Krijimtari

Lundërtarë pa atdhe, atdhe pa lundërtarë

Nga: Flurans Ilia

Ka më tepër se njëzet e shtatë shekuj qyshkur është shfaqur Odisea. I pashmangshëm për të gjithë ata që, në forma të ndryshme, rrugëtojnë. Pikësynim i pelegrinazhit mbetet destinacioni drejt ishullit po aq pelegrin, sa edhe vet shpirti i lundërtarit drejt tij. Itaka. E mjegullt nën diell. E prekshme prej së largu. Puthje e trashëguar. Mallkim që e ke gjithmonë me vete. Bekim shpirttrazuar. Nuk kemi mundur ta imagjinojmë Uliksin pa Itakë. Aq sa natyrshëm lind pyetja: Uliksin e bëri të tillë Itaka, apo Uliksi i dha shpirt Itakës?

Të dyja mitet e përgjumura lundrojnë paralelisht, si dy anije nëpër mjegull, pa “i kapur” sinjalet SOS të njëra-tjetrës. Gjersa brenda një dite të vetme, më 16 qershor 1904, brenda një qyteti të vetëm (Dublin, ose ashtu si vet Xhojsi e ka emërtuar në një pasazh tek “Finnegans Wake” me termin Dalbania), brenda një rrethi ishullor të populluar me aq shumë ngjarje ekzistenciale nga atdheu i individit, shfaqet Leopold Blumi, modeli unik pranë qenies njerëzore. Uliksi modern, personazhi që do të lundrojë nëpërmjet përroit të ndërgjegjes, do të ç'mitifikojë mitet, do t'i ndryshojë krejtësisht kahun, jo vetëm historisë së romanit evropian, por edhe vetë ecurinë e fatit “lundërtarit pa atdhe”, duke e ngujuar njëherë e përgjithmonë në një “atdhe pa lundërtarë”.

Gjenialiteti i Xhejms Xhojsit jo vetëm që hodhi dritë rreth trupit të njeriut-ishull dhe artit, por zbuloi një nga vatrat komplekse më të nxehta, duke na detyruar me të drejtë, edhe ne shqiptarëve, të pyesim vetvetet: sa atdhe kemi pasur dhe kemi? A nuk ishin Fan Noli, Faik Konica, Ernest Koliqi, Martin Camaj, etj, “lundërtarë pa atdhe”? A nuk jetuan Lasgush Poradeci, Mitrush Kuteli, Migjeni, etj, në një “atdhe pa lundërtarë”? Ndonëse kemi pasur lundërtarë në të gjitha kohërat, edhe nga ata që e kanë paguar lundrimin me jetët dhe ëndrrat e tyre, Atdheu vazhdon të jetë i mjegullt nën diell, i prekshëm prej së largu, puthje e trashëguar, mallkim që e kemi gjithmonë me vete, bekim shpirttrazuar... Përngjan e gjithë kjo si një kaligrafi me shkrimtarë dhe një të vetëm atdhe. 

Kaligrafi janë qytetet ku jemi lindur dhe rilindur. Për shembull, Berati nuk është një qytet emblematik, ngaqë është qyteti im i lindjes. Nënvetëdija qytetare flet për një autoritet akoma edhe më imponues, mbizotërues, kundrejt ndërgjegjes së qytetarit të lindur brenda mureve të tij. Me Pogradecin qëndron ndryshe, ai është vendi i ngjizjes poetike. Vendi ku fjala shqipe është e kredhur në ringjallje të pazakontë artistike. Kam pasur fatin në Pogradec, të përjetoj Hijen e Llazar Gushos, Dhimitër Paskos, dhe të tjera realitete.

U rrita me praninë e tyre të shpërndarë si aromë mollësh nëpër kopshtet e së njëjtës mëhallë. Të dy këta qytete i mbart me vete ngado që shkoj sepse thonë që imazhet e fëmijërisë të ndjekin gjer në çastin e frymës së fundit. Gjë e cila, nuk e di shkakun përse, nuk më ka ndodhur ende, me metropolin e Tiranës, Stambollit apo Athinës. Ndoshta ngaqë, ashtu si kafeja në zjarr, janë akoma në fazën e mpiksjes, dhe presin temperaturën e duhur për t'u shkumëzuar dhe përftuar ajkën.  

Kalimthi, një shije kalimtare më kanë lënë Milano, Madridi, Toronto, New Jersey. E ndiej ende shijen apokaliptike të New York-ut, para dhe pas 11 shtatorit, të përjetuar nga afër. Xhungël. Mahnitës. “Big Aple”. Ka vend për të kafshuar të gjithë një copë. Qyteti i mundësive të mëdha si vetë ndërtesat e tij. Gadishulli Cape Cod, pozicionimi gjeografik përballë njërit nga ishujt ku është varrosu John Belushi, buzë oqeanit Atlantik në lindje të Bostonit, ngelet i pashlyeshëm, imazh pikturë. Për të mos folur më tej për Montrealin, platonë që më ka influencuar më tepër, gjatë krejt udhëtimeve të mia.

Përmes këtij dekori kaligrafik qytetesh, gjithsecili ka rolin e vet ndihmues në mozaikun e fjalës. Kavabata diku thotë: “Më duket se nuk jam unë ai që di të lundrojë nëpër botë; por është bota ajo që më bën të lundroj”. Qytetet, ashtu si detet, e mbështjellin veprën dhe jetën e njeriut me rrymat e erërave që ndesh ndër to. Dhe sa më shumë endesh gjinjve të tyre, aq më e tendosur bëhet vela që e shtyn anijen e pavetëdijes drejt rrugës së vetëdijshme (në letërsi?).

Kaligrafi me ikje. Shpesh ikja është e vetmja mundësi më e volitshme se vdekjet. E dhimbshme është ndarja nga qenie të të njëjtit gjak, me të cilat ke ndarë kafshatën e fëmijërisë. Por kur kjo kafshatë mungon dhe gjërat e shtrenjta nuk kanë më jetë, vetveten e gjen jashtë mureve të shtëpisë së përbashkët, larg së cilës do të duhet të fitosh bukën e përditshme. Vetes i thua, falmë Zot!, dhe e kapërdin dhimbjen me bukë.

Të gjithë shqiptarët e mërguar, që e kanë fituar bukën me gjak e djersë, i janë përshtatur jetës së re duke u dhënë pikësëpari jetë qenieve dhe gjërave që, gjer dje kanë qenë tërësisht të huaja për ta. Ky është një rrugëkalim i domosdoshëm. Kur mohohet një botë, patjetër një botë e re duhet të pohohet, për të përligjur ekzistencën, (vazhdimësinë?).

Tranzit nga Vjena mbi hapësirën ajrore të Republikës së Shqipërisë, shfletoj ndër duar vargjet hyrëse: “Zonë ushtarake, adriatike, Bisht’ i Pallës...” nga Pasqyra e lëndës e poetit Ervin Hatibi. Nga dritarja e avionit vë re se gjendem ekzaktësisht mbi kepin Bishti i Pallës, vend ku aeroplani merr kthesën për t'ju drejtuar aeroportit Nënë Tereza në Tiranë.

Në udhëtimin tim arratisës të vitit 1997 me anije nëpër Adriatik, nga porti i Patras drejt Venecias, e kisha fiksuar, nga deti, kepin e famshëm, në ikje e sipër, në mugëtirë. Po e fiksoja edhe tashti, në ardhje e sipër, nga lart. Përngjan me të vërtetë i tillë, si bisht palle. Aty e lashë imazhin tim mbi atdheut, dhe po aty po e rigjeja, pas njëmbëdhjetë vjetësh. Te Bishti i Pallës. Këtu do të gjeja të gjallë varrin e tim eti. Thinjat e të afërmve. Tokën e të parëve. Sytë e nënës. Brezin tim, të metamorfozuar. Muret e qytetit. Kufijtë e krahinave. Rrjedhën e lumenjve. Përkundjen e detit. Lotin e liqeneve. Kreshtat e shqipeve. Humnerat përmes maleve. Këtu e gjeta të vdekur dashurinë e rinisë së sotme për librin. Këtu kuptova se nuk kishte pasur asnjë arsye të ngelej si më parë Sapuni i Rrogozhinës, sepse flokët e rinisë erëmojnë sapun Lux.

2007

Flurans Ilia u lind në Berat më 16 Maj 1971 në një familje intelektualësh ku, biblioteka dhe librat zinte vend qendror në mjedisin familjar. Humbja e babait do ta shtynte qysh në fëmijëri drejt botës magjike të artit. Përgjatë viteve të shkollës shkruan poezi, skica, tregime, pa mundur të publikojë asgjë. Fillimi i viteve 1990 e gjen në një udhëtim bohemian nëpër Ballkan, Evropë, Amerikën e Veriut, për t'u ankoruar në Montréal të Kanadasë. Mërgimi mban gjallë dëshirën dhe kontaktin e tij të vazhdueshëm me Fjalën. Në fillimin e viteve 2000, nëna e tij publikon fletoret e braktisura poetike të të birit. “Atavizëm” titullohet libri i tij i parë me poezi, i ndjekur nga gjashtë tituj të tjerë vëllimesh në vargje si dhe përmbledhjes me tregime “Baraka e kopshtit të mollëve”. Në vitin 2008 publikon në Tiranë përmbledhjen me proza “Thembra e kujtesës”. Libri pritet ngrohtë nga rrethet letrare. Në vitin 2014 publikon romanin “Jashtë sezonit në Prishtinë”. Romani dëshmon gjetje dhe strukturë të veçantë. Bashkëpunimi i tij i vazhdueshëm me mediat dhe suplementët letrare brenda dhe jashtë vendit, në lëmin e publicistikës, esesë, prozës e përkthimit, e kanë renditur emrin e Fluransit krahas bashkëkombësve të tij të palodhur në lëmin e kulturës dhe fjalës shqipe.

@Flasshqip.ca

Tagged under Flurans Ilia