdhenj pupëlorë mbi shpatullat e zeza që i jepnin vlera të cilat nuk mundej t'i kishte një engjëll i racës së bardhë, sepse do t'i mungonte pikërisht kontrasti midis dy ngjyrave ekstreme që ngjyrosin botën. Përgjatë degëve shfaqej ndonjë gjarpër i madh fërshëllyes. Hapësirën e përtejme e shponte ulërima e ndonjë kafshe të egër e cila demonstronte kufijtë e territorit të vet.
- Në xhungël - më thoshte engjëlli im, çdo gjë është e ndërtuar në bazë të forcës të atij që mbijeton zotëri. Një lloj jete ku ligjin e bënë më i forti.
Cila ka qenë arsyeja që të ka shtyrë të vije gjer këtu? - më pyeti me shikim të ftohtë oficeri i emigracionit.
Ndoshta, kërkimi i vetvetes - thashë.
Si ta kuptoj këtë?
Si përpjekje për një jetë më të mirë, në të cilën të kem mundësi të kuptoj më mirë aftësitë e mia zotëri.
Pse? Çfarë ju ka munguar në vendin tuaj?
Vetvetja.
- Cilat gjellë pëlqeni më tepër imzot? - ishte udhërrëfyesi im kësaj here, i cili po më pyeste si gjithmonë kureshtar për gjëra të kota në pamje të parë por që për të kishin rëndësi të veçantë. Sepse nuk mund t'i shlyenin nga kujtesa përvojën e asnjë dite të uritur të fëmijërisë së vet.
- Kuzhina mesdhetare. Ullinjtë, agrumet, djathi, peshku, verërat, vreshtat e Mesdheut.
- Po tjetër? - vazhdoi ai i uritur.
- I kam dashur të gjitha mëngjeset dimërore me kafe të ngrohtë përzier me qumësht në shtëpinë time të fëmijërisë. E çfarë nuk do të jepja të rikthehesha edhe një herë atje! - thashë.
- Po përse imzot? Pse ike prej andej?
- Është histori e gjatë e koklavitur biri im, po të ishte mirë atje nuk do të isha këtu - thashë, e prej aty kujtimet e mia ja nisën fluturimit të tyre për në Evropë ku tashmë ka ardhur pranvera dhe zogjtë kthehen nga shtegtimi ...
***
Ndërsa Athina përplaste qepallat e veta të lodhura rrëzë Akropolit, në orët e para të paradites, përmes rrënojave dhe ndërtimeve të reja mundoheshim në një vend fare të ngushtë të hapnim një gropë të madhe të pakuptimtë. Nuk e di se për çfarë. Ishim katër vetë që punonim brenda gropës. Unë. Një bullgar që ishte spiun i afendikoit. Një polak që pinte jashtë mase. Një ish emigrant grek, kumarxhi, i rikthyer nga Gjermania pa asnjë dyshkë në xhep. Si dhe padroni, që pinte birrë të ftohtë jashtë gropës, në një hije atje tej dhe ngjante tmerrësisht me këngëtarin e njohur grek Jorgo Dalara. Bënte një vapë e tmerrshme dhe punonim pa u ndaluar, të mbytur në djersë. Për më tepër nuk e dinim dhe nuk po e kuptonim përse duhej kjo dreq grope kaq e madhe këtu mu në zemër të Athinës. Që prej një kohe të gjatë ajo punë nuk kishte fund dhe ishte shumë pak e paguar. Ishte ngushtë dhe bënte aq vapë sa u detyrova ta braktis gërmimin. Një javë më pas në gazetën «Τά Nέά» u dha lajmi se në një aksident të papritur kishin humbur jetën tre të huaj në hapjen e një grope urbanistike në zemër të kryeqytetit grek. Njëri kishte qenë bullgari, për të cilin nuk më erdhi keq, sepse ishte spiun i padronit. I dyti polaku, që nuk kishte marrë vesh gjë-prej-gjëje nga e gjithë kjo histori se nuk i kishte dalë ende pija. I treti, një bashkëatdhetari im, shqiptar, që për fatin e tij të keq kishte vetëm një javë që kishte filluar në atë punë pas ikjes time. Çuditërisht emri i grekut mungonte. Siç mora vesh më vonë në momentin e aksidentit zari i fatit e kishte shpëtuar ashtu sikurse në një lojë kumari. Gjersa gropa ngelej përherë e pa përfunduar dhe gëlltiste jetë njerëzish, vendosa përfundimisht ta lë Greqinë dhe të nisem në kërkim të fatit tim tjetërkund.
***
Në Milano mbërrita një natë të ftohtë dimri të vitit 1997. Ishte prag Krishtlindjesh, dhe për shkak të një mospërputhje të orareve të trenave e humba trenin që do të më shpinte për në Madrid po atë natë. Jashtë portës së mbyllur të Stazione Centrale di Milano qëndronte një mesoburrë simpatik me theks londinezi i cili e kishte humbur trenin e vet gjithashtu. Më çuditi kur e pyeta “Si të quajnë?” dhe u përgjigj “Xhejms Bond”. “Ju lutem, mos u tallni me mua zotëri,” thashë duke qeshur. Por ai ishte serioz. Më tregoi pasaportën e vet të Mbretërisë së Bashkuar në të cilën shkruhej ekzakt emri në fjalë. U habita. Sidoqoftë, më kujtohet se kaluam disa orë së bashku duke u dridhur nga të ftohtit. Në pamjen e parë ai njeri nuk krijonte asnjë lloj imazhi përveçse atij të agjentit të njohur 007. Për më tepër mbante edhe emrin e tij në pasaportë. Filloi të bënte shumë ftohtë. Vendosa të shkoja në ndonjë hotel. Nga dritarja e taksisë i dhashë një përshëndetje “Bondit”.
U vendosa në hotelin Sempione, pranë sheshit Republica. Ishte pastër në atë vend. Fjeta shumë rëndë me ndjesinë se dikush më ndiqte dhe nuk më ndahej. Si jo shpesh herë në jetën time u zgjova diku rreth orës dhjetë të mëngjesit me dëshirën e vetme që të vihesha në kërkim të ndonjë kafeje përpara se të nisesha për rrugë. Përtej grilave të porsahapura rrugët i kishte mbuluar bora. Nata e mëparshme duhej të kishte qenë e ftohtë. Mu kujtua Xhejms Bondi, të cilin e kisha lënë atje përjashta. Zbrita në barin e hotelit ku porosita një kapuçino, e cila sa nuk më ra nga duart për shkak se kafexhiu jo vetëm që ngjante, por edhe përzemërsisht më tha se quhej Marçelo Mastrojani. “Nuk ka mundësi”, gati klitha nga kjo seri të papriturash. Duke më treguar pasaportën e vet të Republikës Italiane, ky tipi mbante vërtet emrin dhe mbiemrin e aktorit të njohur.
***
Ndërsa tranzit kalonim nëpër Francë me tren, nuk do ta besoni po t'ju them se u njoha me një student i cili njërën këmbë e kishte të prerë e quhej Artur Rembo. Atëherë nuk prisja gjë tjetër nga ky udhëtim i çuditshëm, veçse që me të mbërritur në Spanjë të takohesha me Frederiko Garsia Lorkan e ringjallur. Por nuk ndodhi kështu. Kalova një natë të cilën nuk kam për ta harruar në hotelin Asturias në Madrid. Kisha dhimbje koke dhe fjeta keq duke ëndërruar se po shkoja së bashku me Lorkën drejt vendit të pushkatimit. Telefonova në Shqipëri. Prej ku më njoftuan se në Berat, në kaosin që ka përfshirë vendin, kishin vrarë mikun tim të fëmijërisë Bert Kolanin. M’u duk kjo një parandjenjë e brendashkruar brenda ëndrrave të një nate të mëparshme. Kisha ëndërruar sikur shihja pas pushkatimit shpirtin tim të hipur në një kalë të bardhë i cili ikte larg...
Me një aeroplan të shoqërisë ajrore Iberia i cili për çudi si simbol mbante një Pegasos u ngrita në qiell. Po bëja realitet një ëndërr të gjatë. Por nuk ndodhi sipas parashikimeve. Mbi Atlantik aeroplani e humbi për shkak të erërave të forta drejtimin e vet drejt Amerikës dhe në vend që të mbërrinte në Tokën e Premtuar, humbi në xhungël. Në të gjithë personat e humbur të kërkuar të kësaj historie vetëm emri im nuk ishte ai që duhej të ishte sepse e kisha përshkuar Evropën gjatë gjithë udhëtimit tim me një pasaportë fallco.
- Me të vërtetë e pabesueshme dhe e çuditshme historia jote, zotëri, - tha i pakënaqur oficeri i emigracionit.
- Jo aq e pabesueshme sa kjo që do t'ju tregoj më pas, zotëri, - i thashë.
Uii... uii... uiiiii... E preu hapësirën një klithmë tipike majmunësh. I trembur shtrëngova fortë pushkën që mbaja ndër duar. Por ishte engjëlli që e ndali duke e ulur poshtë grykën. Më bëri shenjë të qëndroja sa më gjakftohtë. Me gisht shënoi ku duhet të shihja. Midis degëve të pemëve nga vinte zhurma.
- Çfarë po ndodh? - pyeta me zë të ulët.
- Po ndodh diçka që nuk e keni pasur fatin ta shihni më parë. Shikoni atje lart. Kemi përpara syve një gjueti majmunësh.
- Gjueti majmunësh? - pyeta i habitur.
- Shiiiit! - më bëri shenjë të heshtja. Nuk bëra zë.
- Haaa... huuu... hooo... Një majmun me trup mesatar kacavirrej sa nga një degë në tjetrën i ndjekur për jetë a vdekje nga një grup majmunësh të jo së njëjtës racë me të. Poshtë degëve një grup tjetër të cilët duhet të ishin femrat dhe fëmijët e bashkësisë e shoqëronin ndjekjen me thirrje histerike. Nga njëra degë në tjetrën nga njëra pemë në tjetrën nga një nivel më i lartë në një nivel më të ulët ndjekja vazhdonte të bëhej edhe më e ashpër. Stimulohej gjithashtu edhe nga thirrjet e panumërta që sa vinin dhe shtoheshin.
- Viktima është një majmun i një race tjetër që nuk bën pjesë në këtë bashkësi, - filloi të më shpjegonte engjëlli - kurse ndjekësit nëpër degë janë meshkujt e kësaj bashkësie. Ato që sheh duke thërritur me histeri atje poshtë janë femrat e bashkësisë. Kurse të tjerët janë fëmijët, të cilët thërrasin të entuziazmuar nga kjo skenë pjesëtarë të së cilës do të bëhen më vonë kur të rriten.
Viktima i trembur nga thirrjet e panumërta filloi të tregojë shenja lodhje që e bënin të zbriste poshtë. Gjersa një moment dora e fuqishme e ndjekësit kryesor e shkëputi nga më e afërta degë dhe e rrëzoi drejt tokës. Aty ishte fundi. Në një kohë të shkurtër mbi të u hodh e gjithë hordhia e meshkujve të cilët e godisnin me ç'të mundnin. Me grushte, gurë, shkopinj. Në trup, në kokë. Më tej, ia shqyen barkun me thonj, ende pa e lënë të jepte shpirt përfundimisht. Ia çanë kokën me një gur të madh. Të gjithë të mbledhur rreth tij filluan të mbllaçitnin pjesë nga organet e përgjakura ende të ngrohta. Shihja se si nga buzët e tyre të pështira pikonin pika gjaku të freskëta. Dëgjoja thyerjen e gjymtyrëve dhe brinjëve të viktimës të përzier me thirrjet e gëzuara të fëmijëve dhe hungërimat e uritura të të rriturve. Shqyerja e zhapave të barkut, zorrët e varura nëpër degë, më bënë të ndihem jo mirë dhe me kokën mënjanë fillova të nxjerr gjithçka nga brenda stomakut. I ziu engjëll duke më parë me ata sytë e vet të pafajshëm njëfarësoj me atë zgjuarsi dhe dije që e karakterizonte në shpjegimin e situatave të tilla duke më mbajtur ballin, tha:
- Kjo është diçka e natyrshme në xhungël, çdo gjë është e natyrshme, çdo gjë është e lejueshme ...
Duke e shtytur fortë larg vetes iu hakërreva në fytyrë i nervozuar:
- Cila është e natyrshme, që një majmun të shqyejë në këtë mënyrë një majmun tjetër?
- Natyrisht, gjithçka është brenda rregullave të lojës së xhunglës imzot - më tha.
- Si? E natyrshme është kjo skenë? - ulërita duke ia shkulur krahët e bardhë nga shpatullat e zeza.
- Kjo, kjo që do të bëj tashti, a është e natyrshme atëherë? - thashë dhe me grykën e pushkës drejtuar drejt turmës godita në kokë kryetarin e bashkësisë, pikërisht atë që ishte edhe ndjekësi dhe ekzekutuesi kryesor i viktimës. Me rrëzimin e tij sa gjatë e gjerë mbi tokë e gjithë turma tjetër u shpërnda e frikësuar në panik. Mes heshtjes dëgjoja pas vetes zërin e engjëllit.
- Ti nuk duhej... nuk duhej ta bëje këtë gjë... ata ishin brenda natyrës së tyre. Nuk kishe të drejtë të qëlloje. Nuk ke të drejtë të prekësh krahët e mi. Nuk ke të drejtë... - lotët e mbytën ndërkohë.
- Biri im, ata e meritonin, - i thashë i bindur në gjithçka që kisha bërë dhe më tej për ta qetësuar vazhdova. - Sa për krahët e tu, mos u mërzit. Do të blej të tjera në supermarket apo në dyqane mode sapo të mbërrijmë drejt tokës së premtuar në Perëndim.
U qetësua. Vazhduam rrugën duke lënë pas gjithçka.
Oficeri i emigracionit po më shihte me ngulm si të ishte përballë një formule algjebrike zgjidhja e së cilës po e mundonte së tepërmi.
E më tej? Ndodhi çfarë më tej? - më pyeti për të parën herë me sy kureshtarë.
Asgjë e veçantë, - thashë indifferent. - Një njeri i vetëm nuk mund t'i ndryshojë dot ligjet e kësaj bote ...
Ai më pa gjithë dyshim dhe ngaqë kureshtja po e brente më pyeti:
Po me engjëllin tënd çfarë u bë?
Për të parën herë gjatë gjithë kohës së intervistës sime po vëreja se oficeri ishte një person i racës së zezë seriozisht kureshtar.
Ah, se për pak harrova. Me të mbërritur në Perëndim atij nuk i pëlqyen krahët e shtrenjtë engjëllorë “Made in Armani” që i bleva; “nuk janë të vërtetë”, - më tha, ndaj edhe vendosi të qëndronte ashtu pa krahë, me këmbë në tokë. Nuk e di se ku bëhet tashti, por nga një telefonatë e disa kohëve të mëparshme më thoshte se shpërndante pica në Bronks të Nju Jorkut.
Ok zotëri, jeni i lirë, mund të shkoni tash e të prisni një përgjigje nga ana jonë se ç'do të bëhet me ju, - më tha me sy që i ndrisnin i bindur se e kishte gjetur zgjidhjen e formulës algjebrike e cila e kishte munduar kaq shumë. Porsa dola nga zyrat e emigracionit, përpjekja për të kuptuar nuk konfiguronte veçse si një “zero e madhe absolute”. Nën këpucët dimërore ndjej se si akulli i trotuarit thyhet poshtë këmbëve të mia duke e krahasuar zhurmën e tij me thyerjen e gjymtyrëve të asaj qenie të pafajshme që më kishin zënë sytë në atë gjueti majmunësh. Imazhi i xhunglës më shoqëron në të gjithë kohëzgjatjen e hapave nga ndërtesa e zyrave të emigracionit gjer në barin e cepit të rrugës ku më presin miqtë e mi për të kthyer ndonjë gotë së bashku. Gjatë rrugës ndihesha i lumtur që kisha mbërritur gjer këtu përmes këtij dimri të shtruar nga bora. Me të hyrë në barin e ngrohtë menjëherë ndihem si në shtëpinë time sepse aty ndodheshin të gjithë personazhet e kësaj historie duke iu ofruar njëri tjetrit për të pirë. Të lumtur ata flasin e qeshin me zë të lartë. Në fakt në një pikë nuk i kisha treguar të vërtetën oficerit të emigracionit në lidhje me engjëllin që më kishte shoqëruar në xhungël. Përveç armëve dhe rekordeve policore në jetën reale ai është rebel dhe nuk punon si shpërndarës picash në Nju Jork por shet dhe konsumon njëkohësisht marijuana, si duket për të kujtuar dhe ngelur brenda kufijve të kohës parajsore kur kishte qenë një engjëll-fëmijë.
Në krahun tjetër miku i fëmijërisë sime Bert Kolani ishte shndërruar në një engjëll. Pronari grek Vasili që i ngjante këngëtarit Jorgo Dalara si dëshirë të vetme të jetës së tij kishte pasur këngën ndër deje. Meqenëse nuk e kishte realizuar si ëndërr, u pinte gjakun punëtorëve të tij refugjatë të ardhur nga Evropa Lindore, duke i shfrytëzuar si skllevër të kohëve moderne. Bullgari ka filluar të pijë jashtë mase për të gjithë kohën e humbur të spiunllëqeve të tij në mërgim. Në të kundërt polaku e ka ndërprerë plotësisht pijen dhe i është kushtuar familjes. Bashkëatdhetari im shqiptar ishte rikthyer në atdhe me një thes me rrecka për të katër fëmijët e tij që i priste një fat jo më i mirë se ai i babait të tyre. Kurse Kosta, kumarxhiu i vjetër grek, në ditën që kishte vdekur nga pleqëria, u kishte kërkuar të afërmve të tij që ta varrosnin së bashku me zaret e kumarit.
Xhejms Bondi emri i vërtetë i të cilit ishte Larry, ishte një irlandez-verior nga Belfasti, që fshihet nën pseudonimin “The Edge”. Ndoshta kërkohet për aktet e veta ilegale nga ndonjë agjent sekret i shërbimit britanik i tipit 007. Ndaj i ngjante tmerrësisht kundërshtarit dhe ndjekësit të vet aq sa më shëmbëlleu se ishte vet ai 007-a. Marçelo Mastrojani dhe Artur Rembo janë veçse tipa romantikë e ëndërrimtarë. I pari fshatar siçilian i punësuar në veri në Milano. Tjetri homoseksual parisian e student letërsie i ngelur në vjeshtë. Një jetë të tërë kishin ëndërruar të bëheshin ata që nuk janë bërë dot kurrë.
I përjetshëm poet ka ngelur Lorka edhe mbas pushkatimit të tij nga fashistët në Spanjë. Ndërsa unë jam akoma në kërkim të një identiteti të përjetshëm për një jetë më të mirë së bashku me personazhet e mi. Ah, se për pak harrova, oficeri i emigracionit që nga koha e diktatorit Dyvalié e kishte braktisur Haitin dhe ngaqë kishte dyshime se e shoqja e tradhëtonte me një tjetër person të racës së bardhë, i shikonte të gjithë njerëzit me mosbesim. Ndaj nuk jam shumë i sigurt nëse e besoi historinë time apo jo. Për aq sa u përket të gjithëve ju që e njihni tashmë këtë histori, duke ngritur kupën sinqerisht ju them:
- Gëzuar miq!
- Gëzuar! - ma kthyen shëndetin personazhet e mi nga të gjitha skutat e barit jo të ndriçuar mirë dhe çuditërisht filluan të duartrokisnin me admirim pa qenë nevoja të kuptonin nëse kjo histori u përkiste edhe atyre në një farë mënyre ose jo, sepse ishin pjesë e saj dhe... unë krijuesi i tyre. Ose... ndoshta krejt e kundërta. Teksa dëgjohen duartrokitje, të qeshura, thirrje të gëzuara, ndihet vet e qeshura dhe zëri im me droje duke thënë:
-Ju falemnderit! Ju falemnderit që më krijuat.
© Flurans Ilia - Montréal
(Shkëputur nga “Thembra e kujtesës” - Botimet Ideart, 2008)



